Mes rreshtave të gjatë të misrit që ka marrë ngjyrën e artë të vjeshtës, 72-vjeçari Sutki Shehu lëviz me dorën e stërvitur nga puna e një jete. Me profesion veteriner, ai i kalon muajt e ngrohtë këtu, në tokën e të parëve në fshatin Fshat të Grykë-Çajës. Por ky qëndrim ka një afat të prerë. Sapo të nisin temperaturat e ulëta dhe dimri të trokasë në këto male, Sutkiut do t'i duhet të mbyllë shtëpinë e të kthehet në Tiranë, aty ku jeton pjesa tjetër e familjes dhe fëmijët e tij. Zemra i thotë të qëndrojë në fshat plotësisht, por realiteti është kokëfortë. Fëmijët nuk kthehen dot për të jetuar këtu, sepse ky vend nuk ofron më as kushtet më bazike për jetesë. Dhe gjithçka nis nga izolimi.
"Tani jemi në periudhën e mbledhjes së misrit, vjeljes së fasules. Prodhimet janë shumë të mbara. Por që duhet punë për t'i mbledhur e grumbulluar se tani fillon edhe i ftohti... Këto ditë temperaturat kanë qenë afër minusit. Prodhimet mirë, pavarësisht thatësirës së madhe. Misrin e përdorim për blegtori dhe fasulet për përdorim vetjak. Sot jetesa mirë në përgjithësi, por i ka ndihmuar kurbeti familjet, jo kjo ara që punojmë ne këtu. Se unë zakonisht gjatë dimrit iki në Tiranë, banoj tek fëmijët, vetëm në pranverë vij. Blej lopën, e mbaj për nevojat e mia. Mbjell pak misër, pak patate...", tregon Sutki Shehu, veteriner në pension.
Janë vetëm 5.8 kilometra rrugë. Një segment i shkurtër që ndan aksin nacional Kukës–Bushtricë nga qendra e fshatit, por që për banorët këtu vlen sa kufiri mes jetës dhe izolimit. Kjo rrugë, e hapur dikur me kazma e lopata, sot është kthyer në makthin e katër fshatrave: Fshat, Shkinak, Çajë dhe Buzëmadhe.
"Problem kryesor kemi rrugën. Tani sa e kanë sheshuar se nuk lëvizej fare, shirat e parë që bien e kthejnë në të njëjtin pozicion...”, shprehet Halil Shehu, banor.
“Ne taksat i paguajmë njelloj, si ai që lëviz në asfalt, si ne këtu. Nuk e kuptoj pse e lënë në këtë gjendje... Jetojmë në fshat e paguajmë si në Paris", tregon një tjetër banor.
Për ata që e përshkojnë çdo ditë, kjo rrugë nuk është thjesht infrastrukturë e munguar, por një dëshmi e premtimeve të harruara që riciklohen vetëm kur vjen sezoni i votimeve.
"Këtu s’ka rrugë, s’ka shkollë, atje bëjnë mësim 6-7 klasë bashkë... Para dy javëve e ka rregulluar ai që ka centralin me lekët e veta, nuk e ka bërë bashkia... A duhet të shkojmë të bëjmë kolaudimin e makinës? Po qe se do ta riparoj makinën sot, mbas tre ditësh kam kolaudimin. Me këtë rrugë këtu, a ka makinë që mbijeton?", shprehet një drejtues mjeti.
Për banorët e mbetur në këtë pjesë të Kukësit, kërkesa për asfaltimin e këtyre pesë pikë tetë kilometrave nuk është thjesht një pretendim për infrastrukturë. Është dëshira për t'u ndier pjesë e të njëjtit realitet me pjesën tjetër të vendit, sidomos kur taksat dhe detyrimet paguhen njësoj. Përgjatë viteve, premtimet në prag fushatash nuk kanë munguar, por sapo ato përfundojnë, rruga lihet sërish në mëshirë të motit. Sot, ndërhyrjet e vetme emergjente shpesh bëhen nga vetë bizneset private të zonës apo nga vetë komuniteti, pasi për ta, çdo ditë pa rrugë është një ditë më shumë drejt largimit të familjes së radhës.
