FBI ka parandaluar një plan sulmi ndaj eventit të UFC-së të zhvilluar të dielën në Shtëpinë e Bardhë dhe ka arrestuar pesë persona, njoftoi Departamenti Amerikan i Drejtësisë. Sipas prokurorëve, plani parashikonte goditjen e ndërtesave pranë me dronë të ngarkuar me eksploziv dhe hapjen e zjarrit ndaj “objektivave me vlerë të lartë”.

Njëri prej të dyshuarve u arrestua javën e kaluar në Ohio, ku hetuesit zbuluan mesazhe të koduara që përfshinin edhe persona të tjerë të dyshuar. Sipas dokumenteve gjyqësore, ata kishin shprehur qëndrime ultra-fetare dhe kundër qeverisë.

“Sulmet e planifikuara u ndaluan në kohë”, shkroi në rrjetet sociale drejtori i FBI-së, Kash Patel, duke iu referuar operacionit të zhvilluar në disa shtete.

Të arrestuarit janë identifikuar si Tycen C. Proper, 19 vjeç, Bryan Omar Roa, 24 vjeç, Michael Alan Thomas, 32 vjeç, Daniel K. Eskridge, 32 vjeç dhe Abraham Hermosillo Alvarez, 31 vjeç. Ata u arrestuan në katër shtete të ndryshme dhe janë akuzuar për komplot për vrasje.

Sipas hetimeve, grupi synonte të shkaktonte panik me dronë shpërthyes, duke detyruar turmën të largohej drejt zonës ku do të vepronte një ekip snajperësh. Më pas, një “valë e dytë” sulmuesish do të tentonte të hynte në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.

Në aktivitetin e UFC-së, të organizuar në lëndinën jugore të Shtëpisë së Bardhë, morën pjesë rreth 4.300 persona me ftesë, ndërsa rreth 85 mijë të tjerë e ndoqën nga zonat përreth.

Sipas dokumenteve gjyqësore, grupi kishte diskutuar si objektiva të mundshëm presidentin amerikan Donald Trump, zëvendëspresidentin JD Vance, kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, Elon Musk dhe disa zyrtarë të tjerë të zgjedhur.

Komploti u zbulua pas një telefonate të nënës së Proper më 10 qershor, e cila shprehu shqetësim për blerjet e shumta të armëve nga djali i saj dhe komunikimet që ai kishte me një grup online që pretendonte se përbëhej nga ish-ushtarakë dhe persona me bindje të krishtera.

Sipas prokurorëve, grupi synonte të niste një “revolucion” duke vrarë persona me ndikim, të cilët i konsideronte përgjegjës për korrupsionin qeveritar, mënyrën e trajtimit të dosjeve Epstein, ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe çështje të tjera që ata i shihnin si problematike.

Anëtarët e grupit deklaronin se dëshironin të “mbronin Shtetet e Bashkuara”, të cilat sipas tyre po shkonin në drejtimin e gabuar. Në një dokument të FBI-së thuhet se ata besonin se vendi duhej “të shkatërrohej për t’u rindërtuar”.

Gjatë një interviste me FBI-në më 11 qershor, Proper pranoi se kishte marrë pjesë në planifikimin e sulmit dhe deklaroi se grupi kishte nisur komunikimet në mars përmes një grupi në TikTok me emrin “Vanguard of the Old”, i njohur në disa dokumente edhe si “Vanguard of the Old Republic”.

Nuk dihet nëse grupi ka lidhje me ndonjë organizatë më të madhe, por Proper deklaroi se shumica e anëtarëve ishin rekrutuar përmes TikTok-ut. Ata që kalonin procesin e verifikimit kalonin më pas në aplikacionin e koduar Signal.

Sipas prokurorëve, grupi kryesor përbëhej nga rreth 19 persona, ndërsa ekzistonin edhe grupe më të vogla sipas roleve dhe vendndodhjeve të anëtarëve.

Hetimet tregojnë se Michael Thomas kishte parashikuar një strukturë me katër nivele, ku grupi kryesor do të merrte përsipër veprime të paligjshme dhe do të fshihej, ndërsa niveli i fundit do të përbëhej nga financues, influencues dhe mbështetës të tjerë.

Dokumentet përshkruajnë gjithashtu biseda ku anëtarët diskutonin vrasjen e ligjvënësve amerikanë dhe drejtuesve të njohur të biznesit. Disa prej objektivave përzgjidheshin për shkak të bindjes së grupit se ata merrnin mbështetje financiare nga lobet pro-izraelite.

Departamenti i Drejtësisë deklaron se Alvarez ishte përgjegjës për planifikimin dhe organizimin e sulmit ndaj aktivitetit të UFC-së dhe kishte rol kyç në përdorimin e dronëve. Sipas dokumenteve gjyqësore, të dyshuarit kishin shpërndarë harta të Uashingtonit ku shënoheshin pozicionet e snajperëve, pikat e nisjes së dronëve dhe rrjetet energjetike që mund të goditeshin.

Proper deklaroi se ai vetë nuk kishte ndërmend të qëllonte mbi njerëzit gjatë protestës, por pranoi se disa anëtarë të tjerë të grupit ishin të vendosur të përdornin dhunë. Në një konferencë të martën, zëvendësdrejtori i Shërbimit Sekret, Matt Quinn, e cilësoi rastin si një “kërcënim serioz”, por nuk dha më shumë detaje për shkak të hetimeve në vazhdim. I pyetur gjatë samitit të G7 në Francë, presidenti Trump tha se nuk kishte dëgjuar për komplotin.

Nëse shpallen fajtorë, të pesë të arrestuarit rrezikojnë burgim të përjetshëm dhe një gjobë deri në 250 mijë dollarë. Proper përballet edhe me tre akuza të tjera shtesë, përfshirë komplot për kryerje aktesh të dhunshme në ambientet e Shtëpisë së Bardhë. Seanca paraprake gjyqësore është caktuar për më 29 qershor.

Eventi i UFC-së u zhvillua të dielën në arenën e hapur “The Claë”, si pjesë e aktiviteteve për 250-vjetorin e Shteteve të Bashkuara. Ai përkoi gjithashtu me 80-vjetorin e lindjes së Donald Trump.

Ekspertët paralajmërojnë se dhuna politike në SHBA është në rritje. Sipas profesoreshës së shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Miçiganit, Erica Frantz, akte të tilla priren të jenë ciklike, ku një episod dhune shpesh pasohet nga një tjetër.

Sipas të dhënave të Konsorciumit Kombëtar për Studimin e Terrorizmit (START), rastet e dhunës së targetuar në SHBA janë rritur me më shumë se 30% nga viti 2024 në vitin 2025.