Edhe Gjin Gjonit, gjyqtarit të akuzuar direkt për mosjustifikim të një pasurie mbi 2 milionë euro, i erdhi radha, por ai, ndryshe nga Gatja, nuk u dorëzua, përkundrazi po lufton. Por deri kur? Për shumë pak kohë, sepse shumë shpejt mazhoranca e re, e cila po e zgjeron akoma më shumë aleancën kundër ‘shoqnisë’ së Gjinit, po përgatit gjithë lëvizjen se si do të çmontojë rrjetin e korrupsionit, që po mban peng të gjithë vendin.
Mbështetja morale është dhënë hapur nga ana e Bashkimit Europian, që statusin e vendit kandidat e dha pa kushte, por me një kërkesë shumë specifike: reformën në sistemin e Drejtësisë.
Vetë Rama thotë se ka bekimin e kancelares Merkel, por edhe zyrtarët e lartë amerikanë kanë kërkuar publikisht reformë në drejtësi. Zëvendëssekretarja amerikane për Evropën dhe Euroazinë Viktoria Nuland pak ditë më parë deklaroi në Tiranë se reforma në Drejtësi duhet të vazhdojë dhe se Shqipëria ka nevojë të pastrojë Gjyqësorin nga korrupsioni dhe të korruptuarit. Kush janë të korruptuarit në sistemin e Drejtësisë? Qeveria e ka një emër dhe ai është Gjin Gjoni; ashtu si Gate Mahmutaj, ai do jetë i pari që do rrëzohet nga piramida e të paprekshmëve deri më tani.
Deklarimet e ndërkombëtarëve janë mbështetja morale për mazhorancën, ndërsa rruga për të shembur këtë KLD, gjykatësit e korruptuar dhe gjithë sistemin, për ta ngritur nga e para, është në Kuvend. Mazhoranca e ka numrin e mjaftueshëm të votave për të hequr edhe presidentin e Republikës, nëse ai i bën rezistencë kësaj reformë, edhe vetë kryeprokurorin, nënkryetarin e KLD dhe çdo drejtues tjetër institucionesh në këtë vend. A do shkaktonte kjo një tension politik në vend? Sigurisht, por kjo do ishte shumë më e mirë se statuquoja e frikshme që ekziston aktualisht.
Gjykatësit, prokurorët, avokatët, por edhe noterët janë ndër njerëzit më të pasur në këtë vendi, sigurisht bashkë me politikanët-biznesmenë, ish-drejtorë, ish-ministra apo sekserë të pushteteve. Por raca e atyre që janë ende në sistemin e Drejtësisë është shumë më e rrezikshme. Për të mbajtur në këmbë pushtetin e tyre, që ju duhet për të mbrojtur paratë, ata korruptohen akoma më shumë dhe korruptojnë gjithë sistemin, duke u kthyer në një mafia, më e rrezikshmja në vend. Avokatët janë kthyer thjesht në sekserë, noterët janë evazorë të mëdhenj fiskalë, gjykatësit e kanë kthyer pjesën dërmuese të proceseve në pazar, prokurorët nuk rrinë aspak më pas kësaj masakre të drejtash dhe të ligjit.
Nuk janë të gjithë - sigurisht - të tillë, por ata pak që janë të pakorruptuar, janë aq të paktë, sa nuk dallohen apo nuk bëjë dot ndryshimin. Këta njerëz, që shkelin ligjin dhe Kushtetutën ditën për diell, kanë pafytyrësinë që të mbrohen, duke u kërkuar të tjerëve zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës, kur bëhet fjalë për gjykimin e tyre.
Gjin Gjoni nuk është rasti i pare; ka patur në KLD të tjerë gjykatës, që iu duhet të gjykojnë veten e tyre dhe të mbrohen nga akuzat në këtë institucion, ku edhe vetë janë anëtarë. Kjo KLD është gati të hedhë në baltë ndonjë gjykatës të tipit si poeti Pojanaku në Pogradec por, kur vjen puna te kupola, bëhen të gjithë bashkë.
Çfarë do bëjë mazhoranca?
Sipas të gjitha gjasave, por edhe të dhënave në Kuvend, do të nisin procese të miratimit të ligjeve të reja, që do ta shpërbëjne tërësisht KLD-në e më pas do të preket gjithë sistemi gjyqësor, që nga Gjykata Administrative, e mbetur peng, Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Apelit. Këto dy të fundit janë kthyer në fole “trimash”, që shumë shpejt do të nisin të tregohen edhe të zgjuar, duke nisur të japin dorëheqjen për arsye të ndryshme, siç ndodh rëndom, nga “shëndeti”…
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 19 Korrik 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)