Lezha i ka kushtuar një festë të veçantë shegës, frutit simbol të zonës, duke bërë bashkë fermerë, kuzhinierë dhe qindra qytetarë në sheshin “Gjergj Kastrioti”.

Në Festën e Shegës, e cila tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme, fermerët prezantuan prodhimet e tyre, ndërsa shefat e kuzhinës sollën receta të ndryshme me bazë këtë frut, që po gjen gjithnjë e më shumë përdorim në gatime.

Aktiviteti u shoqërua me muzikë dhe valle, ndërsa qytetarët patën mundësinë të njiheshin nga afër me vlerat ushqyese të shegës dhe mënyrat e ndryshme të përdorimit të saj në kuzhinë.

Fermerët dhe kuzhinierët vlerësuan rëndësinë e shegës si produkt bujqësor, por edhe mundësitë që ajo ofron në kulinari.

Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhanaj, theksoi se aktivitete të tilla ndihmojnë në promovimin e produkteve vendase, traditës bujqësore dhe gastronomisë së zonës.

Përmes Festës së Shegës, Bashkia Lezhë synon të mbështesë fermerët vendas dhe të ndërthurë bujqësinë me kulinarinë dhe turizmin, duke promovuar produktet që identifikojnë këtë zonë.