TIRANE- Themelimi i PD, të parës parti opozitare më 12 dhjetor 1990 do të festohet pikërisht ditën e sotme më 11 dhjetor, një ditë përpara përvjetorit të vërtetë.

Shkak për këtë zhvendosje të datës së festës ka qënë udhëtimi i kryeministrit, njëherësh dhe lideri historik i kësaj partie Sali Berisha drejt Brukselit, ku do të mbahet takimi i radhës i PPE.

Siç informoi shqiptarja.com para disa ditësh, kryeministri Berisha i ka dërguar ftesë nominale për të marrë pjesë në festimet 22 vjetorit të krijimit të PD, kreut të PS Rama, kryetarit të LSI Meta, kreut të PBDNJ Dule, kryetarit të PDIU, Idrizi, kreut të PR, Mediu, kryetarit të PLL Spahia, kryetarit të BLD Srarova, kryetarit të PDK, Ndoka, kryetarit të PLD, Lesi, kryetarit të PBK Alimadhi, kryetarit të PBKD Roshi, kryetarit të POSH, Shtjefni, kryetarit të LZHK Shehi, dy nënkryetarëve të Kuvendit përfaqësues të opozitës, ish-kryeministrit Majko si "Pishtar i Demokracisë" dhe figura të tjera.

Ndërkohë që janë lënë jashtë liste të gjitha partitë joparlamentare të opozitës, duke filluar nga Topi e deri te Ngjela etj. Eshtë ftuar Nishani dhe ambasadorët.

Festa do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në orën 18.00.

(sg/shqiptarja. com)