Fatura kromi për duhan, reagon Xhevdet Hyseni: Ja e vërteta e kallëzimit, prokuroria dhe gjykatat rrëzuan Gazmir Sardin

Fatura kromi për duhan, reagon Xhevdet Hyseni: Ja e vërteta e kallëzimit, prokuroria dhe gjykatat rrëzuan Gazmir Sardin

Xhevdet Hyseni dhe biznesmeni turk Fethi Kaya

Ish ekonomisti i kompanisë ‘Sardi’ shpk, Xhevdet Hyseni ka reaguar pas kallëzimit në SPAK që ka bërë Gazmir Sardi, i cili pretendon se Hyseni i ka hapur disa kompani fantazmë në emrin e tij, të gruas dhe kushëririt, në fshehtësi, me qëllim lëshimin e faturave fiktive, futjen në tendera dhe një sërë veprimesh të treta të paligjshme, me qëllim fitimin. Në reagim, Xhevdet Hyseni sjellë një historik të të gjitha vendimeve për këtë çështje nga Prokuroria e Durrësit, Gjykata e Shkallës së Parë deri tek vendimi i Gjykatës së Lartë. Sipas Hysenit dhe përfaqësuesve të tij, gjykatat kanë rrëzuar pretendimet e Sardit, sa i takon hetimeve për këtë çështje, pasi nuk ka një proces gjykimi dhe ngritje akuze.

Reagimi i plotë i përfaqësuesve të Xhevdet Hysenit

1. Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës (në vijim prokuroria) mbi bazën e kallëzimit penal të bërë nga shtetasi Gazmir Sardi ka regjistruar procedimin penal nr. 676, datë 24.04.2017, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, prokuroria ka paraqitur në gjykatë, kërkesën për pushimin e çështjes penale nr. 676, datë 24.04.2017, në lidhje me veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, sipas neni 180 të Kodit Penal, ndaj shtetasit Xhevdet Hyseni.

2. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin penal nr. 68/659, datë 16.06.2020, ka vendosur: “Mospranimin e kërkesës të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Kthimin e akteve të çështjes penale të mësipërme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për vazhdimin e hetimeve të çështjes penale nr. 678, datë 24.04.2017 ndaj shtetasit Xhevdet Hyseni dhe kryerjen e veprimeve hetimore të përcaktuara në vendimin penal të mësipërm brenda një afati prej 6 (gjashtë) muaj që fillon nga dita e marrjes formë të prerë të vendimit.” Çështja penale e mësipërme është shqyrtuar dhe nga Gjykata e Apelit Durrës, që me vendimin e datës 14.10.2020 ka disponuar për: “Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 68/659, datë 16.06.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës”.

3. Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës ka vazhduar hetimet për çështjen penale të mësipërme dhe për kryerjen e veprimeve hetimore të domosdoshme, sipas urdhërimeve të përcaktuara në vendimin nr. 68/659, datë 16.06.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Në këtë vendim, gjykata e seancës paraprake ka përcaktuar një sërë veprimesh hetimore, të vlerësuara si të domosdoshme për sqarimin e plotë të rrethanave të faktit dhe të pretendimeve që ka parashtruar në kallëzimin penal shtetasi Gazmir Sardi.

4. Në datë 24.05.2021, prokurori i çështjes ka paraqitur në gjykatë kërkesën për zgjatjen e afatit të hetimit për procedimin penal nr. 676, datë 24.04.2017 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale ‘Fshehja e të ardhurave’, parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal, për një afat 6 (gjashtë) mujor. Kjo zgjatje e afatit të hetimeve është argumentuar me kompleksitetin të çështjes dhe vështirësitë që kanë rezultuar gjatë hetimeve, ku është vlerësuar e nevojshme edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore për sqarimin e plotë të gjithë rrethanave të çështjes penale

5. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës me vendimin nr. 11-2021-3344 (659/1), datë 28.05.2021 ka vendosur:

“Pranimin e kërkesës të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. 2. Zgjatjen e afatit të hetimit për procedimin penal nr. 676, datë 24.04.2017 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të ‘Fshehja e të ardhurave’, parashikuar nga neni 180 të Kodit Penal ndaj shtetasit Xhevdet Hyseni për një afat 6 (gjashtë) muaj. 3. Një kopje e këtij vendimi i dërgohet Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. 4. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Durrës”.

