TIRANE- Koncepti për martesën ka ndryshuar vitet e fundit, dhe bashkë me të edhe mosha e bashkëshortëve që lidhen në martesë. Duke ju referuar të dhënave të INSTAT është rritur diferenca e moshës mes burrit dhe gruas gjatë viteve të fundit. Ndryshe nga vitet e mëparshme kur partnerët nuk kishin një diferencë të theksuar mes tyre, është vënë re që kjo diferencë shkon deri në 6 vite. Kjo e dhënë është më e larta e regjistruar gjatë njëzet viteve të fundit, dhe është zgjeruar me një diferencë prej 1.5 vjet nga ajo që ka qënë më parë.

Femrat shqiptare tani zgjedhin të ndajnë jetën e tyre me meshkuj me një diferencë të theksuar moshe, dhe kjo sipas shpjegimeve që bëjnë psikologët vjen për shkak se ato kërkojnë të vazhdojnë jetën e tyre me njerëz të cilët kanë arritur diçka nga ana profesionale. Rritjes së diferencës mes partnerëve i shtohet edhe shtimi i moshës së përzgjedhur prej tyre për martesë. Nga të dhënat e INSTAT, rezulton se femrat mesatarisht martohen në moshën 24 vjeçare ndërsa meshkujt rreth asaj 30 vjeçare.

Duke bërë një krahasim me fillimin e viteve 90’, meshkujt martohen dy vite më të moshuar ndërsa femrat afërsisht një vit më vonë. Studiuesit mendojnë se këto lidhje martesore ku diferenca moshore është e madhe janë më të prirurat të shkojnë drejt divorcit. Psikologët shpjegojnë se femrat ndryshe nga më parë ngurrojnë të lidhin jetën e tyre në martesë, pasi janë bërë më ambicioze dhe i druhen përgjegjsive të familjes.

Megjithatë nga ajo që është arritur të zbulohet nga ky studim është se meshkujt kanë tendencën të martohen me femra të reja në moshë. Femrat që martohen më vonë kanë mundësi më të shumta për të qënë të suksesshme në karrierë, ndërkohë që martesa për meshkujt ka një efekt të kundërt pasi për ta krijimi i një familje i avantazhon në zhvillimin e një karriere më të suksesshme. Vonesa e meshkujve për t’u martuar ndodh për shkak se ata duan që në fillim të krijojnë të mira materiale, në mënyrë që të sigurojnë mjetet e nevojshme financiare  më për familjet e tyre.

Vonesa e femrave në martesë justifikohet me faktin se ato së fundmi janë të dhëna më shumë drejt arsimimit dhe profesioneve të tyre. Rritja e diferencës në moshën mesatare të martesës nuk është vetëm një fenomen shqiptar por ndodh në shumë vende të botës. Ky fenomen pritet të pësojë rritje edhe në vitet e ardhshme sipas studiuesve për shkak të sigurisë dhe mundësive financiare që femrat kërkojnë nga meshkujt.

Ndërkohë që në anën tjetër për shkak dominimit dhe kërkesës për një femër të re dhe të bukur në krah nga meshkujt mendohet se kjo diferencë të jetë në rritje. Të tilla lidhje martesore janë shfaqur më shumë në botën e artit,politikës dhe biznesit. Femra të bukura dhe elegante janë martuar me burra shumë më të mëdhenj se vetja në pozitë dhe të me një pasuri të konsiderueshme.

Shkrimi u publikua sot (08.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)