Ministria e Drejtësisë ka nisur procedimin penal ndaj 12 punonjësve të policisë së burgut në Shënkoll, mes tyre shef i policisë pas publikimit në gazetën Shqiptarja.com të një fotoje, ku të dënuarit po festonin me kokë qengji e raki. Në të djathtë të fotos duket edhe një i dënuar me celular iPhone, i cili gjithashtu është i ndalur në ambientet e vuajtjes së dënimit.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë fotoja është publikuar nga vetë të dënuarit. Sipas saj, nga punonjësit e policisë së burgut janë shkelur parashikimet ligjore në fuqi si dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, duke vënë në rrezik sigurinë dhe mbarëvajtjen në institucion.

Për këtë arsye janë proceduar penalisht 12 punonjës të policisë së burgjeve me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe mosmarrjen e masave. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka filluar ecurinë disiplinore për këta punonjës, sipas shkeljeve të konstatuara.

Deklarata e plotë
Ministria e Drejtësisë, në datën 25.12.2017 është vënë në dijeni nëpërmjet Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), lidhur me publikimin në rrjetet sociale të një foto-je në të cilën shfaqeshin imazhe të disa të dënuarve duke festuar brenda ambienteve të një IEVP-je me sende të ndaluara.

Nga veprimet paraprake, rezultoi se fotoja e publikuar ishte kryer në ambjentet e IEVP-së, Shën Koll Lezhë dhe është publikuar nga vetë të dënuarit.

Ministria e Drejtësisë nëpërmjet SHKBB-së, pasi kreu veprimet hetimore përkatëse, arriti në konkluzionin se nga ana e punonjësve të policisë së burgut janë shkelur parashikimet ligjore në fuqi si dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, duke vënë në rrezik sigurinë dhe mbarëvajtjen në institucion.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, u referuan aktet për fillimin e procedimit penal në ngarkim të 12 punonjësve të policisë së burgjeve, me dyshimin se këta punonjës kanë konsumuar elementë të veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, të parashikuara respektivisht nga neni 248 dhe nga neni 251 të Kodit Penal.

Konkretisht:

A.B. Shef i Policisë së IEVP-së Lezhë

E.R. Specialist i Informacionit

T.L. Përgjegjës i Shërbimit të Godinës

Gj.D. Polic i Kollonës

E.T. Polic i Sektorit

L.L. Polic i Kollonës

M.GJ. Polic i Sektorit

D.N. Polic i Kollonës

A.J. Polic i Sektorit

Gj.N. Përgjegjës i Grupit të Sigurisë

G.Rr. Polic i Grupit të Sigurisë

F.H. Polic i Grupit të Sigurisë

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka filluar ecurinë disiplinore për këta punonjës, sipas shkeljeve të konstatuara.

Ministria e Drejtësisë së bashku me strukturat ligjzbatuese është e vendosur të vërë përpara përgjegjësisë të gjithë ata punonjës të cilët me veprimet dhe mosveprimet e tyre shkelin ligjin.

te burgosurit
Fotoja e publikuar nga Shqiptarja.com në 25 dhjetor

d.b/shqiptarja.com