Prej më shumë se 30 vitesh, dhjetëra fermerë nga fshatrat Sheqë, Gajdë, Polizhan, Malasgropë, Syzezë, Polizhan dhe Poshnje shesin prodhimet e tyre në rrugë, përgjatë aksit nacional Dimal–Lushnje.

Qëndrojnë 12 orë në ditë në vapë për të shitur prodhimet e tyre, por nuk arrijnë të nxjerrin as shpenzimet që kanë bërë për t’i mbjellë.

“Çmimet janë të ulëta, blerës nuk ka. Mezi ushqehemi. Nga shteti? Asnjë ndihmë!” – shprehen fermerët.

Aktualisht në zonë shitet shalqi dhe pjepër, prodhim i freskët, këputur çdo mëngjes nga arat. Por fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm dhe makinat nuk ndalojnë më...

“Torturohemi çdo ditë në rrugë, në vapë e në shi, vetëm për një bukë. Kjo është jeta jonë”, – thotë një tjetër fermer.

Në mungesë të një tregu agro-ushqimor, fermerët detyrohen të shesin në anë të rrugës edhe në Berat. Këto janë pamjet e xhiruara nga Report TV ne lagjen “Clirim”. Premtime për subvencione ka pasur shumë, thane fermerët por asgjë nuk ka mbërritur tek ta.

“Tokat janë lënë djerrë, njerëzit janë larguar nga fshati. Pesticidet janë të shtrenjta dhe me cilësi të dobët. Po na shuhet bujqësia,” – thonë ata.

Të harruar nga institucionet, fermerët e rrugës janë sot simbol i mbijetesës, në një vend që nuk prodhon më për veten….