Fazlliç rikthehet në
Bosnje me Tom Rixhin

Fazlliç rikthehet në <br />Bosnje me Tom Rixhin
Rikthim në vendin e krimit!”, kështu e ka cilësuar daljen në publik në Sarajevë të biznesmenit Damir Fazlliç këto ditë shtypi vendas. „I arratisuri dhe i kërkuar nga institucionet e Drejtësisë, kontrabandisti boshnjak Damir Fazlliç është kthyer në vendin e ngjarjes. Ditën e premte, më 27 prill 2012, pothuajse gjatë gjithë ditës, ai ka shëtitur në rrugët e Sarajevës, në shoqërinë e sponsorëve të tij politike të partisë socialdemokrate dhe natën vonë është parë në bar-kafe “Bagdad” të kryeqytetit, sëbashku me drejtorin e Korporatës Elektroenergjetike të Bosnjes Elvedin Grabovic, i cili është kthyer në një partner të pazëvendësueshëm strategjik të Fazlliçit për rishitjen e energjisë elektrike”, njofton sajti online në internet “24 sata”. Fazliç “u faneps” në Sarajevë edhe një vit më parë, kur qeverinë federative e mori koalicioni i drejtuar nga miqtë e tiij politikë të partisë socialdemokrate. Falë mbështetjes politike të PSD, Fazlliçi në Korporatën Elektroenergjetike u shfaq si një kryestrateg biznesi dhe ndërmjetës thelbësor në shitjen e energjisë së tepërt elektrike jashtë Bosnjes, duke siguruar miliona euro.

Lobimet
Nga ana e saj, gazeta “Vijesti” shkruante se “ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje-Hercegovinës, Zllatko Llagumxhija, ka pritur më 27 prill 2012 presidentin e kompanisë “Ridge Global”, Tom Ridge, ish-këshilltar presidencial i Xhorxh Bushit për Sigurinë Kombëtare. Kjo është pohuar në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Është e pamundur që ministri i Jashtëm të jetë aq naiv apo i painformuar lidhur me atë, se Tom Ridge është një politikan i dështuar dhe i larguar nga administrata e Bushit pas sulmeve të shumta terroriste, që treguan se ai ishte krejtësisht i paaftë.

Tom Ridge është një ndër lobistët e shumtë që zbarkuan në Ballkan, pasi e shporrën nga administrata amerikane, krijoi këtu një kompani private dhe u shet politikanëve të korruptuar në Serbi, Bosnje-Hercegovinë dhe Shqipëri lidhje në Amerikë. Aferat e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij, sidomos në Shqipëri, Rumani, Serbi dhe Kosovë, mund t’i mësosh lehtësisht në internet.

Bashkëpunëtorët dhe organizatorët e tij në Ballkan janë Damir Fazlliç dhe Vojin Lazareviç, pronar i “Rudnap”-it, i cili së fundmi i ka shitur Korporatës Elektroenergjetike të Bosnjes energji gjithnjë e më të shtrenjtë, të cilën ai me drejtorin e Korporatës Elvedin Grabovic ja rishitën degës në Mostar, duke realizuar fitime kolosale. Ky qark mafioz po hetohet nga ana e organeve të akuzës, sipas fjalëve të burimeve të mirinformuara nga qeveria federative.
Në çdo rast, takimi i Grabovicit dhe Fazlliçit, si dhe pritja e përzemërt e Tom Ridge-it nga ministri i Punëve të Jashtme të Bosnje-Hercegovinës, janë lëvizje të tjera në vazhdim të aferave të paligjshme dhe të dyshimta”.

Mashtrimet
“Në karrierën e tij, jo më shumë se 15-vjeçare, Fazlliçi ka themeluar dhe falimentuar 20 kompani të tilla të sajuara në Ballkan, përmes të cilave ka lidhur kontrata dhe u është fshehur organeve gjyqësore”, komenton në “Sllobodna Bosnja” Asim Metiljeviç. Kjo gazetë ka siguruar dokumentacion të shumtë që tregon se si Fazlliçi, duke shfrytëzuar mbështetjen e fuqishme politike, në shkëmbim të një shërbimi të pakryer konsulence për Fabrikën e Duhanit të Sarajevës, ka marrë një shpërblim përrallor prej 250 mijë dollarësh amerikanë, të cilin nuk e theu kurrë, ndërkohë që gjyqësori e kërkon “në adresë të paditur” dhe ai bredh nëpër Sarajevë lirshëm.

Mbreti i pakurorëzuar i energjisë elektrike në Bosnje dhe partneri strategjik i partisë socialdemokrate në sektorin elektroenergjetik Damir Fazlliç që prej 11 vjetësh u shmanget “me sukses” institucioneve gjyqësore në Bosnje-Hercogovinë, që e akuzojnë për mashtrim dhe vjedhje të parave nga kompani shtetërore dhe publike, shkruan gazeta.

(gk/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës

Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare: Ai është i shqetësuar nga përshkallëzimi i konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës