Në mjediset e Bazës Ajrore të Farkës, nën kujdesin e ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u zhvillua një aktivitet me rastin e festave të fundvitit me fëmijët e pjesëtarëve të Forcës Ajrore.
 
Të pranishëm në këtë aktivitet festiv ishin ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdiaj, pilotë e teknikë të Forcës Ajrore së bashku me fëmijët e tyre.
 
Komandanti i Forcës Ajrore gjeneral brigade Vladimir Avdiaj uroi pjesëtarët e forcës që ai drejton dhe familjarët e tyre për festat e fundvitit, si dhe përmendi shkurtimisht përmirësimet që janë bërë qoftë në infrastrukturë, qoftë në trajtimin e personelit.
 
Nga ana e saj ministrja Kodheli e konsideroi këtë aktivitet, si një rast më shumë për të ndarë jo vetëm urimet për një vit të ri të mbarë, me suksese e shëndet, por edhe për të reflektuar për ngjarjet e këtij viti.

“Viti që po lëmë, është një vit mundimesh, një vit lodhje, pune, vështirësish por edhe suksesi. Dhe pavarësisht një ngjarjeje të trishtë, unë besoj që të gjithë kemi marrë mësimet që na është dashur të nxjerrim nga ajo ngjarje dhe të shkojmë përpara me shpresën që këto ngjarje nuk do na vënë poshtë, por përkundrazi, na shtojnë vullnetin dhe dëshirën për të bërë më të mirën”,- tha Kodheli, e cila nuk la pa përmendur edhe punën e sakrificat e pilotëve e teknikëve të kësaj baze.

Ju jeni në front të shërbimit ndaj qytetarëve të Shqipërisë, në front të shërbimit ndaj atdheut dhe e bëni këtë përditë, madje çdo orë pa menduar për rrisqet, pa menduar se mund të vini jetën në rrezik, ashtu siç e vini, por duke menduar më të mirën  për ata të cilët ju shërbeni, që janë qytetarët e Republikës së Shqipërisë".

[gallery]20248[/gallery] 

Në fund të fjalës së saj, ministrja Kodheli uroi efektivët e kësaj force për një vit të mbarë, si dhe shprehu gatishmërinë për të qenë pranë tyre edhe në të ardhmen: “Shpresoj shumë të kemi edhe raste të tjera për t’u takuar, biseduar, për të ndarë jo vetëm problemet siç na takon të ndajmë unë si ministër dhe ju si Forcë e Armatosur, por edhe gëzime të kësaj natyre siç është ky okazion. Ndaj edhe njëherë faleminderit për punën që bëni. Zoti jua ruajt familjet, fëmijët edhe për shumë vjet dhe më gëzime festat e fundvitit”- përfundoi Kodheli.
 
Përpara shpërndarjes së dhuratave, fëmijët e stafit të Forcës Ajrore zhvilluan edhe një program artistik me këngë e vjersha.

Gjithashtu Kodheli shpërndau dhurata për fëmijët e dëshmorit të atdheut, kapiten Floran Delia, i cili bashkë me dëshmorin tjetër Donald Hoxha ranë në krye të detyrës gjatë këtij viti.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com