Fejesë në anijen e Forcave Detare, lirohet nga detyra Artur Meçollari. Meçollari e ka cilësuar këtë vendim si lirim nga detyra para kohe.

"Mbas 36 vjet e 10 ditë nën uniformë me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes më 11 shtator 2020 u lirova, para kohe dhe jo me vullnetin tim, nga Forcat e Armatosura.

Mbas kësaj karriere të gjatë, kryesisht në Forcën Detare, komandant i GJMD F-322, Shef i Shtabit të Distriktit, komandant i Grupit Luftarak, komandant Flotilje, pedagog në Akademinë e Detarisë dhe të Mbrojtjes, drejtor i Inspektimit, mision në Afganistan, zëvendëskomandant i Forcës Detare, etj, kujtoj cdo koleg, vartës, epror dhe bashkëpunëtor.

Gjithesesi, sot e ndjej se tre detyra kane patur influencën më të madhe në karrierën time, komandant i GJMD F-322 (1993-1997), misioni në Afganistan (2017-2018) dhe zëvendëskomandant i Forcës Detare, komandant në detyrë (2019-2020). Po ashtu, kam qenë i privilegjuar të studioi në tre nga shkollat më prestigjoze në SHBA dhe të mbaj titullin "Doktor" nga Akademia e Mbrojtjes.

Një falenderim për të gjithë ata detare, ushtarak dhe civil të FD dhe FA që më kanë ndihmuar gjatë karrierës time, gjysma e së cilës ka qenë në pozicione drejtimi operacional.  Shërbimi juaj me profesionalizëm, përkushtim dhe integritet ka qenë ndihma më e madhe qe më keni dhënë. 

Karriera ushtarake është një luftë, e cila luftohet çdo ditë dhe siç ka thënë gjenerali Dugllas McAthur "vetëm të vdekurit e kanë parë fundin e luftës". Vazhdoni të luftoni për Forcën Detare dhe Shqipërinë, me profesionalizëm dhe përgjegjshmëri, por pa kompromentuar integritetin tuaj.

Një falenderim të veçantë familjes time që më ka mbështetur në ditë të mira dhe në stuhi", shkruan ai.