6. Kundër këtij vendimi ka ushtruar ankim kallëzuesi Gazmir Sardi, i cili ka kërkuar ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, dërgimin e akteve të procedimit penal pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Në ankimin e tij, kallëzuesi ka theksuar se nuk është dakord me kërkesën e organit të akuzës për zgjatjen e afatit të hetimit të këtij procedimi penal, si dhe me vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Kallëzuesi ka pretenduar se, kjo çështje duhet të dërgohet pranë SPAK, pasi veprat penale për të cilat është ushtruar kallëzim janë në kompetencë të asaj prokurorie.

7. Gjykata e Apelit Durrës me vendimin nr. 10-2021-1315-(187), datë 13.07.2021 ka vendosur: “Mospranimin e ankimit të bërë nga shtetasi Gazmir Sardi ndaj vendimit penal nr.(11-2021-3344) 659/1, datë 28.05.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit”.

7.1. Gjykata e Apelit Durrës ka arsyetuar se: “... Ankimi i shtetasit Gazmir Sardi i cili mban cilësinë procedurale të kallëzuesit në këtë procedim penal, nuk duhet të pranohet pasi, ai nuk legjitimohet të ushtrojë ankim kundër këtij vendimi, që ka për qëllim kryerjen e një hetimi të plotë e të gjithanshëm, pikërisht të fakteve të kallëzuara dhe vetë detyrave të caktuara me parë nga gjykata me vendim. Në këtë rast, në bazë të përcaktimeve procedurale, kallëzuesi nuk ka legjitimim që të ushtrojë ankim ndaj këtij vendimi, e për rrjedhojë ankimi i tij nuk duhet pranuar. Afati i hetimit cenon të drejtat procedurale të personit nën hetim, i cili në këtë rast nuk ka ushtruar ankim.  Nga ana tjetër, kërkimi në ankim për kalimin e akteve SPAK, është tërësisht e pabazuar pasi, çështja penale është në hetim e sipër dhe është vetë organi i akuzës që ka atributin ligjor që të vlerësojë faktet dhe njoftimet që do t’i rezultojnë nga provat, me qëllim cilësimin e tyre ligjor dhe në fund përcaktimin dhe të lëndës që rezulton nga hetimi.

8. Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës, ka paraqitur rekurs më datë 12.10.2021, kallëzuesi Gazmir Sardi me anë të avokates së zgjedhur prej tij. Rekursi i është komunikuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Apelit Durrës. Nga aktet rezulton se, me shkresën nr. 3430/1 prot, datë 14.10.2021 Kancelari i Gjykatës së Lartë ka kthyer këtë rekurs pa veprime, pasi konform ligjit procedural penal akti i ankimit (në rastin konkret rekursi) depozitohet në sekretarinë e gjykatës që ka dhënë vendimin e ankimuar/rekursuar.  Në rrethanat e sipërcituara, rekursi ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit Durrës është depozituar në datë 01.11.2021 sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale (në vijim KPP) për paraqitjen e rekursit.

8.1. Rekursuesi Gazmir Sardi kërkon nga Gjykata e Lartë, në bazë të nenit 441 germa ‘c’ të KPP, prishjen e vendimit nr. 10-2021 1315 (187), datë 13.07.2021 të Gjykatës së Apelit Durrës dhe kthimin e akteve për rishqyrtim. Në mënyrë të përmbledhur në rekurs janë parashtruar këto shkaqe:

- Gjykata e Apelit Durrës ka marrë një vendim në kundërshtim me ligjin dhe në zbatim të gabuar të ligjit penal. Konstatohet se, rekursi i paraqitur nga ankuesi Gazmir Sardi përmban shkaqe nga ato të parashikuara në nenit 432/1/a të KPP.

- Relatorja e trupit gjykues gjatë gjykimit në apel konkretisht, kishte pengesa ligjore për të gjykuar çështjen konkrete ndaj së cilës po paraqesim rekursin. Ky gjyqtar i trupit gjykues duhet të hiqte dorë nga gjykimi i çështjes, pasi kishte marrë pjesë në gjykimin e ankimit të bërë nga prokuroria në të njëjtën çështje. Prandaj, kërkojmë nga Gjykata e Lartë prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve për rishqyrtim në Gjykatën e Apelit Durrës me tjetër trup gjykues.

- Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës nuk ka bërë asnjë hetim. Nuk ka zbatuar tre vendime të gjykatës së apelit, konkretisht vendimin nr. 30, datë 09.02.2017, vendimin nr. 214, datë 14.10.2020, dhe vendimin nr. 15, datë 17.01.2019. Kallëzimi nr. 676, date 24.04.2017 nuk është bërë nga shtetasi Gazmir Sardi. Ky kallëzim penal është një kallëzim kriminal, që prokuroria ka devijuar hetimet kur ky fakt është vërtetuar nga gjykata e apelit.

