FT/ Shqipëri 0-2 Angli (Kane 74', 82')
TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit e ka mbyllur Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026 në vendin e dytë me 14 pikë, pas katër fitoreve, dy barazimeve dhe dy humbjeve (të dyja me Anglinë). Kuqezinjtë e Sylvinhos tanimë e kanë siguruar fazën play-off dhe më 20 nëntor do mësojnë rivalin për ndeshjen që do luhet më 26 mars 2026. Finalet e Botërorit për kuqezinjtë kalojnë nga play-off, ndërsa Anglia si e para e grupit (me tetë fitore) e ka siguruar vendin në eventin që do zhvillohet verën që vjen në Amerikën e Veriut.
Ndeshja në "Air Albania" nisi me ritëm të lartë për tanët, të cilët patën disa raste shumë të mira me Hoxhën dhe Uzunin. Kuqezinjtë nuk mundën të shënonin as në pjesën e dytë kur Hoxha kishte shansin më të mirë, duke gabuar nga një "penallti në lëvizje", apo edhe me Bajramin. Në disa raste Thomas Strakosha u tregua deçiziv me ndërhyrjet e tij, por nuk kishte çfarë të bënte në minutën e 74-t, kur Harry Kane vendosi heshtjen në stadiumin ku ishin 22 mijë tifozë.
Një krosim nga këndorja u devijua jo si duhet nga Aliji dhe topi u kthye në asist për sulmuesin e Bayern Munich, që nuk fali përballë Strakoshës nga pranë portës. Sërish Kane në minutën e 82-të gjeti golin e dytë pas pasimit final të Rashford.
Fundi ishte i hidhur për Armando Brojën, i cili pas 15 minutave në fushë gjatë një driblimi dëmtoi kaviljen e djathtë dhe doli nga fusha mes lotësh me barelë. I pafat 23-vjeçari që pritet të mësojë gjendjen pas testeve mjekësore.
Kështu, Anglia prish serinë e Shqipërisë e cila kishte tetë ndeshje radhazi pa humbje (mes ndeshjeve miqësore dhe zyrtare). Humbja e fundit e kuqezinjve ishte në 21 mars 2025 në Londër, po 2-0 kundër Anglisë për Grupin K.
Në gjithë historinë e përballjeve mes dy skuadrave, Anglia na ka mposhtur në tetë ndeshjet e luajtura, duke na shënuar edhe 23 gola në total. Shqipëria i ka shënuar vetëm një gol Anglisë, me Altin Rrakllin në 28 mars 2001, në humbjen 1-3 në "Qemal Stafa".
Si përfundim, Shqipëria ia doli të arrijë objektivin dhe la pas Serbinë, Letoninë apo edhe Andorrën, duke shpresuar për vazon e dytë në shortin e UEFA-s për fazën play-off.
Momentet më të rëndësishme të ndeshjes:
90+5' Mbyllet 0-2 ndeshja në Tiranë.
89' Probleme serioze për Armando Brojën. Sulmuesi nuk vazhdon dot lojën dhe shpërthen në lot, për shkak të dhimbjeve. Largohet me barelë.
82' GOOL! Sërish Harry Kane shënon për Anglinë pas asistit të Rashford. 8 gola në tetë ndeshje për Kane këto kualifikuese.
81' Mundësi e mirë për Gjimshitin, tentativa me kokë nga mbrojtësi shkon mbi portë.
75' Zëvendësim te Shqipëria. Largohet Nedim Bajrami dhe futet Armando Broja.
74' GOOL! Harry Kane kalon në avantazh Anglinë. Krosimi nga këndorja devijohet nga Aliji dhe topi shkon në këmbët e Kane, i cili nuk gabon nga pranë portës duke mposhtur Strakoshën.
67' Arbër Hoxha bën çfarë do nga krahu i majtë, driblon Belligham dhe topi përfundon te Bajrami që godet jashtë.
62' Rice dhe Eze dalin nga fusha, Foden dhe Saka në lojë për Anglinë.
57' Eze i vetëm në zonë, goditja e tij devijohet në këndore nga Strakosha.
