Ministria e Infrastrukturës dhe Energjitikës i dha dy ditë më parë çertifikatën e ndërtimit të Parkut Eolik të Tropojës kompanisë amerikane CWP Global. Ky investim në vlerë disa qindra milionë dollarë amerikanë është i rëndësishëm për vendin tonë.
Së pari, shton fort kapacitetin e prodhimit të energjisë së gjelbër në vend. Së dyti, forcon praninë e kapitalit amerikan tek ne. CWP grumbulloi informacione dhe pati kontakte për dy vjet tek ne, përpara se sa të ndërmerrte hapin përfundimtar, duke i besuar qeverisë shqiptare.
Cila është kompania CWP?
E themeluar në vitin 2007, kompania amerikane CWP Global me një vëllim punësh prej 25 miliardë USD vitin e kaluar, ka investuar bindshëm në parqet e erës në Evropën Juglindore, duke ndërtuar parkun e parë të erës së Serbisë (Čibuk 1, 158 MW) dhe parkun më të madh të erës në tokë në Evropë (Fantanele-Cogealac, 600 MW).
Kjo kompani e SHBA-ve ka zhvilluar portofolin më të madh të energjisë së rinovueshme në Australi, duke zhvilluar mbi 1.5 GW (gigavat është një mijë megavat-MW) projekte, përpara se t'ia shiste Squadron Energy për 4 miliardë dollarë në vitin 2022.
CWP Evropë po vijon të ndërtojë portofolin më të madh të energjisë së lidhur me rrjetin në Evropën Juglindore, në 10 vende, si në Serbi, Bullgari, Rumani, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Moldavi dhe Ukrainë, me 938 MW të ndërtuara ose në ndërtim e sipër, si dhe me 4 miliardë euro financim.
Parkun e dytë eolik më të madh të Evropës, me kapacitet po 600 MW (praktikisht më shumë se dy hidrocentrale të Vaut të Dejës), kompania synon ta ndërtojë brënda 12 muajsh në Tropojë. Sa është vlera e këtij investimi?
Sipas portalit të njohur SEE News ( në shqip, “Lajme nga Evropa Jug Perëndimore”), lajm i dhënë më 14 tetor 2025, Kompania CWP Europe bëri me dije se ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët mbështetjeje me Komisionin Evropian, Agjencinë e Zhvillimit të Investimeve të Shqipërisë (AIDA) dhe Agjencinë e Promovimit të Investimeve të Malit të Zi, për dy projekte të mëdha të energjisë së pastër në Ballkanin Perëndimor, me vlerë më shumë se 1.1 miliardë euro (1.3 miliardë dollarë).
Marrëveshja, e nënshkruar gjatë Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë po në tetor 2025, përfshin parkun e ardhshëm të energjisë eolike prej 600 MW të CWP në veri të Shqipërisë dhe projektin e sistemit të ruajtjes së energjisë diellore dhe të baterive (BESS) prej 400 MW në jugperëndim të Malit të Zi. Duke patur parasysh se të dyja projektet kanë vlerën 1.1 miliardë euro, kuptohet se Parku Eolik i Tropojës ka një vlerë me qindra milionë euro.
Pse parku i erës i Tropojës është strategjik për ne?
Projekti për ndërtimin e Parkut Eolik të Tropojës me kapacitet 600 MW nga kompania amerikane CWP (CWP Global) përfaqëson një nga investimet më të rëndësishme strategjike në sektorin energjetik shqiptar.
Përmasat e tij, profili i investitorit dhe ndikimi i shumëfishtë ekonomik, mjedisor dhe gjeopolitik e bëjnë këtë projekt jo vetëm një vepër infrastrukturore, por një pikë kthese për modelin e zhvillimit të energjisë në Shqipëri.
Energjia elektrike tek ne është mbështetur historikisht pothuajse tërësisht në hidrocentralet. Kjo varësi e lartë nga reshjet e bën sistemin energjetik të brishtë ndaj ndryshimeve klimatike dhe thatësirave.
Parku eolik i Tropojës do të krijojë një burim alternativ të rëndësishëm, duke ulur varësinë nga hidroenergjia dhe duke rritur sigurinë e furnizimit në periudha të thata. Një kapacitet i tillë prodhimi nga burime të rinovueshme do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e importeve të energjisë, veçanërisht në vitet me prodhim të ulët hidrik.
Kjo do të përmirësojë bilancin tregtar të vendit, do të stabilizojë çmimet për konsumatorët dhe do të forcojë pavarësinë energjetike të Shqipërisë, një objektiv strategjik për çdo ekonomi të vogël dhe të hapur.
Përfshirja e një kompanie amerikane të profilit të CWP Global i jep projektit një dimension të rëndësishëm investimi të huaj direkt.
Parku eolik i Tropojës do të prodhojë energji pa emetime CO₂, duke ndihmuar Shqipërinë në përmbushjen e angazhimeve për dekarbonizim dhe përafrim me politikat energjetike të Bashkimit Europian. Ky projekt e pozicionon vendin si një aktor aktiv në tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër dhe rrit reputacionin ndërkombëtar të Shqipërisë në fushën e energjive të rinovueshme.
Zhvillimi ekonomik i veriut dhe i Tropojës
Nga ana tjetër, ndërtimi dhe operimi i parkut eolik do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale të Tropo, pasi do të krijojë vende të reja pune gjatë fazës së ndërtimit dhe mirëmbajtjes, do të përmirësojë infrastrukturën rrugore dhe elektrike, do të rrisë kërkesën për shërbime lokale (transport, akomodim, ushqim, etj.), si dhe do të sjellë të ardhura për pushtetin vendor, përmes taksave dhe tarifave. Për një zonë si Tropoja, që historikisht ka pasur mungesë investimesh të mëdha, ky projekt përbën një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm.
Komente








