Presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi formimin e një "Bordi të Paqes" për Gazën, teksa ka hyrë në fuqi faza e dytë e planit me 20 pika.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Trump u shpreh se si kryetar i Bordit të Paqes, ka mbështetur një qeveri palestineze, e cila do të jetë e përkushtuar për një të ardhme paqësore.
Sipas presidentit Trump, Hamasi duhet të respektojë angazhimet, duke kthyer të gjitha pengjet izraelite dhe duke vazhduar demilitarizimit e plotë.
Trump shtoi se populli i Gazës ka vuajtur mjaftueshëm dhe tani është koha e paqes.
"Siç njoftoi Steve Witkoff, ne kemi hyrë zyrtarisht në fazën tjetër të Planit të Paqes prej 20 pikash të Gazës! Që nga Armëpushimi, ekipi im ka ndihmuar në shpërndarjen e niveleve rekord të ndihmës humanitare në Gaza, duke arritur tek civilët me shpejtësi dhe shkallë historike. Edhe Kombet e Bashkuara e kanë njohur këtë arritje si të paprecedentë. Këto rezultate kanë përgatitur terrenin për këtë fazë tjetër.
Si Kryetar i Bordit të Paqes, unë mbështes një Qeveri Teknokratike Palestineze të sapoemëruar, Komitetin Kombëtar për Administrimin e Gazës, të mbështetur nga Përfaqësuesi i Lartë i Bordit, për të qeverisur Gazën gjatë tranzicionit të saj. Këta udhëheqës palestinezë janë të përkushtuar pa u lëkundur për një të ardhme paqësore!
Me mbështetjen e Egjiptit, Turqisë dhe Katarit, ne do të sigurojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse për demilitarizim me Hamasin, duke përfshirë dorëzimin e të gjitha armëve dhe çmontimin e çdo tuneli. Hamasi duhet të respektojë menjëherë angazhimet e tij, duke përfshirë kthimin e trupit të fundit në Izrael, dhe të vazhdojë pa vonesë drejt demilitarizimit të plotë. Siç e kam thënë edhe më parë, ata mund ta bëjnë këtë në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë. Populli i Gazës ka vuajtur mjaftueshëm gjatë. Koha është tani. Paqe përmes forcës.", shkruan Trump në Truth Social.
Komente








