Pak ditë pas nisjes së fluturimeve në aeroportin e Kukësit është zhvilluar sat në këtë qytet Festa e Bjeshkëve, një aktivitet për promovimin e bukurive natyrore të zonës por edhe një tjetër destinacion për turistët e huaj.
Me këngë, valle, lojëra tradicionale e ushqime bio. Kjo ishte atmosfera e Festës së Bjeshkëve që u zhvillua në Bushtricë të Kukësit, në 11 korrik ditën e turizmit të bjeshkëve.
I pranishëm në festë ministri i Turizmit Bledi Klosi theksoi se ndërtimi i aeroportit të Kukësit do t’i kthejë bjeshkët në një destinacion turistik.
"Krijon një mundësi shumë të re për të pasur lidhje, turizëm, marrëdhënie dhe atë që është politika kryesore e turizmit shqiptar, ofrimin e destinacioneve turistike jo vetëm të bregdetit shqiptar por ne kombinim me natyrën, malet, bjeshkët dhe bukurite natyrore" u shpreh ministri Klosi.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Kukës Safet Gjici tha se ka një projekt që përmes investimeve në infrastrukturë i gjithë vargmali Korab-Koretnik të lidhet me Bjeshkët e Kukësit dhe Dragashit në Prizren.