Fatmir Xhafaj: Luftë frontale
krimit, do i godasim me FBI-në

Fatmir Xhafaj: Luftë frontale<br />krimit, do i godasim me FBI-në<br>
Në prezantimin e operacionit ‘Forca e Ligjit’ ministri Fatmir Xhafaj u shpreh qeveria i ka shpallur luftë frontale krimit të organizuar. Ai theksoi se së bashku me agjentë të FBI, por edhe ekseprtë nga Italia, Gjermania dhe Britania do të godasim kriminelët dhe veprimtarinë e tyre ekonomike. Ministri ftoi edhe opozitën për t’u bashkuar në luftën kundër krimit në Shqipëri për të mirë të vendit dhe të ardhmes së fëmijëve.

Ne sot shpallim luftën frontale ndaj kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Në luftën kundër krimit jemi larg standardit ku duhet të sundojnë ligji dhe drejtësia është e barabartë për të gjithë. Qeveria ka kuptuar rrezikun e krimit për ekonominë dhe qytetarët. Qeveria ka vullnetin për t’u ballafaquar me këtë sfidë. Jemi të vendosur për ta bërë këtë luftë për të bërë të mundur që ligjit të triumfojë.

Krimi i organizuar nuk do të ketë të ardhme në Shqipëri. Jemi të vendosur të shkatërrojmë rrjetet kriminale dhe fuqinë e tyre ekonomike. Si ministër pranova të marr këtë përgjegjësi. Fuqia e këtyre grupeve kriminale është e madhe dhe sfiduese. Ndryshimet në drejtësinë penale para së gjithash në prokurori, një reformim i shpejtë strukturor dhe njerëzor, unë besoj që do të japin rezultatet.

Task Forca është vetëm fillimi i një rrugë që do të ndryshojnë situatën në Shqipëri. Agjentë të FBI dhe ekspertë të Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë do të prodhojnë rezultate në goditjen e grupeve kriminale kudo qofshin. Duhet të bëhemi bashkë për të luftuar krimin, ne jemi gati të punojmë me këto që nuk e sheh luftën kundër krimit si karrige për pushtet” deklaroi ai. 

Fjala e plote e Xhafes
Çfarë sot po prezantojmë është fillimi i një rruge tërësisht të re për institucionet ligjzbatuese të shtetit, rrugë në të cilën krimi dhe veçanërisht ai i organizuar nuk mundet të bashkudhëtojë me vlerat e një shoqërie të lirë dhe demokratike.

Puna intensive si ligjvënës, si jurist, dhe tashmë edhe si Ministër i Brendshëm, më ka treguar se ka dy rrugë diametralisht të kundërta, në raportet me krimin dhe botën e tij: Rruga e bashkëjetesës dhe retorikës pa fund, si dhe rruga e përballjes së hapur dhe luftës me të.

Ne sot i japim rrugë dhe shpallim fillimin e një lufte multi-frontale, intensive dhe pa kompromis ndaj strukturave të organizuara kriminale, aseteve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, me vullnetin për ta bërë vendin tonë, një vend armiqësor dhe të parehatshëm për këdo që mendon se mund të pasurohet në kurriz të të tjerëve dhe në dhunim flagrant të ligjeve në fuqi.

Krimi, dhe për më tepër krimi i organizuar nuk ka markë shqiptare dhe as është emblema e shqiptarëve. Nuk jemi ne të vetmit në këtë rajon dhe në këtë botë të trazuar, që e vuajmë këtë të keqe të madhe. Përkundrazi. Por çështja shtrohet se me gjithë progresin e bërë në këto 3-4 vitet e fundit në luftën kundër krimit të organizuar, ne jemi akoma larg standartit të një shoqërie, ku sundojnë ligji dhe drejtësia, kudo dhe kurdoherë.

Por nga ana tjetër, sot, kjo qeveri ka kuptuar shumë mirë se çfarë rreziku përfaqëson krimi i organizuar për përparimin ekonomik, afirmimin e vlerave të demokracise dhe prosperitetin e qytetarëve.

Qeveria ka gjithë vullnetin, vendosmërinë dhe mekanizmat për t'u ballafaquar me këtë sfidë.

Ndaj ne sot po marrim përgjegjësinë për ta bërë këtë luftë, me vendosmëri, pa asnjë mëdyshje, pa asnjë dallim, për të bërë të mundur që forca e ligjit të triumfojë.

Krijimi i Task Forcës Speciale është një tregues kuptimplotë i marrjes dhe i ushtrimit të përgjegjësive politike, por edhe ligjore të kësaj qeverie, dhe i Ministrisë së Brendshme në veçanti, Policisë së Shtetit gjithashtu, në luftën kundër krimit të organizuar.

Ne jemi duke ndryshuar thuajse tërësisht qasjen reaguese dhe vepruese ndaj çdo forme të veprimtarisë kriminale, me synimin për një reagim proaktiv, dinamik dhe të mirëkoordinuar.