Pa këtë rrugë, çdo dimër kthehet në një histori mbijetese, ashtu siç ka ndodhur gjithmonë në kujtesën e këtyre maleve.
Para viteve '90, ky katund ishte arsimdashës dhe një nga më të përparuarit e rrethit të Kukësit. Sutki Shehu, i cili ka shërbyer si veteriner në këto male për 46 vite pa shkëputje, kujton kohën kur tek kjo arë ku sot ka vetëm heshtje, rrihte pulsi i një qyteze të tërë.
"Në kohë të kooperativës, tek kjo arë fillonte kovaçania, më tutje ka qenë posta, furra e bukës që gatuhej 12 muaj... qendra shëndetësore. Në këtë ndërtesën e prishur, në dimër, doktor Mustafa Mustafa ka operuar një grua... Ka qenë furtunë e madhe, s’kishte makina. Ka ardhur doktori me çantë në shpinë, pa drita, me qiri dhe llampë vajguri ka operuar gruan në një lindje të vështirë. Djali i saj sot është 40 e ca vjeç...", tregon 72 vjeçari nga fshati Fshat.
Nga shtëpitë e mëdha që dikur numëronin deri në 20 frymë, sot kanë mbetur vetëm 35 apo 40 shtëpi, ku pjesa më e madhe janë thjesht burrë e grua të moshuar. Largimi i banorëve ka goditur rëndë edhe arsimin. Sot, shkolla e mesme është mbyllur dhe fëmijët detyrohen të udhëtojnë drejt Bushtricës me shpenzime të mëdha për prindërit, ndërsa në fshat ka mbetur vetëm arsimi fillor me klasa kolektive.
"Para vitit ‘90, fshati ka qenë një ndër më të përparuarit e rrethit Kukës. Shumë të arsimuar. Këtu ka qenë shkolla e mesme. E të gjithë shkonin me dëshirë. Po edhe pse u mbyll shkolla, ky katund është arsimdashës dhe i kanë ndjekur mësimet në Bushtricë. Por për prindërit është shpenzim i madh se makinat duan lekë për t’i çuar ato fëmijë. Dhe vazhdon të jetë problem arsimimi këtu. Vetëm ai fillor dhe 9-vjeçar është këtu, se nuk kanë mbetur shumë të rinj", shpjegon 72 vjeçari.
Në shkollën e mbetur të fshatit, ku dikur dyert hapeshin për qindra nxënës, sot mësimi zhvillohet in klasa kolektive. Është një realitet i vështirë për mësuesit dhe fëmijët, ku grupmosha të ndryshme duhet të ndajnë të njëjtën dhomë dhe të njëjtën dërrasë të zezë. Për shumë prindër, ky mbetet shkaku kryesor që i shtyn të mendojnë zhvendosjen drejt qytetit.
Dimri këtu është i egër. Sutkiu kujton se natyra di të jetë e pamëshirshme. Në 13 tetor të vitit 1978, bora e hershme mbyti 14 lopë të kooperativës së tyre dhe 9 të një kooperative fqinje. Sot, edhe blegtoria po tkurret. Nga 11 mijë krerë të imta që kishte kooperativa dikur, sot në të gjithë Grykë-Çajën numërohen vetëm rreth 4 mijë deri në 5 mijë krerë.
E megjithatë, kujtimet e vështira të këtij izolimi rrugor nuk kanë kursyer as ditët më të shënuara të jetës, siç ishin dasmat e dikurshme.
"Do t'ju tregoj një histori që e kam jetuar vetë. Një nuse nga Çaja duke shkuar në Bathore, për shkak të rrugës së prishur, krushqit mbetën në Bushtricë, nusja mbeti këtu. E mori një shofer me kamion dhe e çoi deri sa mund të kalonte në këmbë ku e prisnin krushqit", tregon Sutki Shehu.