51' Rasti më i pastër i takimit. Arbër Hoxha s'i beson syve se çfarë ka humbur nga brenda zone, një 'penallti në lëvizje' ndalet nga gardiani mik.
49' Arbër Hoxha lëshon një 'predhë' nga jashtë zone, devijon në këndore Henderson.
46' Nis pjesa e dytë pa zëvendësime.
45+1' Mbyllet 0-0 pjesa e parë në 'Air Albania'.
45' Një minutë shtesë.
38' Ndërhyrje e ashpër ndaj Asllanit. Ndëshkohet me karton të verdhë Wharton.
37' Bowen provon diagonal nga brenda zone, pret Thomas Strakosha. E devijon topin në këndore.
30' Hoxha tenton të mbyllë aksionin me Uzunin dhe fiton këndore.
25' Ivan Balliu futet në fushë, merr vendin e Hysajt. Shkodrani ka rekordin e ndeshjeve të luajtura me Kombëtaren, 96-të.
24' Elseid Hysaj shfaq probleme dhe nuk vazhdon dot lojën.
18' Elseid Hysaj bën gjithçka mirë, goditja nga jashtë zone shkon pak mbi traun e portës.
15' Ylber Ramadani ndëshkohet me karton të verdhë, Guida nuk e fal ndërhyrjen ndaj Kane.
7' Zbritje e shpejtë e Anglisë. Kane tenton të mbyllë aksionin me Rice, por ndalin Ismajli dhe Strakosha.
5' Goditja e parë nga këndi për Shqipërinë. Hoxha lëviz bukur nga e majta dhe fiton këndore. Kroson Asllani, por largohet topi nga Bowen.
4' Vjen goditja e parë në portë. Provon Declan Rice, por ndal Thomas Strakosha pa shumë vështirësi.
1' Nis ndeshja me topin e parë shkelmuar nga miqtë.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni Trajner: Sylvinho
Anglia (4-3-3): Henderson; Burn, Quansah, Stones, O'Reilly; Bellingham, Wharton, Rice; Eze, Bowen, Kane Trajner: Thomas Tuchel
Renditja:

Shqipëria humbi 0-2 kundër Anglisë në "Air Albania", sfidë kjo e fundit për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026. Më i miri i ndeshjes padyshim ishte Harry Kane që shënoi dy gola, me "SofaScore" që e vlerësoi me notën 9,0.
Te Shqipëria, Qazim Laçi u vlerësua me notën 6.9, ndërsa Thomas Strakosha ishte më i miri me notën 7,5.
Notat e ndeshjes Shqipëri - Angli:

Shqipëria dhe Kosova do kërkojnë një biletë për në fazën finale të Kupës së Botës 2026, por nga zona play-off. Të dyja skuadrat i mbyllën grupet respektive në vendin e dytë. Zyrtarisht Shqipëria dhe Kosova do jenë në vazon tre të play-off-it të Kupës së Botës 2026, duke shmangur një përballje mes tyre në gjysmëfinale, por ndeshjet do i zhvillojnë në transfertë.
Për momentin rivalët e mundshëm të dy skuadrave janë Skocia, Çekia, Sllovakia dhe Uellsi. Dilema e vetme është renditja e Irlandës, pasi nëse ngjit shkallë në pozicionet e FIFA-s mund të këmbejë vazot me Uellsin.
Faza play-off e Kupës së Botës 2026 ka filluar të bëhet më e qartë. Më 19 nëntor FIFA do shpallë edhe renditjen zyrtare, nga e cila do vendoset edhe ndarja e 16 skuadrave në katër vazot përkatëse të fazës play-off, megjithëse ndryshimet do jenë minimale.
Më 20 nëntor në Nyon të Zvicrës duke nisur nga ora 13:00 do hidhet edhe shorti për të mësuar ndeshjet gjysmëfinale të play-off, të cilat do luhen më 26 mars.
