TIRANË, 22 Dhjetor/ATSH-Arbi Fortuzi/-.Policia e Shtetit, veçanërisht sektori për qarkullimin rrugor ka rritur kontrollet për drejtuesit e mjeteve për pije alkolike dhe thyerje të rregullave të qarkullimit.
Sipas burimeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, mësohet se në Policinë e Shtetit është lëshuar një urdhër i brendshëm, ku i kërkohet punonjësve të Policisë së Shtetit, sektorit të qarkullimit rrugor, që përgjatë kësaj periudhe festash të fokusojnë punën e tyre në lokalizimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor, që tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo persona të cilët qarkullojne të alkolizuar.
Në urdhërin e lëshuar mësohet se uniformave blu u kërkohet një bashkëpunim më i madh me drejtusit e mjeteve, duke mos qenë vetëm gjobëvenës, por dhe këshillues. Ky urdhër parashikon kontrolle të përforcuara nga ana e Policisë së Qarkullimit Rrugor, veçanërisht për konsumin e alkolit dhe shpejtësisë me të cilën qarkullojnë drejtuesit e mjeteve.
Sipas burimeve nga Ministria e Brendshme mësohet se ky urdhër vjen në kuadër të afrimit të festave të fundvitit dhe kthimit të emigrantëve, të cilët jo vetëm që shtojnë trafikun, por shpesh herë kthehen edhe në burim aksidentesh.
Burime pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se për të vënë në funksion këtë plan pune, do të rritet numri i kontrolleve për pijeve alkolike dhe veçanërisht gjatë orëve të natës, kur dhe problematika është dhe më madhe. Kujtojmë se penaliteti që një drejtues mjeti merr në rast se kapet i alkolizuar apo pa leje drejtimi varjon nga gjobë në para deri në 10-të ditë heqje lirie.
Burime pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se për të vënë në funksion këtë plan pune, do të rritet numri i kontrolleve.
Policia e Shtetit i bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të bashkëpunojnë me uniformat blu. Policia e Shtetit është në gadishmëri të plotë për të mbrojtur sigurinë dhe rendin e qytetarëve shqiptarë.
Kujtojmë se më datë 18 Dhjetor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi firmosi urdhrin që e kalon policinë në gatishmëri maksimale, për të garantuar sigurinë dhe rendin përgjatë festave të fundvitit.
Strukturat e Policisë në nivel qendror e vendor kanë hartuar dhe do të zbatojnë një plan masash për parandalimin dhe hetimin e veprimtarisë kriminale, garantimin e rendit si dhe menaxhimin e trafikut rrugor e parandalimin e aksidenteve.Masa shtesë do të ketë edhe në Pikat e Kalimit Kufitar, për të rritur standardet e shërbimit dhe për të përballuar fluksin e hyrje - daljeve të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në këto ditë festash.Departamentet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtoritë e Policisë në Qarqe, Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit, Komisariatet e Forcave Lëvizëse Operative kanë organizuar punën për zbatimin e masave gjatë kalimit në shërbim të përforcuar. Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë ngritur dhe funksionojnë grupet e drejtimit operativ. Ndërkohë, drejtuesit e strukturave të policisë vendore kanë marrë masat për parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe garantimin e rendit publik gjatë periudhës së festave të fundvitit./a.g/