- Prokuroria ka falsifikuar dosjen 755/2012, dosjen 3164/2015, dosjen 766/2017. Këto dosje janë të falsifikuara dhe kanë qenë në shërbim të kryerjes së të gjithë skemës kriminale në bashkëpunim midis prokurorisë, drejtorisë të tatimeve, task forcave.

- Pas shfuqizimit të vendimit të mosfillimit penal del se, Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal nr. 676, date 24.04.2017, për veprën penale të ‘Fshehja e të ardhurave’ e parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal dhe hetimet kane vazhduar për këtë vepër penale dhe jo për “Pastrim i produkteve të veprës penale”. Prokuroria nuk ka realizuar detyrat e lëna nga Gjykata e Apelit Durrës që me vendimin nr. 15, datë 17.01.2019, ku është vendosur: “Ndryshimi i vendimit nr. 5836/840, datë 15.11.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Kthimin e akteve të procedimit penal nr. 676, të vitit 2017 dhe vazhdimin e hetimeve nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës sipas drejtimeve të përcaktuara në pjesën arsyetuese të këtij vendimi brenda një afati 3 (tre) mujor nga data e marrjes së akteve”.

Vlerësimi i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë

9. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë (në vijim Kolegji) konstaton se, rekursi i kërkuesit Gazmir Sardi është depozituar brenda afatit të parashikuar në ligj, duke filluar llogaritja nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të gjykatës së apelit (pika 1 e nenit 435 të KPP). Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Durrës dhe personi nën hetim Xhevdet Hyseni janë njoftuar për rekursin më datë 02.11.2021.

10. Shkaqet e rekursit parashikohen në nenin 432 të KPP. Në pikën 1 të kësaj dispozite parashikohet se, rekursi kundër vendimit të gjykatës së apelit mund të bëhet kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji material ose procedural i cili është me rëndësi për njësimin ose zhvillimin e praktikës gjyqësore; kur nuk është respektuar ose është zbatuar gabim ligji procedural me pasojë pavlefshmërinë e vendimit, pavlefshmërinë absolute të akteve ose papërdorshmërinë e provave; ose kur vendimi i ankimuar vjen në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

11. Kolegji konstaton se vendimi për zgjatjen e afatit të hetimit është marrë nga gjyqtari i seancës paraprake, i cili kishte disponuar për kthimin e çështjes dhe vijimin e hetimeve.  Në zbatim të nenit 332/ç të KPP rezulton se, prokuroria nuk ka rritur të plotësojë hetimet brenda afatit të përcaktuar nga gjykata e shkallës së parë/gjyqtari i seancës paraprake. Në këto rrethana, rezulton se është paraqitur kërkesa për zgjatjen e afatit të përcaktuar nga gjyqtari i seancës paraprake, me vendimin nr. 68/659, datë 16.06.2020.

12. Kolegji vlerëson se, asnjë nga pretendimet e ngritura në rekurs nga rekursuesi Gazmir Sardi nuk i referohet asnjë prej shkaqeve të parashikuara nga neni 432 i KPP.  Gjykata e Apelit Durrës me të drejtë ka vlerësuar se rekursuesi nuk legjitimohet të ushtrojë ankim ndaj vendimit të marrë nga gjyqtari i seancës paraprake. Pretendimet e parashtruara në rekurs nuk evidentojnë ligjin penal material apo procedural që është zbatuar gabim, e lidhur me rëndësinë që ky moszbatim ka për njësimin apo zhvillimin e praktikës gjyqësore; nuk është evidentuar ndonjë shkelje e ligjit me pasojë në vlefshmërinë e vendimit (nuk janë as shkaqe që lidhen me mosrespektimin e ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e akteve apo papërdorshmërinë e provave); si dhe nuk evidentohet që vendimi të jetë në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë.

13. Kolegji konstaton se, pretendimet për njëanshmëri të trupit gjykues nuk qëndrojnë, ndërkohë që rekursuesi nuk ka parashtruar asnjë pretendim për gjyqtaren relatore, në momentin e shpalljes së përbërjes së trupit gjykues që ka shqyrtuar këtë çështje në gjykatën e apelit.  Për sa më lart arsyetoi, Kolegji konkludon se rekursi i paraqitur nga shtetasi Gazmir Sardi, kundër vendimit me nr. 10-2021-1315 (187), datë 13.07.2021, të Gjykatës së Apelit Durrës, nuk duhet të pranohet.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut

Sot sondazhi i fundvitit në Report Tv/ Si ndahen mandatet në 5 qarqet më të rëndësishme! Çfarë mendojnë shqiptarët për mbylljen e TikTok-ut