“Mungon ‘vera’ e qetësisë dhe e besimit në Shkodër”. Për Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Giovanni Peragine, qyteti nuk po gjen qetësi pas ngjarjeve te fundit kriminale.

Ndaj gjeti rastin të japë mesazhe të forta për shoqërinë gjate meshes solemne të festës ‘Zoja e Shkodrës’.

“Kemi jetuar dhe fatkeqësisht po jetojmë ende ngjarje dhune që na kanë prekur thellësisht në këtë qytet. Shumë shpesh gjejmë gjakun e dhunës, ngjarje që kanë ndodhur në qendër të qytetit dhe që kanë përfshirë edhe njerëz të pafajshëm. Këto ngjarje plagosin strukturën e komunitetit tonë, na frikësojnë, na bëjnë të ndihemi më pak të sigurtë, me rrezikun që të mësohemi me këtë kulturë dhune, sikur të ishte diçka e pashmangshme', tha imzot Giovanni Peragine.

Sipas kreun e kishës, qytetarët e Shkodrës janë bërë dëshmitarë të një realiteti ku dhuna shihet si rrugë e zakonshme për të zgjidhur konfliktet, një model që po ndikon sidomos tek të rinjtë.

“Të rinjtë rriten me idenë se për të qenë i respektuar duhet të jesh më i fortë se të tjerët, të sundosh, të shtypësh. Kemi detyrim të edukojmë fëmijët dhe të rinjtë tanë për paqen dhe për dialogun, për të zgjidhur konfliktet pa i’u drejtuar dhunës. Kemi detyrën t’u ofrojmë të rinjve tanë modele të tjera', tha imzot Giovanni Peragine

Vetëm një muaj më parë, më 4 shtator, Shkodra u trondit nga një tjetër atentat mafioz. 34-vjeçari Kristian Kola u ekzekutua ndërsa po pinte kafe në një lokal pranë “Kinema Republikës”, në qendër të qytetit. Dy persona e qëlluan për vdekje, duke i shtuar edhe një “plagë” tjetër të rëndë qytetit.