Si funskionon play-off
12 skuadrat e renditura të dytat nga grupet kualifikuese të zonës UEFA dhe 4 skuadrat më të mira nga Liga e Kombeve do bashkohen në një short. 16 skuadrat do ndahen në katër vazo (1,2,3,4) sipas renditjes në FIFA, që do të thotë se gjithçka është e hapur deri në ndeshjen e fundit kualifikuese.
Ekipi i Sylvinhos ndodhet në vazon e tretë (3) në shortin play-off së bashku me Kosovën dhe kanë rivalë ekipe si Skocia, Çekia, Uellsi apo edhe Sllovakia.
UEFA ka vendosur që ekipet e vazos 1 të përballen me ato të vazos 4 (ekipet që vijnë nga Liga e Kombeve). Ndërsa ekipet e vazos 2 do përballen me ato të vazos 3. Në këtë fazë UEFA i jep përparësi ekipeve me koeficient më të lartë në renditjen mujore të FIFA-s dhe për rrjedhojë skuadrat e vazos 1 dhe ato të vazos 2 do i zhvillojnë ndeshjet në shtëpi.
Duelet gjysmëfinale do jenë me një takim dhe nëse gjatë 90 minutave nuk ka fitues, ndeshjet shkojnë në shtesë dhe më pas me penallti.
Fituesit që do dalin nga këto çifte (8 skuadra), do përballen në finalet me një takim sipas një shorti që veç rivalëve, vendos edhe vendin e zhvillimit të ndeshjes, pa preferenca nga koeficienti. Këtu futen në lojë të teta skuadrat (nëse kualifikohet edhe Shqipëria).
Pra në rastin më të mirë Shqipëria do ketë edhe dy takime në play-off e Kupës së Botës. Në rastin më të keq, do luajë vetëm një duel. Gjysmëfinalet play-off luhen më 26 mars, ndërsa ato finale më 31 mars 2026.
Ndarja momentale e vazove të shortit play-off:
Vazo 1: Itali, Turqi, Poloni, Ukrainë
Vazo 2: Skoci, Çeki, Sllovaki, Uells
Vazo 3: Irlandë, Bosnjë Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë
Vazo 4: Maqedoni e Veriut, Rumani, Suedi, Irlandë e Veriut

Kryeministri Edi Rama ka falënderuar Kombëtaren shqiptare pas përfundimit të ndeshjes së fundit të Grupit K për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, ku Shqipëria u mposht 0-2 nga Anglia në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shpreh krenarinë dhe mirënjohjen për përpjekjet e kuqezinjve, duke theksuar performancën e tyre të barabartë me një superfuqi si Anglia për më shumë se 70 minuta.
Ai gjithashtu inkurajon skuadrën për fazën e play-off-it të Botërorit.
“Faleminderit. Pavarësisht rezultatit, në një ndeshje ku për më shumë se 70 minuta kuqezinjtë ishin thjesht të barabartë me një superfuqi si Anglia, skuadra jonë meriton mirënjohje dhe respekt te madh për arritjen historike të vendit të dytë në grupin eliminator të Botërorit. Tani pllei ofi. Forca Shqipëri!”, shkruan Rama.
Kombëtarja shqiptare e futbollit humbi 0-2 nga Anglia në Tiranë. Trajneri i tanëve, Sylvinho, tha se është krenar për lojën e djemve kuqezi. Braziliani ceku edhe dëmtimin e Brojës.
“Sa i keqardhur jeni? Krenar për të gjithë futbollistët e mi. Luajtëm mirë ndaj një ekipi që synon gjysmëfinalen ose finalen e këtij kompeticioni. Është një skuadër e vështirë për t’u barazuar pas këtij momenti.
Nga Anglia te Anglia, të dyja të humbura 2-0. Si është progresi i ekipit? Kemi përmirësuar të dyja ekipet. Një punë e madhe është bërë nga stafi dhe lojtarët. Edhe ekipi i Anglisë ka ndryshuar nga ndeshja e parë dhe është një skuadër që nuk ka pësuar gol.
Pas golit skuadra nuk reagoi, e kishit ndarë mendjen për barazimin? Në fakt është Anglia ajo që nuk të lejon të reagosh. Nëse hap lojën pas një goli të bën që të pësosh më shumë.
