TIRANË - Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ishte i ftuar i nderit, nga Komiteti Shtetëror i Kulteve, në drekën e shtruar me rastin e festave te fundvitit, me të gjithë drejtuesit e bashkësive fetare ne vend. Në mesazhin përshëndetës, Kryetari i Bashkisë ka vlerësuar se shpirti festiv i Tiranës përfaqësohet më së miri, në ndërthurjen e simboleve fetare në sheshin e kryeqytetit shqiptar.
“Mjafton t’i hedhim sytë në sheshin “Skënderbej”, ku me rënien e muzgut, ndriçojnë krahas njëra-tjetrës edhe Minarja e Xhamisë së Et’hem Beut, edhe Pema e Krishtlindjes, edhe Kulla e re e Kishës Ortodokse dhe ku ndërthuren këmbanat e kishave me këngën e muezinit që fton për lutje besimtarët, pra shpirti festiv i Tiranës përfaqësohet më së miri, në këtë ndërthurje të mrekullueshme, në këtë dhuratë të çmuar të Zotit, që është harmonia dhe bashkëjetesa fetare mes shqiptarëve”, tha Basha.
Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha siguroi drejtuesit e bashkësive fetare në vend, se në projektet e vitit të ardhshëm, secili prej komuniteteve do të gjejë tek Bashkia e Tiranës, një partner të drejtë, të ndershëm dhe të besueshëm.