Fatmir Xhafaj “ngel” për herë
të tretë qeverinë tek Ligjet

TIRANE- Për të tretën herë radhazi, Komisioni i Ligjeve ngel në klasë qeverinë në mënyrën e hartimit të ligjeve. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, ku u diskutua mbi draftin për “Sigurimin dhe Risigurimin”, kreu i Komisionit të Ligjeve hodhi akuza të forta ndaj ekzekutivit në mënyrën se si harton ligjet duke theksuar se pjesa më e madhe e tyre, janë bërë në mënyrë të gabuar. Pika e parë ku Xhafaj shprehu rezervat ishte neni 222 ku flitej për “Aktuarët e Autorizuar” ku ligji parashikonte që atyre i nevojitej arsimi i lartë 3+2 ose 4 vjeçarë.

Në këtë pikë, Xhafaj theksoi se më parë kishin si kriter që të punësonin intelektual ndërsa tani njerëz injorant. “Më parë kemi kërkuar njerëz me doktoraturë ndërsa tani thoni se na duhen injorantë. Zoti Meta nuk keni faj ju, por ata që kanë hartuar ligjin. Kur e pash mbrëmë në darkë u skandalizova”,- tha Xhafaj duke ironizuar draftin e hartuar nga ekzekutivi. Por shpërthimin total, kryetari i Komisionit të Ligjeve e pati në momentin kur u miratua neni 268 i ligjit, i cili për Xhafën ishte i hartuar në mënyrë më të keqe të mundshme. Me këtë nen do të bënit një roman, madje një novelë të plotë. “Më shuaj një kureshtje, kush e ka fajin se nuk besoj se e ka bërë Ministria e Financave këtë gafë”,- tha Xhafaj. Por në përfundim të fjalës së tij, erdhi edhe komenti i ish-kryeministrit Pandeli Majko ku tha “E kanë sabotuar drejtorinë juridike atje”.

Rezoluta e Llallës
Krahas ligjit për “Sigurimin dhe Risigurimin”, Komisioni i Ligjeve miratoi dje edhe projektrezolutën për raportin vjetor të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Sipas kësaj rezolute, përcaktohet se kryeprokurori, për vitin tjetër, si prioritet kyç duhet të ketë dënimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë. Sipas kësaj projektrezolute, Kuvendi kërkon nga Prokuroria të veprojë me efikasitet në bazë të një strategjie afatmesme për luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti.

Kërkohet gjithashtu që organi i akuzës të konsiderojë prioritet kyç të punës, luftën kundër korrupsionit duke i kushtuar vëmendje të veçantë ndëshkimit të korrupsionit në radhët e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe në sistemin e drejtësisë. Mbi rezultatet e këtij prioriteti, Prokurorisë i kërkohet të raportojë brenda vitit në Kuvend. Përmes kësaj rezolute, Kuvendi i kërkon Prokurorisë të rekomandohet nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme për inspektimet.

Shkrimi u publikua sot,8 maj 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)   

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Ndiqni intuitën dhe mos kini frikë të merrni vendime të guximshme... Çfarë thonë yjet për ju sot

Ndiqni intuitën dhe mos kini frikë të merrni vendime të guximshme... Çfarë thonë yjet për ju sot