Keni ide se si do të luani? Me Kombëtaren nuk ka shumë kohë. Koha kalon shumë shpejt dhe shpresoj që futbollistët të kenë formën e duhur. Duhet të shikojmë shortin javën tjetër për të mësuar më shumë.
Pritshmëritë shumë të larta? E vërtetë që kemi patur një moment të vështirë. Skuadra tashmë është e ndërtuar nga dora ime, e Zabaletës, Dorivas dhe Bulkut.
Play -off, Çekia, Sllovakia, Skocia dhe njëra mes Uellsit ose Irlandës, i ke ndjekur?
Do të shkojmë në Britaninë e Madhe apo jo? Nuk i njoh ekipet, deri tani kam analizuar ekipet që kam patur në këtë grup dhe nga java e tjetër do të mendoj për skuadrat e tjera.
Broja? Asnjëherë lojtari nuk është problem, kur është në formë të mirë është një plus për skuadrën. Është dëmtuar dhe ende nuk kam folur me të dhe me mjekun dhe do të mësoj më shumë mbi dëmtimin e tij. Është mirë kur një lojtar është gati për të luajtur”, ka theksuar braziliani për Supersport.
Pas humbjes 0-2 nga Anglia në Tiranë, Kristjan Asllani foli për mediet. Mesfushori i Kombëtares tregoi gjendjen e Brojës.
“Ndeshje shumë e vështirë, e dinim që do vinin të bënin këtë ndeshje. U mbrojtëm mirë, pësuam golin me goditje këndi. Por besoj se ekipi bëri ndeshje shumë të mirë, lamë shpirtin në fushë dhe jemi të lumtur për këtë. Na vjen shumë keq se çdo lojtar do ta fitojë ndeshjen, e dimë që Anglia është një ekip që mund të fitojë Botërorin.
Por jemi të lumtur që kemi bërë paraqitje shumë të mirë dhe jam i lumtur për gjithë ekipin. E dinim, se i kishim parë në video se Anglia bën një presion të mirë, sa humb topin bën presing.
Broja? Nuk e di, është me doktorin, po bëjnë teste dhe shpresojmë të mos ketë një dëmtim. Deri tani kavilja nuk ishte enjtur dhe ishalla të mos vazhdojë e tillë. Vetëm të mos ketë një dëmtim Armando. Nuk e meriton, të kthehet ishalla mirë në mars se na duhet, kemi nevojë për të. Ishalla nuk kemi dëmtime”, tha Asllani për Supersport.
Sulmuesi anësor i Kombëtares foli pas humbjes 0-2 nga Anglia në Tiranë.
“Nuk e merituam humbjen, bëmë një ndeshjen shumë të mirë nga ana taktike. Unë kisha 2 situata, para se të pësonim golin. Harry Kane 70 minuta nuk u pa në ndeshje, një rast iu desh për të shënuar.
U munduam të bëjmë më të mirën, armën më të fortë kam lojën 1 kundër 1, nuk arritëm të marrim rezultat pozitiv. Më dhemb ky fakt, sepse bëmë ndeshje të mirë.
Do Zoti po vazhdoj më këtë ritëm dhe të ndihmoj Kombëtaren shumë edhe më shumë. Nuk e pashë Bellinghamin kur erdhi, mendova t’i gjuaja portës, ishte rast i pastër për gol, u fut sparkatë, ky është nivel i lartë i futbollit", tha ai për Supersport.
Thomas Tuchel, trajneri i Anglisë ka komplimentuar kombëtaren shqiptare duke i uruar një kualifikim për në Botëror. Anglia fitoi 0-2 në Tiranë me dopietën e Kane.
"Nuk ishte e thjeshtë. Ishte një ndeshje e vështirë, siç e kemi parashikuar. Shqipëria është e fortë, ka pësuar 5 gola, 4 nga ne. Ka stadium të mirë, skuadër me cilësi dhe trajner të mirë. Skuadra ka bërë progres, ka mundësi për të bërë më mirë.