Mesazhi që dëshiroj të përcjell sot për qytetarët e vendit tim është i qartë: Krimi i organizuar nuk mundet dhe shumë shpejtë nuk do të ketë të ardhme në Shqipëri.

Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka të mundur të shkatërrojmë rrjetet kriminale, infrastrukturën  e tyre, të shkatërrojmë fuqinë e tyre ekonomike.

Si Ministër i Brendshëm, kam pranuar ta marr këtë përgjegjësi politike dhe kushtetuese duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm për sfidat që kam përpara.

Në këtë sipërmarrje politike dhe ligjore, unë dhe ekipi im nuk kemi sfidë me kërkënd veç me qëllimin e lartë që qytetarët e këtij vendi të kenë më shumë rend dhe siguri publike. Pa rend dhe pa siguri publike nuk mundet të ketë progres ekonomik dhe shoqëror për askënd.

Unë dhe Qeveria ku bëj pjesë e kuptojmë shumë mirë këtë. Ndaj ne do të bëjmë të pamundurën, do të përdorim çdo mjet demokratik që ta fitojmë këtë luftë me krimin e organizuar në Shqipëri.

Të dhënat që burojnë nga proceset gjyqësore dhe studimet, tregojnë se ndonëse  kriminaliteti në Shqipëri ka bërë përpjekje për t’u bashkuar në organizata dhe grupe të strukturuara, ka rritur kontaktet dhe bashkëpunimin me elementë të krimit të organizuar në Evropë dhe më gjerë, ai ende nuk ka mundur të strukturohet në format tipike të organizimit vertikal të qëndrueshëm dhe të luftës së hapur me institucionet.

Shteti duhet të dijë të përfitojë nga dobësitë e krimit të organizuar që vepron në Shqipëri. Është koha për t’i shpallur atij një luftë totale, në planin e ndëshkimit penal dhe të moslejimit të depërtimit në ekonomi të parave që ai gjeneron.

Përndryshe, dinamika e raporteve mes grupeve kriminale dhe fuqizimi i mëtejshëm ekonomik, bashkimi me elementë të spikatur të krimit ndërkombëtar, do të sjellë si pasojë rritjen e peshës së tij në ekonominë e ligjshme, me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme në zhvillimin e institucioneve demokratike dhe të krejt jetës së vendit.

Sot ka të dhëna që fuqia ekonomike e disa prej këtyre grupeve kriminale është e madhe dhe sfiduese për organet e drejtësisë dhe institucionet ligjzbatuese të vendit, përfshi dhe strukturat e Policisë së Shtetit.

Raportet shoqërore të individëve, anëtarë të këtyre organizatave me përfaqësues të jetës politike dhe zyrtarë të lartë janë të evidentuara, gjithashtu.

Të dhënat dëshmojnë gjithashtu prirjen e qartë të injektimit të parave të tyre të pista në ekonomi përmes investimeve në biznese të ligjshme, shartimit me grupe të caktuara ekonomike apo ngritja e bizneseve fasadë. Biznese të ndryshme, financohen në ndonjë rast në një pjesë të tyre edhe nga këto para të rrjedhura nga burime kriminale.

Disa nga këto grupe synojnë që fuqin ekonomike ta përdorin me ndikim të tërthortë ose edhe të drejtëpërdrejtë edhe në media dhe/ose në rrjete sociale.

Përpjekjet për ndikim ndaj publikut dhe intimidimin e agjensive ligjzbatuese përmes platformave mediatike tradicionale dhe atyre online, krahas shërbesave të paguara për goditjen e grupeve të caktuara rivale, rezultojnë gjithashtu shqetësuese.

Ndryshimet e pritëshme në drejtësinë penale dhe para së gjithash në organin e Prokurorisë, një reformim i shpejtë strukturor dhe njerëzor në shërbimin hetimor të Policisë së Shtetit si dhe bashkëpunimi efektiv i ndërtuar me partnerët tanë të zbatimit të ligjit në vendet fqinje dhe më gjerë, unë besoj se në kohë do të japin rezultatet e kërkuara.

Besoj fort se fillimi i shpejtë i zbatimit të Reformës në Drejtësi, fillimi i procesit të vettingut për të pastruar njëherë e mirë Pallatin e Drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, e paaftë dhe të lidhur me krimin dhe grupet kriminale do të bëjnë të mundur që lufta kundër krimit të organizuar të rezultojë shumë më e suksesshme.

Kjo nisme e re me siguri nuk do te kete sukses pa mbeshtetjen, kontrollin demokratik dhe bashkërendimin para së gjithash me organin e akuzës.

Një rëndësi të dorës së parë merr dhe reformimi i institucionit të Prokurorisë sipas standarteve më të mira demokratike, në mbështetje të përballjes me kriminalitetin dhe larg instrumentalizimit dhe përdorimit të pushtetit publik, për qëllime të luftës politike.

