Muaji prill 2026 shënoi një rekord historik për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, i cili regjistroi mbi 1.13 milionë pasagjerë brenda vetëm këtij muaji. Shifrën mbi 1 milion pasagjerë në muaj nuk e ka arritur asnjëherë  Aeroporti Ndërkombëtar “Nikola Tesla” i Beogradit, edhe pse i shërben një ekonomie tre herë më të madhe se e jona. Ende nuk kanë dalë shifrat e majit, por parashikohet të jetë akoma dhe më mirë.

Ky është tregues i qartë i transformimit të Shqipërisë në një nga destinacionet turistike dhe ekonomike më dinamike të rajonit, si dhe i rritjes së rolit të saj në rrjetin europian të transportit ajror. Ky rekord nuk është thjesht një sukses i aeroportit dhe i qeverisë shqiptare që në vitin 2019 besoi tek projekti i një kompanie vendase, por një pasqyrim i zhvillimeve pozitive të vendit në turizëm, ekonomi, investime dhe në lëvizjet jashtë shtetit të shqiptarëve.

Tabela 1.  Rinasi, prill 2026

-         1 milion e 133 mijë pasagjerë
-          87 destinacione fluturimi
-          28 shtete ku fluturohet
-          23 kompani ajrore
-          6,724 fluturime(+24% nga prilli 2025)

Po cilat janë arsyet kryesore të rritjes së numrit të pasagjerëve? Ato janë shumë. Po rendisim tre kryesoret.

Rritja e fortë e turizmit tek ne

Shqipëria vazhdon të fitojë popullaritet në tregjet europiane dhe më gjerë si një destinacion me me kosto konkurruese, me natyrë të larmishme, me njerëz mikripitës që dinë gjuhë të huaja, me vijë bregdetare tërheqëse dhe me trashëgimi kulturore dhe historike të pasur.

Vitet e fundit, media prestigjioze dhe platformat ndërkombëtare të udhëtimeve e kanë renditur Shqipërinë ndër destinacionet më të preferuara dhe më ekonomike në Europë dhe botë. Me investimet në infrstrukturën rrugore, vendi përshkruhet më shpejt dhe më lehtë.

Një faktor i rëndësishëm në shtimin e fortë të turizmit ka qenë hyrja e linjave të reja ajrore, sidomos atyre me kosto të ulët, shtimi i frekuencave të fluturimeve ekzistuese dhe zgjerimi i destinacioneve direkte nga Tirana.

Konkurrenca mes kompanive ajrore ka sjellë më shumë vende fluturimi në dispozicion, bileta më të lira dhe akses më të madh për turistët dhe emigrantët.

Tabela 2. Pasagjerët e aeroporteve kryesore në rajon 2025

-          Aeroporti “Nënë Tereza”, Tiranë        11.6 milionë pasagjerë
-          Aeroporti “Nikola Tesla”, Beograd    8.9 milionë pasagjerë
-          Aeroporti “Adem Jashari”, Prishtinë 4.6 milionë pasagjerë
-          Aeroporti “Petrovec”, Shkup 3,2 milionë pasagjerë
-          eroporti “Butmir”, Sarajevo 2.2 milionë pasagjerë
-          Aeroporti “Golubovci”, Podgoricë     1.8 milionë pasagjerë

Kompanitë me kosto të ulët kanë luajtur rol vendimtar në rritjen e trafikut ajror. Përfitimet kryesore janë ulja drastike e e çmimit të biletave(tre herë më lirë mesatarisht, që nga viti 2018), rritja e numrit të udhëtimeve turistike dhe shtimi i fundjavave turistike nga vendet europiane drejt Shqipërisë.

Nga ana tjetër, Diaspora shqiptare në Itali, Greqi, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër dhe SHBA vijon të ketë ndikim të madh në trafikun ajror të Shqipërisë. Periudhat festive dhe udhëtimet familjare kontribuojnë ndjeshëm në rritjen e numrit të pasagjerëve.

Tabela 3. Rinasi, fluturimet 2019-2025

-          2019:                     28,270 fluturime
-          2025:                     69,896 fluturime (2.5 here me shume)

2018, aeroporti më i shtrenjtë i Evropës! 2025, aeroport me kosto mesatare të biletave 300% më lirë së 2018!

Investimet e viteve të fundit në Aeroportin e Rinasit kanë sjellë zgjerim të terminaleve, kapacitete më të mëdha pritëse, procedura më të shpejta operacionale dhe përmirësim të cilësisë së shërbimit.  Kjo ka bërë të mundur përballimin e flukseve gjithnjë e më të mëdha të udhëtarëve.

Tabela 4. Rinasi, investimet 2023-2025

·         Investim total mbi 150 mln euro
·         Terminali i ri i mbërritjeve 15 000 m2
·         Terminali i ri do të arrijë 100 000 m2
·         Zona Komerciale 14 000 m2
·         Zgjerimi i kontrollit kufitar me mbi 20 porta elektronike
·         Implementimi i programit Fast Track

Çdo turist që mbërrin në Shqipëri shpenzon për akomodim, ushqim, transport, argëtim dhe blerje. Mbi 1.1 milionë pasagjerë në një muaj përkthehen në qarkullim të konsiderueshëm financiar për ekonominë shqiptare. Përfitojnë drejtpërdrejt hotelet, restorantet, agjencitë turistike, bizneset e transportit, qendrat tregtare dhe shërbimet rekreative. Kjo krijon më shumë të ardhura dhe vende pune tek ne.

Nga ana tjetër, Fluksi i lartë i turistëve dhe udhëtarëve është sinjal pozitiv për investitorët vendas dhe të huaj. Ai nxit investimet në hoteleri, resorte turistike, transport, pasuri të paluajtshme dhe shërbime moderne.

Shqipëria si qendër rajonale e transportit ajror

Rritja e trafikut në Aeroportin Ndëkombëtar të Rinasit forcon pozicionin e Shqipërisë si portë hyrëse në Ballkanin Perëndimor, nyje lidhëse mes Europës dhe rajonit, si dhe qendër e re turistike dhe ekonomike.

Numri në rritje i fluturimeve dhe pasagjerëve, nga ana tjetër afron Shqipërinë me tregjet europiane, lehtëson biznesin dhe investimet dhe rrit lëvizshmërinë e qytetarëve.

Regjistrimi i mbi 1.1 milionë pasagjerëve në prill 2026, muaji më i ngarkuar në historinë e Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, është një tregues i fuqishëm i rritjes së turizmit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit ndërkombëtar të Shqipërisë.

Ky rekord pasqyron suksesin e politikave të Ministrisë së Infrastrukturës, të sektorit turistik, shtimin e ndjeshëm të lidhjeve ajrore, zgjerimin e investimeve dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në rajon.

Nëse trendi aktual vazhdon dhe shoqërohet me investime të reja në infrastrukturë dhe shërbime, Shqipëria ka potencialin të konsolidohet si një nga destinacionet turistike dhe qendrat më dinamike të transportit ajror në Europën Juglindore.