Himni shqiptar u dëgjua në Gurgl të Austrisë, ku Lara Colturi fitoi për herë të parë një garë të Kupës së Botës në ski. Për presidentin e Federatës Shqiptare të Skive, Elvis Toçi besimi te fitorja ishte aq i madh, sa që para garës regjia ndërkombëtare i kishte kërkuar të bënte gati himnin. Pas triumfit, ai e përmblodhi emocionin në Report Tv me një fjali: “Sot ishte dita e Shqipërisë.”

“Ne e prisnim. Unë kam qenë shumë i sigurt. Një presidenti nuk i takon të deklarojë para garës që ne sot do të shpallemi kampionë bote. Ishte një ndjesi që e kisha. Madje, sot edhe regjia ndërkombëtare më kërkonte të përgatisnim himnin, sepse Lara po tregonte që këtë sezon është shumë solide. Kishte dy vende të dyta dhe duhet thënë edhe një gjë tjetër që ishte në favorin tonë. Sot mungonte kampionia absolute e botës, Mikaela Shiffrin.

Por kjo e bëri shumë të bukur garën, sepse, siç po e tregoni edhe ju nëpërmjet regjisë, pikërisht kur garoi Lara në zbritjen e parë, ajo u mbështet tërësisht tek instinkti. Kishte një mjegull të dendur, të paparë ndonjëherë. Lara nuk dallonte as dy metra përpara. Ishte një çmenduri zbritja e parë. Konkurrentet e Larës u skualifikuan që në zbritjen e parë dhe unë isha i sigurt që Lara sot do të shpallej kampione bote. Nuk e di, Zoti na kishte dhënë një ndjesi që sot ishte dita jonë. Sot ishte dita e Shqipërisë”, tha Elvis Doçi për Report Tv.

Colturi e mbylli zbritjen e parë në vendin e dytë, mes një mjegulle aq të dendur sa, sipas Doçit mezi shihte dy metra përpara. Në zbritjen e dytë, skiatorja kuqezi përmbysi renditjen dhe e fitoi garën ndaj suedezes Sara Hector. Për Toçin, momenti kur u dëgjua himni ishte kulmi i një rrugëtimi katërvjeçar.

“Gjatë këtij rrugëtimi kaq të gjatë me Larën, katër vite pa ndërprerje, kemi provuar shumë aventura, shumë gjëra të bukura, po himni i Shqipërisë dhe ata lot që na dolën sot ishin të paimagjinueshëm dhe dua t’i ndaj me të gjithë teleshikuesit tuaj. Ishte një ditë e jashtëzakonshme. Ishte një ditë që s’do të harrohet. Ne do të kemi edhe shumë podiume të tjera, por hera e parë s’do të harrohet”, vijon Toçi.

Kur flet për lidhjen e Colturit me Shqipërinë, Toçi kujton udhëtimin që ajo bëri këtë verë nëpër vend, me iniciativën e saj. Sipas tij, kjo lidhje është forcuar gjatë viteve që skiatorja ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi dhe tashmë ndihet shqiptare.

“Unë jam shumë krenar që Lara çdo ditë e më shumë ndihet shqiptare, sepse e kam thënë gjithmonë që njerëzit kanë të drejtë të zhvillojnë karrierën e tyre në çdo vend. Ne kemi shumë shqiptarë që ndihen grekë, ndihen italianë dhe me të drejtë absolute. Ne kemi Ermal Metën që fiton Sanremon. Ne kemi Dua Lipën që është këngëtare botërore. Pse të mos kemi një italiane që ndihet shqiptare?

Lara Colturi e ndjek flamurin shqiptar, e ndjek himnin shqiptar, e ndjek bujarinë tonë. Ajo zhvilloi një karrierë dhe sot unë mendoj se Lara është një shqiptare e vërtetë, një shqiptare që bëri të këndohet himni ynë. Këtë gjë shumë pak shqiptarë kanë arritur ta bëjnë”, shprehet Presidenti i Federatës së Skive.

Fitorja në Austri e ngjiti Colturi për herë të parë në krye të renditjes së përgjithshme të Kupës së Botës. Pas tri garave, ajo ka 260 pikë, 68 më shumë se gjermania Emma Aicher, me të cilën ndante kryesimin para slalomit të Gurglit. Sezoni është ende në fillim, por Toçi pret fitore të tjera.

“Sot jemi në klasifikimin e përkohshëm. Jemi në vendin e parë, shumë larg atleteve të tjera në tri garat e para, por natyrisht mbetet akoma shumë për të arritur, për të qenë në krye deri në fund të sezonit. Gara e fundit është më 24 mars në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është gara përfundimtare ku, me këtë ecuri që kemi filluar, unë mendoj që do të lodhemi së dëgjuari himnin tonë kombëtar”, vijon ai.

Skiatorja e cila përfaqëson ngjyrat kuqezi, për herë të parë ka arritur të triumfojë në një garë të Kupës së Botës. 20-vjeçarja zuri vendin e parë në Slalom-in e Austrisë.