Fatos Çoçoli: Katër premtimet ekonomike që falimentojnë bashkinë Tiranë!

Këto ditë, kandidati i opozitës sonë kryesore në Tiranë ka bërë publike përpara qytetarëve, pesë premtimet e tij ekonomike për katër vitet 2023-2027.

Tabela 1. Premtimet ekonomike të kandidatit kryesor të opozitës në Tiranë
1.Transporti publik falas;
2. Programi për uljen e taksave dhe tarifave për biznesin e ulët dhe të mesëm.
3. Ndërtimi i një nënkalimi në sheshin Skëndërbej;
4. Arsimi, ndërtimi i shkollave dhe çerdheve;
5. Pesëqind oaze të gjelbra.

Njeri prej tyre, i katërti, zhvillimi i arsimit dhe ndërtimi i shkollave dhe çerdheve aty ku ka nevojë, është objektiv dinjitoz dhe që të gjithë kandidatët për një bashki qyteti e synojnë.

Për fat të keq, të katër objektivat e tjerë përmbajnë shumë aventurë brenda tyre dhe, edhe pse për t’u përshëndetur si dëshira, janë të parealizueshëm. Madje, po të vihen në një program konkret të bashkisë Tiranë (dhe jo vetëm bashkisë së kryeqytetit tonë, por edhe qyteteve të tjera), rrezikojnë ta falimentojnë financiarisht atë. Po pse? Le t’i analizojmë me rradhë.

Petulla me shumë ujë e transportit publik falas

Tirana si qytet sot ka 870 mijë banorë. Sipas bilanceve të pesë kompanive private të autobuzëve, që kryejnë transportin publik në kryeqytet, të pesë kompanitë se bashku shesin rreth 18 milionë euro bileta në vit. Duke patur parasysh se abonetë e llojeve të ndryshme në Tiranë japin rreth 6 milionë euro, i bie që kosto e transportit publik në kryeqytet të shkojë çdo vit rreth 24 milionë euro. Dhe jo vetëm 17.6 milionë euro ose 6.8 përqind të buxhetit aktual të bashkisë së kryeqytetit, sa e deklaron kandidati i opozitës. Për të katër vitet e qeverisjes, kosto shkon në 96 milionë euro!

Sipas një studimi të bërë në vitin 2022 nga ekspertët gjermanë të GIZ, Agjencisë Shtetërore Gjermane për Zhvillim, kosto që duhet për të realizuar transport publik falas, duke përfshirë edhe përmirësimet e nevojshme, varion nga 91.5 milionë euro deri në 114.1 milionë euro.

Një shifër e cila është e papërballueshme sot nga financat e Bashkisë së Tiranës. Ekspertët gjermanë vënë në dukje se edhe në ato pak vende apo qytete, të cilat e kanë falas transportin publik, shërbimi ka qenë i subvencionuar më herët në 90 perqind të kostos së tij nga qeveria qendrore dhe në fund, vetëm 10 perqind të kostos e përballojnë bashkitë përkatëse, për ta bërë transportin publik falas.

Tabela 2. Qytetet e pakta në botë me transport publik falas
1.       Qyteti Chambly (Kanada)              - Popullsia 31 mijë banorë
2.       Qyteti Tallinn (Estoni)    - Popullsia 426 mijë banorë
3.       Qyteti Avesta (Suedi)                     - Popullsia 12 mijë banorë
4.       Qyteti Dewsbury (Britani e Madhe)          - Popullsia 64 mijë banorë
5.       Qyteti Perth (Australi)                    - Në një zonë të caktuar me 82 mijë banorë
6.       Qyteti Clemson (SHBA)  - Popullsia 18 mijë banore
7.       Qyteti Marienhamne (Finlandë) - Popullsia 12 mijë banorë

Lind pyetja, ku do t’i gjejë kandidati i opozitës këto para çdo vit, që premton transport publik falas në Tiranë? Ai thotë se ka bërë llogaritë dhe i kanë dalë vetëm 6.8 përqind të parave të buxhetit të bashkisë për një vit. I ka bërë llogaritë gabim. Buxheti rekord i bashkisë së Tiranës për këtë vit është 246 milionë euro. Më shumë se 25 milionë euro që kushton transporti falas për një vit në Tiranë, bëjnë 12 përqind të buxhetit total të Tiranës, dhe jo diçka sa gjysma e tij 6.8%! Opozita jone i ka bërë petullat me ujë. Duhet të heqë ujin dhe të vërë vaj.

Nëse bashkia Tiranë i përkushton gati një të shtatën pjesë të buxhetit të vet shërbimit të ofruar falas të transportit publik për qytetarët, ajo do të rrezikonte shumë, ndoshta edhe falimentimin, pse duhej të merrte borxh për të mbuluar këtë shpenzim. Kosto e këtij shërbimi falas për qytetarët do të ishte e papërballueshme.

Ja përse asnjë nga bashkitë e qyteteve të mëdha të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian, të Gjermanisë, Francës, Italisë, Spanjës, apo të Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve përtej oqeanit, nuk ka guxuar ta ofrojë shërbimin e transportit publik falas. Nuk janë të zgjuar kryetarët e tyre të bashkive? Nuk duan ata vota dhe të rizgjidhen? Sigurisht që po! Por si kryetarët e bashkive të botës së zhvilluar perëndimore, ashtu dhe kandidatët rivalë të tyre në zgjedhjet vendore të vendeve përkatëse, nuk e ofrojnë kurrë një projekt të tillë, pasi kosto e bën të parealizueshëm.

