Ferdinand Shehi: Kush e
bllokoi procesin e legalizimit

Ferdinand Shehi: Kush e <br />bllokoi procesin e legalizimit
Ish-zëvendësdrejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t Ferdinand Shehi mendon se nuk është procesi i legalizimeve, i cili ka dështuar, por ka qenë puna e bërë nga ish-kreu i këtij institucioni Shaban Memia, e cila praktikisht ka bllokuar punën voluminoze, që të finalizohej. Sipas tij, ka disa drejtime, kryesisht të karakterit organizativ, ku qeveria mund të përshpejtojë ritmet, në mënyrë që të përfundojë procesi konform ligjit dhe ajo të mbajë premtimet e dhëna qytetarëve

Zoti Shehi, ju keni qenë për vite të tëra zyrtar i lartë drejtues i ALUIZNI-t. Si e gjykoni faktin që vetëm 4 për qind e ndërtesave që mund të legalizohen janë legalizuar, megjithëse ka vite që procesi duhej të kishte mbaruar?
Unë nuk mendoj se duhet të quhet një proces i dështuar legalizimi. Praktikisht, për shumë vite me rradhë drejtoria e përgjithshme dhe sektori që unë kam drejtuar kanë përgatitur, hartuar dhe dorëzuar në organet më të larta të strukturës shtetërore një numër të madh aktesh nënligjore dhe drafte ligjore, me ligje e amendime të ligjeve ekzistuese. Kjo ka krijuar bazën për të ecur normalisht përpara me legalizimin e banesave në të gjithë vendin dhe, në fakt, janë përgatitur dhjetëra mijëra dosje nga degët e ALUIZNI-t në qarqe, shumë qytetarët kanë marrë faturat në dorë, mijëra të tjerë kanë kryer pagesën dhe shumë prej tyre tashmë kanë finalizuar përpjekjet e tyre, duke marrë tapitë në Hipotekë. Kjo është faza finale e këtij procesi.

Por, prapë se prapë, 96 për qind e banesave të përfshira në proces nuk kanë finalizuar regjistrimin e tyre…
Gjatë këtyre viteve, ka patur shumë bllokime të procesit, siç ishte, psh, rasti i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese për interpretim prej Komisionit të Venecies të kalimit në pronësi të parcelës ndërtimore, mbi të cilën ishtë kryer ndërtimi pa leje. Kjo kërkoi një kohë të caktuar. Më pas, Komisioni i Venecies u shpreh, duke thënë se pronari i ligjshëm i parcelës duhet të dëmshpërblehet në momentin kur parcela ndryshon pronësi, ndryshe kemi të bëjmë me shkelje të së drejtës kushtetuese të pronës private. Kjo solli ndryshime në ligjin dhe praktikën e këtij procesi. Kjo, për të treguar një rast. Nga ana tjetër, është bërë një punë – e padukshme për publikun, por shumë voluminoze – për të hedhur në letër të gjitha hartat, me shumë hollësi, dhe aktualisht strukturat shtetërore kanë në dorë dokumente tepër të detajuara, duke përfshirë që nga shtesat e kateve, ndërtesat pa leje në të gjitha qytetet, lagjet, konkretisht një pasqyrë e plotë urbanistike e të gjithë sipërfaqes së vendit. Këto kanë kërkuar kohë, mund, njerëz dhe fonde, por puna është finalizuar në këtë drejtim.

Mund të thoni që drejtoria e ka kryer punën e vet?
Ngadalësia në përfundimin e legalizimeve vjen edhe nga mungesa e dëshirës apo e mundësive të qytetarëve të ndryshëm për të shlyer faturën e legalizimit. Ndonëse është shumë më e vogël se sa pagesa që duhet për të blerë tokën rregullisht dhe për të ndërtuar mbi të një banesë, sidoqoftë, flitet për shifra, që nuk i ka kushdo në dispozicion. Drejtoria nuk e kryen punën e vet mirë, kur nuk u jep faturat qytetarëve. Këtu kemi patur vonesa jo të vogla, të pajustifikueshme.

Pse kanë ardhur ato?
Ka patur një centralizim të dëmshëm të vendimmarrjes në nivel qendror, pra çdo certifikatë duhej të nënshkruhej nga drejtori i përgjithshëm. Kjo e vononte punën. Decentralizimi është më i efektshëm. Në fund të fundit, drejtori i përgjithshëm do të firmosë një dokument të përgatitur nga qarqet. Atëhere, le ta japë certifikatën direkt ALUIZNI i Qarkut! Aktualisht, situata është rregulluar nga ana ligjore, pas ndryshimeve që u bënë në praktikën e punës, por, në rast se rezultatet janë kaq të ulta, kjo ngarkon me përgjegjësi drejtorin që sapo është larguar.

Në rast se qytetarët nuk paguajnë faturat, ku është përgjegjësia e drejtorisë?
Drejtoria duhet ta studjojë dhe ta evidentojë si problem edhe këtë e të dalë me propozime konkrete. Ka qenë një kohë, kur shumë qytetarë ndërtuan shtëpi pa leje në zonat informale. Ata shitën ç’kishin në zona të tjera, morën para nga emigracioni dhe ndërtuan shtëpitë. Tani, që u kërkohet pagesë për legalizim, ndodhen në vështirësi. Qeveria ka lejuar lehtësimin, duke pranuar pagesë me bono privatizimi, që kushtojnë më lirë në treg se sa kur pagesa bëhet 100 për qind me lekë. Prapë, nuk e quaj të përfunduar me kaq detyrën e drejtorisë së përgjithshme. Së pari, duhen parë çfarë mundësish ekzistojnë që procesi i pagesës të kryhet, me anë të kreditimit bankiar, psh, etj. Së dyti, ky proces duhet të ketë afate shtrënguese. Në rast se qytetari e di se, pas një kohe të caktuar, nuk do t’ia tolerojë njeri mospagesën e faturës së legalizimit, pjesa më e madhe e pronarëve të ndërtimeve informale do të bien dakord të paguajnë detyrimin. Personalisht, kam konstatuar zvarritje të pafalshme. Mund të them se nuk ka dështuar procesi i legalizimeve, që s’ka pse të dështojë, por nuk ka qenë në lartësinë e duhur puna e Shaban Memisë, si drejtor.

Çfarë mund të ndikojë tjetër në zgjidhjen e problemeve të pronës së patundshme, që ka njëfarë bllokimi e që mban pezull investime të konsiderueshme në vend?
Gjykoj dhe kam propozuar edhe më parë, që duhet të kijohet një institucion i lartë, edhe në nivel ministrie, që të koordinojë punë për legalizimet, hipotekat dhe kthimin e kompensimin. Kjo do të kishte një detyrë të madhe: kthimin në normalitetin që meriton të pronësisë mbi të patundshmet. Aktualisht, pashë që qeveria synon krijimin e një drejtorie të përgjithshme brenda strukturës së ministrisë së Drejtësisë, për pronën. Edhe ky mund të ishte një hap pozitiv.
(Intervista eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Protesta e opozitës më 26 Nëntor/ PD publikon 5 rrugët dhe pikat që do bllokojë në Tiranë! Ja ndarja e deputeteve

Protesta e opozitës më 26 Nëntor/ PD publikon 5 rrugët dhe pikat që do bllokojë në Tiranë! Ja ndarja e deputeteve