Një studim i bërë nga një grup mjekësh shqiptarë ka zbuluar se mund të ketë një lidhje mes orëve të shumta që fëmijët shqiptarë harxhojnë për të parë televizion dhe obezitetit. Studimi i titulluar “Aktiviteti fizik dhe sjellja sedentare në moshën shkollore”, ka marrë në studim 80 fëmijë në qytetin e Fierit në moshat 11, 13 dhe 15- vjeç, meshkuj dhe femra. Dhe ka rezultuar se 81.80 për qind e femrave 15 vjeçare dhe 92.80 për qind e meshkujve po në këtë moshë, shikojnë mbi katër orë TV në ditë gjatë javës, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Evropian është vetëm 25.60 për qind. “Ne ekzaminuam lidhjet e pavarura midis shikimit të TV-së dhe aktivitetit fizik të matur me anë të pyetësorëve. Gjetëm një lidhje positive midis shikimit të TV-së dhe mbipeshës (p=0.016). Veprimtaria fizike ishte e lidhur në mënyrë inverse me mbipeshën (p<0.014). Fëmijët plotësuan një pyetësor në lidhje me kohën që shpenzonin duke parë televizor, në përdorimin e kompjuterit, dhe veprimtarinë fizike ditore. Të rinjtë tanë shpenzojnë kohë të gjatë duke parë programe televizive. Kjo i bën ata inaktivë dhe kjo gjë vjen duke u rritur me rritjen e moshës. Mesatarja në të gjithë moshat është më e lartë në krahasim me të dhënat në Evrope. Kjo shpjegohet edhe me kushtet e një qyteti të vogël ku mungojnë mundësitë e kalimit të kohës së lire në mënyrë aktive dhe me grupe të organizuara”, thuhet në studimin e përgatitur nga një grup mjekësh.
(aq/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(aq/shqiptarja.com)