Por koha ka kaluar dhe sërish, ky fshat refuzon të dorëzohet. Sot, krushqit e një dasme tradicionale thyejnë heshtjen e maleve, duke treguar se pavarësisht rrugëve që ende mbeten të paasfaltuara, jeta këtu ende jetohet, dashurohet dhe festohet. Ky vend ka një vitalitet që nuk shuhet lehtë.
"Ka dasma, martohen dhe këtu... Kemi shpresë vetëm tek rruga, ky është theksi, kryefjala e ditës... Turistë vijnë, edhe me biçikleta, pavarësisht terrenit, vijnë", thotë Halil Shehu.
Dhe pikërisht këtu, ku izolimi ka larguar njerëzit, terreni i egër po bëhet magnet për një tjetër realitet: turizmin e aventurës. Shtigjet që për banorët janë vuajtje, për të huajt janë destinacioni i ëndrrave.
Prej ditësh, Roman Balej, një organizator eventesh nga Sllovenia, po eksploron këtë zonë me motorin e tij.
"Jam duke eksploruar malet e Shqipërisë. Eventi do të organizohet vitin e ardhshëm dhe pjesëmarrësit tanë do të jenë rreth 100 njerëz nga e gjithë bota, nga Australia, Zelanda e Re... Po përpiqem të gjej vendet më të bukura ku mund ta prezantoj Shqipërinë... Bukuritë natyrore, njerëzit fantastikë. Po e shijoj shumë", tregon ekploratori slloven.
Për Romanin, ky udhëtim nuk është vetëm sport, por një takim me mikpritjen e paprekur shqiptare. Një urë lidhëse që mund të kthejë Grykë-Çajën dhe shtegun e ngjyrave në një pikëtakim botëror të motorizmit;
"Njerëzit janë shumë të dashur, të respektuar dhe mikpritës... Patjetër që do të kthehem sërish."
Fshati Fshat ndodhet në portën hyrëse të "Shtegut të Ngjyrave", një prej destinacioneve më të vlerësuara të turizmit malor në Shqipëri. Zona ofron një klimë të shëndetshme, bimësi të rrallë dhe produkte organike që vetë banorët i prodhojnë me shumë punë. Por, që ky potencial të kthehet në një ekonomi të qëndrueshme, në bujtina dhe në vende pune për të rinjtë, nevojitet hapi i parë dhe më i rëndësishëm: një rrugë e aksesueshme që i fton vizitorët të qëndrojnë më gjatë, e jo vetëm të kalojnë tranzit përmes shtigjeve të vështira.
Toka vazhdon të japë prodhim të mbarë, bagëtitë ende rriten nëpër kullota dhe shenjat e para të ndërtimeve të reja tregojnë se dëshira për t'u rikthyer është gjallë. Ky popull, ndër më punëtorët e zonës së Kukësit, kërkon vetëm të drejtën bazike për të qenë të lidhur me botën.
Një rrugë e asfaltuar nuk do të ishte thjesht infrastrukturë. Për fshatin Fshat, ajo do të ishte kthim i jetës. Do të ishte arsyeja që djemtë e larguar në emigracion të kthehen e të investojnë dhe që fundjavat të mos mbyllen nën ajrin e kondicionerëve të Tiranës apo Durrësit, por në freskinë natyrale të vendlindjes.
"Por ka një diçka që këtë mrekulli na e ka dhënë Zoti: klima, bimësi plot, nuk blejmë se i prodhojmë vetë nga pemëtoret që kemi... Mua më thonë fëmijët se po të bëhet rruga, ditën e premte lëmë punën dhe vijmë e flemë në shtëpinë tonë këtu në fundjavë. Të paktën flemë në freskun natyral, jo atë të kondicionerit", thotë 72 vjeçari Sutki Shehu.
Mes një të kaluare të lavdishme me qindra njerëz dhe një të ardhmeje që luan mes braktisjes dhe turizmit, fshati Fshat pret. Pret që bukurisë që ia fali Zoti, t'i shtohet edhe dëshira e shtetit për ta mbajtur gjallë.











Komente
Komento