Sot festohet Pashka, besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin pritën në mesnatë ngjalljen e Krishtit! Kishat mbushen plot pas 2 vitesh pandemi

Pas dy vitesh pandemi, besimtarët ortodoksë kanë mbushur kishat në të gjithë vendin ku kanë ndjekur meshën e ngjalljes së Krishtit.

Në Fier besimtarët ortodoksë u mblodhën në kishën e Shën Gjergjit, ku Mitropoliti At Nikoll Hyka ka mbajtur meshën që i dedikohet ringjalljes së Krishtit. Edhe në Tiranë besimtarët u mblodhën në kishë ku mesha u drejtua nga Kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, ortodoksët në Lushnjë kanë kremtuar pashkët. Qindra besimtar ju bashkuan meshës së shenjtë të vigjiljes së kësaj feste, e cila u mbajt në kishën e Shën Gjergjit.

Në Korçë mijëra besimtarë u mblodhën në Katedralen Ringjallja e Krishtit, ku Paskal i Mitropolitit imzot Joanit mbajti meshën dha një mesazh për të gjithë besimtarët.  

“Duke besuar në Perëndinë e paqes, së pari le të bëjmë paqe në zemrat tona dhe më pas ajo do të arrijë edhe tek të tjerët, sepse nuk mund të përhapim paqe nëse ne nuk e kemi atë brenda nesh. Në këtë ditë të shenjtë të Ngjalljes së Krishtit dhe të paqes që ai u jep të gjithëve, le të përpiqemi që të ndriçohemi nga drita e Tij e shenjtë, e cila është paqe - paqe me Perëndinë, paqe me veten tonë dhe paqe me të gjithë botën. Gëzuar Pashkën dhe për shumë vjet”, tha imzot Joanit.

Mesha e organizuar nga klerikët ortodoksë në ambientet e jashtme të kishës më të madhe dhe më të re në Gjirokastër, u përcoll nga besimtarët e shumtë të cilët nxitonin të ndiznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re. Së bashku me të dhe vezët e Pashkës me ngjyrën e gjakut të Krishtit, janë çukitur me ardhjen e ditës së shënuar për të gjithë krishterimin ortodoks në mbarë botën.

Në Vlorë mesha e shenjtë u mbajt në kishën e Shën Theodhorit, ku atë Konstandin Prifti ka uruar Gëzuar pashkët “Krishti u ngjall“.

Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe u drejtua nga At Johan Qako.

Mijëra besimtarë në të gjithë vendin kanë marrë flakën e shenjtë që simbolizon dritën dhe që sipas traditës çdo besimtarë e merr atë ne çdo familje për të ndriçuar rrugën drejt jetës dhe mirësisë.

Një dhurate tradicionale e Pashkës janë vezët e kuqe. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja e tyre simbolizon çarjen e pushtetit te Ferrit me ngjalljen e Krishtit. Vezët janë simbol i lindjes së jetës nga guaska e vdekjes. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit.

Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

Report Tv dhe Shqiptarja.com iu uron të gjithë besimtarëve ortodoksë Gëzuar Pashkën!

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:42
Fëmijët dhe nënat ukrainase të strehuar në Shqipëri festojnë Pashkën ortodokse, Veliaj: E drejta dhe dashuria triumfojnë mbi çdo të keqe, edhe Ukraina do të fitojë

Pashka Ortodoske u festua edhe nga qytetarët ukrainas, fëmijë dhe nëna të strehuara në Shqipëri për shkak të luftës. Festës iu bashkuan sot edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim, dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, të cilët ndoqën një program të pasur artistik me këngë tradicionale ukrainase, për të vijuar më pas me drekën e shtruar nga Bashkia e Tiranës për këtë ditë të veçantë.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se mesazhi që përcjell Pashka është se e drejta dhe dashuria triumfojnë mbi të keqen. “Krishti u ngjall është ndoshta mesazhi më i fortë i kësaj dite. Sot ne kujtojmë Krishtin, kujtojmë besimtarët, kujtojmë besimin, por mesazhi është më shumë se sa fetar, mesazhi është edhe politik. Ashtu si Krishti në kryq, ne rrethohemi me njerëz, me autoritete ose me shtete, që duan të na shohin në kryq. Ka fuqi, ka njerëz, që duan të na shohin të gozhduar, të nënshtruar, mundësisht të vdekur. Por, mesazhi i Pashkëve është se e drejta triumfon gjithmonë - e mira dhe dashuria triumfojnë mbi çdo të keqe”, tha ai.

