Ministria e Bujqësisë i ka propozuar Bashkimit Evropian disa ndryshime në Programin e IPARD-III, që do të nisë zbatimin nga viti i ardhshëm në mënyrë që të marrin fonde fermerët që kultivojnë grurë e misër.
Lajmin e bëri të ditur ministrja e Bujqësisë Frida Krifca, gjatë një takimi që pati me fermerët e Dropullit të Gjirokastrës, ku pohoi se dhe ata duhet të përfitojnë financim për mekanikën bujqësore, infrastrukturën e grumbullimit dhe magazinimin e këtyre produkteve.
“I kam kërkuar stafit që të ri-shohin arsyetimin dhe të bëjnë modifikimet e programit të IPARD në mënyrë që edhe prodhuesit e misrit dhe grurit të kenë mundësinë që të aplikojnë për të marrë mbështetje për mekanikën bujqësore”, tha Krifca.
Programi IPARD III i miratuar nga BE ka fond 112 milionë dollarë e do të financojë 9 fusha si infrastrukturë rurale, ndërtim tregjesh, për Agro-përpunim apo Agro-turizëm. Fermerët që kultivojnë grurë këtë vit do të përfitojnë edhe mbështetje nga skema kombëtare, ku përveç naftës pa taksa, do të jepet 30 mijë lekë për Ha për mbjelljet e reja të grurit. Për këtë skemë nga buxheti i shtetit do të jepen 500 milionë lekë, ndërkohë që shtohet me 500 milionë lekë edhe fondi për naftë pa taksa. Këto masa merren me qëllim rritjen e prodhimit të grurit në vend.