FBI: Krimet e urrejtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arrijnë nivele rekord

FBI: Krimet e urrejtjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës arrijnë nivele rekord

Protestues në SHBA

Numri i krimeve të urrejtjes në Shtetet e Bashkuara u rrit në mënyrë dramatike gjatë vitit 2021, duke shënuar një rekord të ri prej 11 mijë incidentesh, thuhet në një publikim shtesë të FBI-së që plotëson raportin e saj të përvitshëm për krimet e urrejtjes.

Në këtë material përditësues thuhet se pati 10,840 incidente krimesh urrejtjeje të raportuara për vitin 2021, një rritje kjo prej 31% nga 8,263 të raportuara në vitin pararendës. FBI-ja kishte raportuar fillimisht 7,262 krime të tilla, bazuar në të dhëna jo të plota.

Rritja në një vit e krimeve të urrejtjes është më e larta në mbi tre dekada, thotë Brian Levin, drejtor i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, San Bernardino.

“Kjo përfaqëson epokën e re tmerruese në të cilën gjendemi, me nivele të rritura historike pas shumë vitesh, dhe një rekord tashmë të ri të vitit 2021”, i tha Zërit të Amerikës zoti Levin gjatë një interviste.

Rritja e madhe në numrin e krimeve të urrejtjes u nxit nga një “shpërthim i urrejtjes raciale”, sipas përkufizimit të zotit Levin.

Krimet e urrejtjes ndaj afrikano-amerikanëve u rritën me 14%, në 3,277 incidente. Incidentet e bazuara tek paragjykimi kundër aziatikëve u rritën me 167%, në 746, ndërsa incidentet kundër të bardhëve u rritën me 27%, në shifrën 1,107.

FBI-ja publikoi raportin e saj për krimet e urrejtjes në dhjetor, me 7,262 incidente për vitin 2021. Por, raporti mbështetej në të dhëna jo të plota, pasi rreth 4 mijë agjenci të zbatimit të ligjit nuk kishin arritur të fillonin përdorimin e një sistemi të ri të FBI-së për mbledhjen e të dhënave.

Për të ofruar një pamje më të saktë të krimeve të urrejtjes gjatë vitit 2021, FBI-ja në vazhdim pranoi të dhënat e mbledhura sipas sistemit të vjetër nga rreth 3 mijë agjenci, tha një zyrtar i lartë i FBI-së.

“Ndihmoi veçanërisht për këtë raport informacioni që morëm nga agjenci të zbatimit të ligjit që përfaqësojnë popullsi më të mëdha dhe me karakteristika më diverse”, tha zyrtari gjatë një telefonate me gazetarët, me kusht ruajtjen e anonimitetit.

Ndër këto agjenci të mëdha përfshihen departamente policie në Nju Jork, Çikago dhe Kaliforni, tha zyrtari.

FBI-ja e përkufizon krimin e urrejtjes si një vepër penale "të motivuar, tërësisht ose pjesërisht, nga paragjykimet e shkelësit kundër një race, feje, paaftësie, orientimi seksual, etnie, gjinie ose identiteti gjinor".

Raporti vjetor i byrosë përdoret gjerësisht nga forcat e zbatimit të ligjit, hartuesit e politikave, ekspertët dhe udhëheqësit e komunitetit si një pasqyrë e krimeve të urrejtjes në Amerikë.

FBI thotë se sistemi i saj i ri i mbledhjes së të dhënave, i njohur si NIBRS, kap më shumë detaje dhe kontekst rreth krimit, përfshirë ditën dhe orën e një krimi të caktuar dhe marrëdhënien e viktimës së tij me sulmuesin, duke u mundësuar kështu departamenteve të policisë ta luftojnë krimin në mënyrë më efektive.

Për raportin e saj të përditësuar të vitit 2021 për krimet e urrejtjes, FBI thotë se ka marrë të dhëna nga 11,883 nga 18,812 agjencitë e zbatimit të ligjit në vend.

Zyrtari i FBI-së tha se "pjesëmarrja e agjencive për vitin 2022 tashmë ka tejkaluar shifrat për vitin 2021".

Raporti i FBI-së për krimet e urrejtjes për vitin 2022 pritet të dalë në vjeshtë. Të dhënat paraprake të policisë të përpiluara nga Qendra për Studimin e Urrejtjes dhe Ekstremizmit sugjerojnë se krimet e urrejtjes vazhduan të rriteshin në qytetet kryesore të Shteteve të Bashkuara vitin e kaluar, tha zoti Levin.

Departamenti i Drejtësisë nën drejtimin e Prokurorit të Përgjithshëm Merrick Garland e ka bërë luftën kundër krimeve të urrejtjes një prioritet kryesor për agjencinë.

“Raporti plotësues i FBI-së tregon përkushtimin tonë të palëkundur për të punuar me partnerët tanë shtetërorë dhe lokalë për të rritur raportimin dhe për të ofruar një pamje më të plotë të krimeve të urrejtjes në mbarë vendin”, tha në një deklaratë ndihmës prokurorja e përgjithshme Vanita Gupta.

“Nuk do të ndalemi këtu. Vazhdojmë të punojmë me agjencitë shtetërore dhe lokale të zbatimit të ligjit në të gjithë vendin për të rritur raportimin tek FBI-ja të statistikave të krimeve të urrejtjes. Krimet e urrejtjes dhe dëmi që ato u shkaktojnë komuniteteve nuk kanë vend në këtë vend”. VOA

B.V/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale

Berisha me gratë demokrate të LDG: Kjo është qeveria e Luciferit, shqiptarët kanë marrë arratinë! Ministret e Ramës pa forcë morale