Veliaj shprehu besimin se Ukraina do të ngrihet më e fortë seç ishte përpara luftës. “Mund të ketë disa fuqi që në dukje shfaqen më të forta, që sillen sikur janë të tilla me arrogancë, që i shtypin të tjerët. Por, këto fuqi janë si betoni - Në dukje të forta, por të vdekura, nuk kanë jetë! Ne jemi si kjo pema, që lulëzojmë mbi të fortën, mbi të keqen, ngrihemi më të bashkuar e më të dashur me njëri-tjetrin. Në këtë ditë Pashke, ku ne kujtojmë ringjalljen e Krishtit, ringjalljen dhe fitoren e së mirës mbi të keqen, është një kujtesë se Ukraina do të fitojë. Ukraina do të ngrihet më e fortë seç ishte përpara dy muajsh”, tha kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku siguroi se pavarësisht faktit se Shqipëria është një vend i vogël, ajo dhe aleatët e saj do ta mbështesin Ukrainën. “Nuk ka rëndësi nëse jemi një vend i vogël si Shqipëria apo një vend i madh si Amerika sepse për të mbështetur Ukrainën jemi të gjithë bashkë. Ashtu si dy klerikët tanë këtu, nëse veshim rrobat e shërbesës përditë, nëse mbajmë dorezat kur gatuajmë shërbesën, apo nëse kemi kujdesin e shërbesës ku rritim fëmijët, ashtu edhe secili prej nesh është thirrur të shërbejë derisa kjo betejë të fitohet. Jemi këtu për të mbajtur fjalën, ashtu siç do të mbajmë fjalën për të gjithë mbështetjen ndaj Ukrainës”, deklaroi Veliaj.

Ndërsa, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, nënvizoi se në këto çaste të vështira, të gjithë zemrat anembanë botës rrahin bashkë me ato të qytetarëve të Ukrainës. “Ka shumë pak ditë kaq të fuqishme dhe simbolike sa ç’janë Pashkët. Ky është një moment kur ne festojmë triumfin e Krishtit mbi Djallin, të dritës mbi errësirën, të shpresës mbi dëshpërimin. I ndjeva të gjitha këto kur pashë fëmijët, duke kërcyer, sapo mbërritëm këtu. Ky është një moment i errët dhe mbrëmë, kur munda të shkoja në kishë për të festuar meshën e Pashkës, në momentet kur të gjithë i kishim ndezur qirinjtë, mendova se si të gjitha zemrat tona anembanë botës rrihnin së bashku, si një zemër e vetme, bashkë me zemrat tuaja dhe të gjithë Ukrainës”, theksoi Kim.

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov falënderoi qytetarët shqiptarë dhe Bashkinë e Tiranës për mbështetjen që i kanë dhënë popullit ukrainas në këto momente të vështira që po kalon vendi i tyre. Prej më shumë se një muaji, me ndërmjetësimin e Bashkisë së Tiranës shumë qytetarë të larguar nga Ukraina, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë gjetur strehim në Shqipëri.

Ora 12:37
Veliaj uron besimtarët ortodoksë: Të bashkuar jemi më të fortë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë ortodoksë me rastin e festës së Pashkës.

Krahas urimit, Veliaj ka postuar një foto ku shfaqet bashkë me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe djalin e tyre të vogël Kajan.

“Gëzuar e bekime nga familja jonë e vogël për familjen e madhe të Tiranës sonë!  Në një muaj janë bashkuar gjithë festat e besimeve tona, thuajse si një mesazh që të bashkuar jemi më të mirë e më të fortë”, shkruan Veliaj.

Ora 11:38
Kryemadhi uron besimtarët ortodoksë: Pashkë të gëzuara dhe paqe për të gjithë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi uron për Pashkë besimtarët ortodoksë.

“Pashkë të gëzuara dhe paqe për të gjithë! Drita e Shenjtë që besimtarët ortodoksë kanë shpërndarë në të gjithë vendin, uroj të bekojë dhe ndriçojë përgjithmonë familjet, komunitetet e tyre, e me to, të gjithë Shqipërinë tonë. Le të kujtojmë gjithmonë mësimin prej shembullit të Krishtit, se vetëm dashuria mes njëri-tjetrit është e gjithëpushtetshme mbi të keqen dhe rruga e duhur drejt paqes. Për shumë vjet Pashkët të gjithëve! Krishti u Ngjallë! Vërtet u Ngjallë”, shkruan Kryemadhi.

