Fëmijët dhe nënat ukrainase të strehuar në Shqipëri festojnë Pashkën ortodokse, Veliaj: E drejta dhe dashuria triumfojnë mbi çdo të keqe, edhe Ukraina do të fitojë

Pashka Ortodoske u festua edhe nga qytetarët ukrainas, fëmijë dhe nëna të strehuara në Shqipëri për shkak të luftës. Festës iu bashkuan sot edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, të cilët ndoqën një program të pasur artistik me këngë tradicionale ukrainase, për të vijuar më pas me drekën e shtruar nga Bashkia e Tiranës për këtë ditë të veçantë.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se mesazhi që përcjell Pashka është se e drejta dhe dashuria triumfojnë mbi të keqen. “Krishti u ngjall është ndoshta mesazhi më i fortë i kësaj dite. Sot ne kujtojmë Krishtin, kujtojmë besimtarët, kujtojmë besimin, por mesazhi është më shumë se sa fetar, mesazhi është edhe politik. Ashtu si Krishti në kryq, ne rrethohemi me njerëz, me autoritete ose me shtete, që duan të na shohin në kryq. Ka fuqi, ka njerëz, që duan të na shohin të gozhduar, të nënshtruar, mundësisht të vdekur. Por, mesazhi i Pashkëve është se e drejta triumfon gjithmonë - e mira dhe dashuria triumfojnë mbi çdo të keqe”, tha ai.

Veliaj shprehu besimin se Ukraina do të ngrihet më e fortë seç ishte përpara luftës. “Mund të ketë disa fuqi që në dukje shfaqen më të forta, që sillen sikur janë të tilla me arrogancë, që i shtypin të tjerët. Por, këto fuqi janë si betoni - Në dukje të forta, por të vdekura, nuk kanë jetë! Ne jemi si kjo pema, që lulëzojmë mbi të fortën, mbi të keqen, ngrihemi më të bashkuar e më të dashur me njëri-tjetrin. Në këtë ditë Pashke, ku ne kujtojmë ringjalljen e Krishtit, ringjalljen dhe fitoren e së mirës mbi të keqen, është një kujtesë se Ukraina do të fitojë. Ukraina do të ngrihet më e fortë seç ishte përpara dy muajsh”, tha kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku siguroi se pavarësisht faktit se Shqipëria është një vend i vogël, ajo dhe aleatët e saj do ta mbështesin Ukrainën. “Nuk ka rëndësi nëse jemi një vend i vogël si Shqipëria apo një vend i madh si Amerika sepse për të mbështetur Ukrainën jemi të gjithë bashkë. Ashtu si dy klerikët tanë këtu, nëse veshim rrobat e shërbesës përditë, nëse mbajmë dorezat kur gatuajmë shërbesën, apo nëse kemi kujdesin e shërbesës ku rritim fëmijët, ashtu edhe secili prej nesh është thirrur të shërbejë derisa kjo betejë të fitohet. Jemi këtu për të mbajtur fjalën, ashtu siç do të mbajmë fjalën për të gjithë mbështetjen ndaj Ukrainës”, deklaroi Veliaj.

Ndërsa, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, nënvizoi se në këto çaste të vështira, të gjithë zemrat anembanë botës rrahin bashkë me ato të qytetarëve të Ukrainës. “Ka shumë pak ditë kaq të fuqishme dhe simbolike sa ç’janë Pashkët. Ky është një moment kur ne festojmë triumfin e Krishtit mbi Djallin, të dritës mbi errësirën, të shpresës mbi dëshpërimin. I ndjeva të gjitha këto kur pashë fëmijët, duke kërcyer, sapo mbërritëm këtu. Ky është një moment i errët dhe mbrëmë, kur munda të shkoja në kishë për të festuar meshën e Pashkës, në momentet kur të gjithë i kishim ndezur qirinjtë, mendova se si të gjitha zemrat tona anembanë botës rrihnin së bashku, si një zemër e vetme, bashkë me zemrat tuaja dhe të gjithë Ukrainës”, theksoi Kim.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov falënderoi qytetarët shqiptarë dhe Bashkinë e Tiranës për mbështetjen që i kanë dhënë popullit ukrainas në këto momente të vështira që po kalon vendi i tyre. Prej më shumë se një muaji, me ndërmjetësimin e Bashkisë së Tiranës shumë qytetarë të larguar nga Ukraina, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë gjetur strehim në Shqipëri.


Lajmi kryesor:

Sot festohet Pashka, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin pritën në mesnatë ngjalljen e Krishtit! Kishat mbushen plot pas 2 vitesh pandemi


M.Q./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës