TIRANE - Çdo kujt i ka rënë rasti të udhëtojë me autobus, por disa herë e keni marrë biletën e udhëtimin nga fatorino e në raste të tjera jo! Së shpejti kjo praktikë do të marrë fund pasi në "skenë" do të hyjë bileta elektronike e cila do të shmangë mërzinë e qytetarëve ne urban si edhe abuzivitetin e ndeshur deri më tani me biletat.
 
Nisma ligjore e ndërmarrë nga qeveria është depozituar tashmë në Kuvend dhe pritet të nis shqyrtimin ne komisionet parlamentare.
 
Në nenin 21/2 të projektligjit “Çdo udhëtar pajiset me biletë për udhëtimin e përshkruar. Biletat blihen në terminalin e autobusëve, në autobus, në agjenci ose në çdo vend tjetër, të cilit operatori i transportit i ka dhënë të drejtën për shitje. Udhëtari në autobus paraqet biletën e udhëtimit me kërkesë të personit të autorizuar nga operatori i transportit ose të organeve të kontrollit në rrugë.
 
Po sipas kësaj pike modeli i biletave të udhëtimit do të përcaktohet nga ministri përgjegjës për transportin. Biletat mund të jenë me faturë ose elektronike, por në çdo rast përmbajnë të paktën
a) gjatësinë e udhëtimit në km
b) çmimin për km
c) numrin e serisë
ç) emrin e operatorit të transportit
d) datën dhe kohën e nisjes
dh) pjesën e biletës (dëshminë/etiketën) për bagazhin e udhëtarit.
 
Drafti i qeverisë synon të krijojë edhe një regjistër elektronik kombëtar për transportin rrugor, por edhe sistemet inteligjente të transportit rrugor dhe lidhjes me mënyrat e tjera të transportit.
 
Terminali i autobusëve është një tjetër nen i veçantë në projektligj. Në thuhet se vendndodhja e terminalit do përcaktohet me vendim të këshillit bashkiak ndërsa kushtet që duhet të plotësoj terminali i autobusëve, kategorizimi, mënyra e mbajtjes së dokumentacionit dhe detyrimet e tjera të terminalit të autobusëve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
 
Operatorët e terminaleve të autobusëve mund të jenë subjekte publike ose private, të pajisura me autorizim nga kryetari i bashkisë, në përputhje me dispozitat e këtij neni.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)