Ne po presim me padurim krijimin e institucionit të ri të Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Byrosë Kombëtare pranë saj, për të bashkërenduar përpjekjet për realizimin me sukses të kësaj sfide.

Muajt e fundit kemi patur rezultate optimiste në luftën kundër krimit të organizuar, në sekuestrimin e parave të krimit, në disa operacione konkrete kundër krimit, në arrestimin e punonjësve të policisë të implikuar dhe të korruptuar, por ka ardhur momenti që t'i kthejmë këto fitore të vogla në fitore të mëdha dhe të qëndrueshme.

Ndaj, krijimi i kësaj Task Force Speciale me objektiv të fokusuar në luftën kundër grupeve të organizuara kriminale është vetëm fillimi i një rruge, e cila do të ndryshojë rrënjësisht situatën e krimit në Shqipëri.

Mënyra e organizimit të kësaj Njësie, rekrutimi i personelit, trajnimi i tij, mbështetja teknike e partnerëve dhe mbështetja dhe inkurajimi në të gjitha format nga qeveria, mendoj se janë garanci absolute për suksesin e saj.

Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të posaçme Kryeministrin Edi Rama, i cili e ka mbështetur dhe fuqishëm po  e nxit realizimin e kësaj sipërmarrje politike dhe ligjore shumë të rëndësishme.

Miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë gjithashtu janë duke e mbështetur fort këtë projekt shqiptar, të cilit ne sot po i japim udhë.

Takimi dje ne Delegacionin e BE, dhe prania e të gjithë ambasadorëve të vende mike e partnere edhe sot në këtë sallë dëshmon besimin dhe mbështetjen e plotë të tyre ndaj vullnetit politik të kësaj qeverie dhe të Ministrisë së Brendshme për luftë pamëdyshje kundër krimit të organizuar në vend.

Kjo është motivim dhe një përgjegjësi më shumë për mua dhe ekipin tim profesional dhe të mrekullueshëm të Ministrisë dhe Policisë së Shtetit.

Krimi i organizuar i tejkalon kufijtë e një shteti, ai është një problem në rritje në të gjithë botën. Si i tillë nevojitet bashkëpunim dhe operacione të përbashkëta ndërmjet shteteve.

I jemi mirënjohës pa kufi partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët e kanë mirëpritur këtë iniciative dhe po e mbështesin këtë njësi me kapacitete njerëzore, dhe jo vetëm.

Grupet e përbashkëta të personelit policor shqiptar me agjentë të spikatur të FBI, dhe të shërbimeve policore antikrim të Italisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe, shumë shpejt do të prodhojnë rezultate sinjifikative në identifikimin dhe goditjen e anëtarëve, drejtuesve dhe aseteve, kudo qofshin të fshehura, të individëve apo organizatave kriminale.

Të nderuar pjesëmarrës,

Çdo debat dhe retorikë politike, pa thelb, pa ide, pa fakte dhe me akuza bajate ndaj njëri-tjetrit, stimulon një terren të favorshëm për krimin, është imunitet për të, neutralizon Agjencitë e zbatimit të ligjit, i demotivon ato dhe organet e drejtësisë dhe në ndonjë rast edhe si licensë për vazhdim të pashqetësuar të sipërmarrjes kriminale.

Krimi nuk ka ngjyrë. As kombësi. Krimi i organizuar nuk lindi sot. As dje. Ai ka qënë këtu prezent, përball nesh dhe jo rrallë dhe midis nesh. Është rritur e forcuar nga paaftësia apo edhe nga mbështetja e strukturave tona në vite të tëra.

E për këtë mjaft të shohësh kurbën e veprimtarisë në profilet e tyre kriminale, që ne tashmë kemi arritur të ndërtojmë për çdonjërin prej tyre, të shohësh veprat penale të kryera apo lidhjet ndërvepruese që kanë ndërtuar, pikë-takimet apo lidhjet e tyre me njerëz të pushtetit apo me mekanizmat ndërmjetës të tyre si dhe asetet që kanë krijuar, jo për një muaj dhe as për një vit, por për vite tëra.

Ndaj se sa të merremi me bëmat e ketyre banditëve, është më mirë të punojmë se si të bëhemi bashkë për tu përballuar e fituar këtë luftë, jo për partitë, po për vendin, për të ardhmen e tij dhe të fëmijëve tanë.

Ne jemi të gatshëm që, në funksion të realizimit të kësaj sfide, të punojmë me këdo që luftën kundër krimit të organizuar nuk e sheh si çështje qëndrimesh dhe preferencash politike, as si çështje karrigeje për pushtet, por si çështje jetike, për të tashmen dhe për të ardhmen Evropiane të vendit.

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf

Tragjedi në futbollin gjerman, mbytet në liqen futbollisti 16-vjeçar i Fortuna Dusseldorf