Festa e Lunikut mblodhi bashkë shumë qytetarë nga zona të ndryshme të Shqipërisë për të kaluar një ditë të këndshme në freskinë e natyrës në malin e Letmit në Librazhd. Festat e fshatrave janë kthyer tashmë në një traditë që synon të promovojë zonat me bukuritë e natyrës, kulinarinë tradicionale dhe traditat kulturore. Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, Kryetari i Bashkisë së Librazhdit Kastriot Gurra, Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini dhe zyrtarë të tjerë pranuan me kënaqësi të marrin pjesë në festën e Lunikut.
“Është bërë e përvitshme tashmë që në fillim të Gushtit, në zona të ndryshme të Librazhdit zhvillohen festa të fshatrave, siç është kjo, festa e Lunikut. Në këto festa mblidhen, jo vetëm banorët, por edhe emigrantë dhe turistë. Vizitorët shijojnë bukuritë e natyrës, por edhe shërbimin dhe ushqimin tradicional të zonës. Kjo është një bazë e shëndoshë për ndërtimin e një agroturizmi të shëndetshëm. Këtu ka sot qytetarë nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë, nga Elbasani, Tirana, Fieri e Durrësi për turizëm malor.
Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, shprehu bindjen se shumë shpejt këto zona do të zhvillohen përmes agroturizmit dhe vizitorët do të shijojnë bukuritë natyrore të cilat Librazhdi i ka më shumicë. “Tashmë është kthyer në traditë që pothuajse çdo fshat me anë të këtyre festave lokale, jo vetëm zhvillojnë traditat e tyre, por shërbejnë edhe për emigrantët të cilët kthehen pranë familjeve të tyre dhe festat janë një mënyrë e mirë për të qenë të gjithë bashkë dhe për të shijuar bukuritë e natyrës.
Ato që duken tashmë si iniciativa të vogla shërbimi, edhe me mbështetjen që Qeveria Shqiptare i ka dhënë agroturizmit, do të zhvillohen më tej, qoftë përmes bujtinave, qoftë përmes iniciativave më të mëdha. Jemi vetëm 1 orë e gjysëm larg Tiranës, këtu në malin e Letmit dhe zona të tilla ku temperaturat sot janë nën 20 gradë janë të gatshme të presin vizitorë nga i gjithë vendi.”
Festa e Lunikut zhvillohet tashmë për të 10 vit me radhë dhe vit pas viti numri i vizitorëve shtohet. Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë, më i madhi në vend, gjithnjë e më shumë po tërheq vizitorë vendas dhe të huaj. Në mungesë të objekteve akomoduese, këtu turizmi vazhdon të jetë një ditor, por me projektet për zhvillimin e agroturizmit, këto zona do të jenë destinacione të rëndësishme.
Komente