Në kontinentin tonë ka “guxuar” ta ofrojë dy vitet e fundit transportin publik falas vetëm Luksemburgu, i cili, përveçse është shteti më i pasur në botë me 129 mijë euro të ardhura për banor, ka një hapësirë shumë të vogël si shtet dhe vetëm 600 mijë banorë.

Harakiri i heqjes dhe uljes së taksave bashkiake

Janë 33 taksa dhe tarifa vendore në Tiranë. A janë shumë? Sigurisht që janë shumë! Por pa ato, nuk do të kishim këtë Tiranë që shohim sot, me pastrimin çdo ditë në kohë në çdo cep të saj, pavarësisht problemeve të shumta të ndotjes që kemi ende në kryeqytet, si dhe me shkollat, kopshtet dhe çerdhet e reja.

Të marrim vetëm një taksë vendore. Të përgjysmosh taksën e pastrimit, duke i hequr me një të rënë lapsi Tiranës 11.4 milionë euro në vit ose 45.6 milionë euro në katër vjet, me çfarë parash do të pastrosh qytetin? Ja përse ulja me 29.5 milionë euro në vit e taksave dhe tarifave vendore në Tiranë(ose 118 milionë euro në katër vjet), përbën mirëfilli harakiri, vetëvrasje për financat e kryeqytetit!

Tabela 2. Kosto e heqjes dhe uljes së 7 taksave
·         Përgjysmohet tarifa e pastrimit                                        -11.4 mln euro
·         Ulet 30% taksa mbi ndërtesën                                          -8.5 mln euro
·         Hiqet taksa e infrastrukturës arsimore                               -6.6 mln euro
·         Përgjysmohet tarifa e zënies së hapësirës publike          -1.4 mln euro
·         Ulet 30% taksa e tabelës                                                   -  0.9 mln euro
·         Ulet 30% taksa e fjetjes në hotel                                        -  0.29 mln euro
·         Hiqet taksa mbi tokën bujqësore                                         -  0.28 mln euro
TOTALI I TË ARDHURAVE TË MUNGUARA    29 MLN E 534 MIJË EURO NË VIT OSE MBI 118 MILIONË EURO NË 4 VJET

Kosto e minimalizuar e nënkalimit në Sheshin Skënderbej

Një propozim tjetër në formën e dëshirës së mirë, por, për fat të keq, i parealizueshëm si kosto, është ndërtimi i nënkalimit tunel nën Sheshin Skënderbej, për të lehtësuar qarkullimin në qendrën e Tiranës. Opozita thotë se do të kushtojë vetëm 4.5 milionë euro për 200 metra tunel dhe dy rrampa, njëra hyrëse në tunel dhe tjetra dalëse.

Le të merremi vetëm me koston e ndërtimit të tunelit. Tuneli i Thirrës(Kalimashit) në Rrugën e Kombit, me dy korsi, na kushtoi 650 milionë euro për 5.4 kilometra tunel.  Ose 24 milionë euro për 200 metra. Ose mbi pesë herë llogaritë e opozitës! Së bashku me rrampat hyrëse dhe dalëse dhe rrugët e domosdoshme lidhëse, kosto e projektit shkon në të paktën 35 milionë euro.

Le të shohim kosto të projekteve të ngjashme në botë, vetëm të njërit prej tyre.

Tabela 3. Pse nënkalimi mbi sheshin Skënderbej kushton tetë herë më shumë se kosto e deklaruar
·  Në vitin 2021, kompania amerikane “Boring Company” e Elon Musk filloi ndërtimin e tuneleve nën qendrën Convention Center Loop në qytetin Las Vegas. Kosto e 1.6 milje ose 2.5 km nënkalim në Las Vegas u përllogarit 550 mln dollarë ose 22 milionë dollarë për 100 metra.
·         Opozita jonë propozon 200 metra nënkalim për vetëm 4.5 milionë euro ose 4.7 milionë dollarë!
·         NUK ËSHTË E MUNDUR NJË KOSTO KAQ E VOGËL. TETË HERË MË PAK

Burimi: https://electrek.co

Në tërësi, të katër premtimet ekonomike të opozitës për bashkinë Tiranë, për të katër vitet e qeverisjes 2023-2027, do t’i kushtonin bashkisë në të ardhura të munguara dhe heqje e ulje taksash, më shumë se buxheti i saj për një vit! Ose falimentim i garantuar.

Tabela 1. Katër premtimet që falimentojnë bashkinë Tiranë!
Kosto e 4 premtimeve të opozitës në 4 vjet
·         Transport publik falas                                                      96 mln euro
·         Heqja dhe ulja e 7 taksave                                          118 mln euro
·         Nënkalimi në sheshin Skënderbej                               35 mln euro(dhe jo 4.5 mln euro!)
·         500 oaze të gjelbra                                                            15 mln euro
TOTALI          264 mln euro, më shumë se buxheti i bashkisë për një vit, që është 246 mln euro

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Perparim Tushaj: 28/04/2023 05:54

    Nje gje se kuptova, je pro apo kunder projejteve? A sjellin vlera per qytetaret? Parate flejne ne Banka, 5 miljard euro kursime kemi, plus financime tjera...

    Përgjigju
  • minushe: 27/04/2023 15:18

    falimentim po.. por i bejne premtimet se e dine se nuk do fitojne :)

    Përgjigju
  • Shaqo: 27/04/2023 14:54

    Me vjen keq zoti Fatos, per po te besh arithmetiken me stilin 7x7=42, del ndryshe rezultati i llogaritjeve tuaja. Merre mundimin ta besh dhe do shohish rezultatin. Flm

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, sot ishte i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, sot ishte i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen