TIRANË- 10 vite të jetës i ka kaluar në shtëpinë e saj në zonën e Laprakës, por këto ditë ka marrë njoftimin se banesa do iu shembet në kuadër të rikualifikimit urban. Në ato muaj ajo ka pasur plot kujtime dhe sot ka një kërkesë që të vijojë të jetojë në shtëpinë e saj. Xhensila Mazreku, vetëm 10 vjeç, mori pjesë në protestën që u zhvillua ditën e sotme në ish-sheshin ‘Shqiponja’.

Vogëlushja tregoi për mikrofonin e Report Tv se ka edhe dy motra e ndërsa me lot në sy tha se nëse iu prishet shtëpia do mbeten në qiell të hapur.

“Ndihem shumë keq, kam 2 motra po nuk kam vëllezër. Po më kanë thënë. Do të prishet shtëpia. Aty kam kaluar gjithë fëmijërinë. Kam kujtime. Nuk kam ku të rri, nuk mund të qëndroj në shtëpi tjetër”, tha Xhensila Mazreku për Report Tv.

Estin Hasani, 14 vjeç, është një tjetër fëmijë që ka marrë pjesë në protestë, ndërsa tregon për Report Tv se prindërit e kanë lajmëruar se do iu shembet shtëpia në Laprakë.

“Ndihem shumë keq sepse aty kam kaluar fëmijërinë time, aty dua të vazhdoj edhe jetën ime më tej. Prindërit më kanë thënë që do na shembet banesa se do na vijë një projekt i Unazës së Madhe”, tha Estin Hasani.

Banorët e ‘5 majit’ dolën sërish sot në protestë, ndërsa iu bashkuan edhe banorët e Laprakës. Për rreth 1 orë ata bllokuan qarkullimin e mjeteve tek ish-sheshi ‘Shqiponja’, konkretisht aksin nga Lapraka drejt autostradës Tiranë-Durrës. Protestuesit u ulën këmbëkryq në rrugë duke bllokuar për rreth një orë qarkullimin e mjeteve ndërsa paralajmëruan një tjetër protestë ditën e hënë.