Një fermere rreth 30 vjeç humbi jetën ndërsa bashkëshorti dhe vajza e saj adoleshente u plagosën rëndë kur një makinë u përplas në një postobllok gjatë një proteste mbarëkombëtare nga fermerët francezë.
Fermerët kanë bllokuar rrugët kryesore çdo ditë në jug-perëndim, një nga rajonet më të rëndësishme bujqësore të Francës. Sipas informacioneve, aksidenti në jug të Toulouse nuk ishte i qëllimshëm, tha prokurori vendas.
Ministri i Bujqësisë Marc Fesneau tha se ishte një “tragjedi për të gjithë”. Gruaja që humbi jetën ishte blegtore.
Autoritetet thanë se burri i saj ishte plagosur rëndë dhe gjendja e vajzës së saj 14-vjeçare ishte shqetësuese. Fermerja që vdiq ishte anëtare e sindikatës kryesore të fermerëve FNSEA, raporton BBC.
Ndërsa protestat e fermerëve u përhapën në të gjithë Francën, kreu i sindikatës Jeunes Agriculteurs (Fermerët e Rinj), Arnaud Gaillot, tha se ai kurrë nuk kishte parë protestues kaq të vendosur.
Protestat më të fundit filluan në jug-perëndim javën e kaluar. Edhe pse është një nga rajonet më të rëndësishme bujqësore në vend, FNSEA tha se fermerët në këtë pjesë të Francës kanë të ardhurat më të ulëta.
Më shumë se 400 traktorë javën e kaluar bllokuan qendrën e Toulouse, shtëpia e rreth 800 mijë njerëzve; dhe gjatë ditëve të fundit disa autostrada kyçe në jugperëndim janë bllokuar tërësisht nga fermerët.
I vetëdijshëm se sa e ndjeshme është situata politikisht, ministri i brendshëm francez tha të hënën se nuk do të urdhërojë policinë të heqë bllokadat.