TIRANE- Besimtarët myslimanë festojnë sot Kurban Bajramin, ku myslimanët falënderojnë dhe madhërojnë Zotin dhe në shenjë mirënjohjeje falin Namazin dhe presim kurban. Në Trianë falja e Namazit u zhvillua sot në mëngjes në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Festimet që nisin në mëngjes me faljen, prerjen e Kurbanit, dhe më pas me shkëmbimet e vizitave urimeve zhvillohen në të gjitha qyetetet e Shqipërisë.
FALJA E NAMAZIT NE TIRANE Qindra besimtarë, mes tyre dhe fëmijë të shoqëruar nga prindërit, e të veshur me veshje myslimane ishin ulur në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për faljen e Namazit. Për të kryer ritin si dëshmi se i besojnë Zotit të plotfuqishëm në këtë ditë që është dhe dita e bashkimit për të gjithë vëllezërit myslimanë dhe sublimon Zotin. “Njeriu të përzgjedhë kafshën më të bukur, ta bëjë kurban dhe ta ndajë me të tjerë. Është dita që kujton të pasurit për t’i dhënë të varfërve nga pasuria e tij, dhe të lëmë mënjanë inatet tona dhe për hatër të Zotit.”- tha një imam i cili hapi faljen.
Në urimin që Kryetari i Komunitetit Mysliman, Haxhi Selim Muça përcolli dje për Kurban Bajram tha se festa na nxit që të jemi gjithmonë të gatshëm të bëjmë sakrifica për të mirën e përgjithshme, për fe e atdhe.
“Bajrami në Islam është qetësi dhe dinjitet, ku myslimanët falënderojnë dhe madhërojnë Zotin që është Një dhe i Gjithëfuqishëm. Ai na jep çdo të mirë, e në shenjë mirënjohjeje falim namazin dhe presim kurbanin. Ditët e Bajramit janë ditët e lumturisë së përbashkët me vëllezërit e tjerë, janë ditët e lulëzimit të ndjenjave të vëllazërisë, paqes e shëndetit, janë ditët e gëzimit të përbashkët me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerëzit në botë.”
Myslimanët në Shqipëri, Turqi e Maqedoni festojnë sot Kurban Bajramin më 25 tetor (ditën e enjte), ndërsa pjesa tjetër e botës si dhe shqiptarët e Kosovës do presin Kurban Bajramin një ditë më vonë, më 26 tetor (ditën e premte).