Fatos Klosi: Avioni, inskenim
i Berishës hetim deri në fund

Fatos Klosi: Avioni, inskenim<br />i Berishës hetim deri në fund
TIRANE- Ish-Shefi i SHISH-it, Fatos Klosi i ftuar në “A1 Report” ka deklaruar se historia e avionit me drogë të rrëzuar në Divjakë është dukshëm një histori e trilluar dhe një inskenim. Klosi ka kujtuar edhe eksperienca të mëparshme të ngjashme me “inskenimin e avionit në Divjakë”, që ish-kryeministri Berisha ka ndërtuar në kohën kur drejtonte Shërbimin Informativ. "Nuk do të çuditesha në qoftë se ky rast do të dilte inskenim,” - theksoi Klosi, – "kjo është shprehja më e saktë që mund të përdorë përsa kohë që i referohem vetëm medias si gjithë qytetarët. Por gjëja e parë që të vjen në mend kur dëgjon këtë histori, është se kush ka interes që të ndodhë? Pse? E them këtë pasi u bë një fushatë para dy javësh në Kuvend, u përfshi gjithë opozita, ish-Kryeministri dhe u bë shumë zhurmë.

Aty u fol për implikimin e Ministrisë së Mbrojtjes në trafikun e drogës. Por, është absurde ta mendosh, sepse Ministria e Mbrojtjes ka një numër të madh njerëzish ku vështirë se mund të rrinte tërë ky sekret. Edhe sikur t'i ishte thyer rrota, ai aeroplan nuk mund të ishte ngritur dot më në atë rërë, se aty duhet shpejtësi ndaj mua më duket e sajuar që ai avion të ngecte aty. Ai ishte atje për të përligjur ato deklarata aq të forta që u bënë në Kuvend për drogën. Automjeti me drogë ishte shumë më i thjeshtë për t’u gjendur aty, kurse avioni kërkonte ca punë. Nëse "xhipi" e pa që avioni u ul, nuk kishte pse afrohej fare aty. Pra ka një konfuzion informacioni, që mua më bën përshtypje shumë të keqe. Mendoni që një pilot me eksperiencë të ngecë aty, përveçse ta bëjë qëllimisht.

Unë kam eksperienca shumë me ish-Kryeministrin që sajonte gjëra dhe nuk çuditem sot, kur shoh edhe Lul Bashën që “trash zërin”, nënvizoi Klosi. Pra, fjala e saktë do ishte: "Nuk do të çuditesha në qoftë se do të dilte inskenim, se e prisja këtë gjë. Kjo është një çështje në proces hetimor dhe unë nuk di më shumë se thonë mediat. Unë dëgjova sot Drejtorin e Policisë që jepte të dhëna, por nuk tregonte se kush fshihej pas atyre. Problemi na fillon me një njeri të papunë, që na vjen në Shqipëri të nxjerrë ca para. Pra, çështja është mjaft sipërfaqësore. Unë do doja që Prokuroria t’i shkonte deri në fund, jo vetëm për 400 kg që u kapën, por për gjithë tymnajën që u krijuan, për xhestin ekstrem të kërkesës së dorëheqjes së Qeverisë. Pra, kush ishte i interesuar për ta krijuar këtë tymnajë,"- vërejti ai.

 "Unë nuk di që të bëhet kaq kollaj transportimi i një sasie të tillë droge, sepse kushton. Edhe ardhja e këtij njeriu është e habitshme, një njeri që vjen në Divjakën që nuk e njeh fare. Pa u arrestuar tamam, ai i thotë Policisë se unë kam transportuar drogë dhe e kam hedhur këtej e andej. Pra, ata që e kanë përgatitur, me siguri i kanë mësuar edhe çfarë do të thotë.E rëndësishme në këtë moment është që Evropa po e shikon se si po përplaset opozita me Qeverinë, se sa shumë baltë po i hedhin asaj, në një kohë kur priten vendime të rëndësishme.

Ata po e përdorin këtë rast si "kalin e betejës". Të thuash që Policia është e përfshirë në trafikun e drogës, apo Ministria, apo Kryeministri e Ministri i Brendshëm, është absurde dhe ata i kanë hyrë një rruge të gabuar. Lidhur me protestën e nesërme jam kurioz të shoh si e kanë organizuar", u shpreh Klosi dhe, duke përfunduar, pyetjes se a shpreson që kjo çështje të zbardhet, Klosi ju përgjigj me mosbesim:

“Kam frikë se kjo çështje nuk do të zbardhet sepse në Shqipëri ka shumë ngjarje pezull. Po vrasja e Azemit, a nuk është e pazbardhur?! Po vrasja e 26 personave në Gërdec?! Po 21 Janari?! Pra, ka shumë “pezull” në Shqipëri që nuk janë zgjidhur. Unë uroj që kësaj çështjeje t’i shkohet deri në fund, se do zbulohen gjëra më të mëdha se 400 kg drogë, por nuk besoj”, u shpreh Klosi.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Eduard Zaloshnja: Pavarësisht nga data e zgjedhjeve, votimi i emigrantëve duhet të mundësohet!

Eduard Zaloshnja: Pavarësisht nga data e zgjedhjeve, votimi i emigrantëve duhet të mundësohet!