Ora 10:01
Nikolla uron besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës: Fuqia e Ringjalljes na frymëzon të gjithëve në çdo kohë

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka uruar besimtarët ortodoksë që festojnë sot Pashkën.

“U bashkohem besimtarëve ortodoksë në gëzimin e tyre për festën e Pashkës, Ditën e besimit dhe të shpresës. Fuqia e Ringjalljes na frymëzon të gjithëve dhe në çdo kohë. Por përdëllimi i saj ndihet me shumë në ditë të vështira dhe për më të vuajturit. Në këtë ditë të hapim zemrat, të shtojmë dashurinë dhe kujdesin për ata që kanë më shumë nevojë.

Me besimin dhe dashurinë, të mundim frikën dhe ndarjen. Me të drejtën dhe të mirën, të mundim padrejtësitë dhe të keqen. Gëzuar Pashkën! Shëndet, mbarësi e paqe për të gjithë!”, shkruan Nikolla.

Ora 09:45
Pashka Ortodokse, nga Jerusalemi shpërndahet flaka e shenjtë e ngjalljes

Të krishterët ortodoksë festuan Pashkën në vendin më të shenjtë për ta, që mbetet Kisha e Varrit të Krishtit, në Jerusalem. Mijëra besimtarëve nga i gjithë globi, pas dy vjetësh në pandemi, Patriarku i Jerusalemit, Theophilos III, doli nga Varri i Shenjtë duke mbajtur 33 qirinj në secilën dorë dhe ndezi qirinjtë me atë që cilësohet drita e shenjtë.

Me thirrjet “Ejani merrni dritë nga drita që nuk perëndon”, kreu i ortodoksëve në atë rajon zhvilloi pastaj edhe ceremoninë e rastit të ngjalljes, ndërkohë që drita e marrë në mënyrë të mistershme nga Varri i Krishtit shpërndahet me avion në disa prej kishave kryesore të globit, që e shpërndajnë atë tek besimtarët, fiks në mesnatë me orën lokale, moment që lajmërohet edhe ngjallja e Jezu Krishtit nga varri.

Ceremonia misterioze, mijëravjeçare, e cila feston ringjalljen e Jezusit, ka tërhequr mbi dhjetë mijë adhurues në vitet e mëparshme.

Pas dy viteve të kufizimeve të udhëtimit COVID-19, Izraeli kohët e fundit ka filluar të lejojë turistët e huaj të kthehen në vend dhe të krishterët kishin ardhur nga e gjithë bota.

Pati edhe një moment përleshjeje midis pelegrinëve të krishterë dhe oficerëve të policisë izraelite, të cilët u vendosën në të gjithë qytetin e vjetër të Jeruzalemit për të siguruar pjesëmarrësit. Ngjarja ka ndodhur kur disa pelegrinë tentuan të kalonin me forcë bllokadat dhe efektivët e policisë tentuan t'i ndalonin. Oficerët reaguan dhunshëm me një video që tregonte një polic duke kapur qafën e një pelegrini.

Policia nuk e raportoi incidentin në deklaratat e saj zyrtare, por tha se, “që në orët e hershme të mëngjesit dhe gjatë gjithë ditës, ndërmori veprime për të mundësuar një ceremoni të duhur dhe të sigurt të zjarrit të shenjtë… përfunduar pas vlerësimeve gjithëpërfshirëse, punës së gjerë të stafit, një vizite në terren, takimeve koordinuese me drejtuesit e kishës dhe miratimit të planeve të drejtuara nga Komandanti i Qarkut të Jeruzalemit.

Qindra policë, roje kufitare dhe vullnetarë u vendosën dhe u angazhuan për të rregulluar pjesëmarrësit në zonë.

Ora 08:32
Sot pashkët ortodokse, Rama uron të gjithë besimtarët: Gëzuar

Kryeministri Edi Rama e ka nisur mëngjesin me një urim për të gjithë besimtarët ortodoksë të cilët festojnë sot Pashkën.

“Mirëmëngjesi! Gëzuar Pashkët Ortodokse”, shkruan Rama.

SI.E./M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur

Tragjedi në Brazil/ Shembet ura, 2 të vdekur dhe dhjetëra të tjerë të zhdukur