Jam shumë krenar për rekordin e 0 golave të pësuar. Është e mundur të shihemi në Kupën e Botës, i kemi të gjitha mundesitë dhe kualitetet. Ishte e rëndësishme të shënonim golin e parë të ndeshjes, morëm një avantazh të jashtëzakonshëm dhe arritëm ta menaxhonim", tha Tuchel pas ndeshjes.

Shqipëria humbi 0-2 nga Anglia me dopietën e Harry Kane në Tiranë. Pas ndeshjes për mediet foli sulmuesi i Bayern Munich.
“Ishte një ndeshje vërtet e vështirë, një nga më të vështirat që patëm në grup. Na u desh të ishim të duruar dhe t’i bënim presing, gjë që e bëmë dhe përfunduam me një fitore 2-0 dhe një tjetër rrjetë të paprekur.
Në pjesën e parë bëmë goditje nga jashtë portës, pastaj kur hyri Saka, e dinim sa i mirë është ai me shtyllën e parë. Kështu që shkuam në shtyllën e parë, patëm pak fat me goditjen standarte, por për fat të mirë isha aty për ta devijuar.
Nëse do të shkosh larg në çdo turne, të nevojitet një skuadër e tërë, të nevojiten lojtarë që nuk janë vetëm titullarë, që vijnë nga stoli dhe bëjnë diferencën. Kështu është futbolli. Nuk janë vetëm 11 që luajnë, djemtë hyjnë dhe bëjnë diferencën", tha ai.

Ndeshja mes Shqipërisë dhe Anglisë po zhvillohet sot në stadiumin Air Albania, ku tifozët po ndjekin me padurim çdo moment të takimit. Mes tyre, jo pak herë i kapur nga kamerat, është edhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Kreu i SPAK duket pranë familjarëve të tij.

Pas 51 ndeshjeve të luajtura me Kombëtaren, 35-vjeçari Amir Abrashi i ka dhënë lamtumirën ekipit kuqezi. Ai u nderua nga FSHF para ndeshjes me Anglinë dhe u përshëndet nga tifozët.
"51 ndeshje si kuqezi, kilometra pafund të bëra, pjesë e historisë së Kombëtares, dy pjesëmarrje në Europian. Amir Abrashi ka shkruar emrin e tij me gërma të arta në historinë e futbollit shqiptar dhe meriton vlerësimin maksimal nga çdo tifoz kuqezi", njofton FSHF.
Abrashi ka qenë pjesë e Kombëtares në Euro 2016 në Francë dhe Euro 2024 në Gjermani.
Me duartrokitje dhe brohorima është pritur ekipi i Shqipërisë gjatë daljes për nxehmjen e zakonshme para ndeshjes kundër Anglisë. Tifozët po vijojnë të mbushin stadiumin 'Air Albania', teksa gjithë biletat janë shitur (22 mijë).
Me veshje kombëtare, valle dhe këngë patriotike, tifozët e Kombëtares të ngjyrosur kuqezi e kanë kthyer në festë këtë mbrëmje në rrugët e Tiranës. Përpara ndeshjes me Anglinë e cila nis sot në orën 18:00 në "Air Albania", kuqezinjtë po krijojnë një atmosferë unike ku nuk mungojnë flakadanët.
Tifozët kuq e zi të mbledhur në zemër të Tiranës për të ndjekur së bashku ndeshjen Shqipëri-Angli, e cila do të luhet në orën 18:00 në Air Albania, duket se janë të përgatitur emocionalisht për të përballuar edhe një rezultat jo pozitiv të mundshëm të kombëtarës shqiptare.
Por, krahas kësaj, ata shpresojnë që ekipi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës të mos kenë nevojë për një përballje mes tyre, dhe të kualifikohen së bashku në Botëror.
“Me Anglinë është festë, nuk ka rëndësi rezultati, ne do festojmë. Shpresojmë të kualifikohemi në play-off. Kemi dhe Kosovën, nuk duam të ndeshemi me ata. Rëndësi ka të shkojmë në botëror. Pas ndeshjes me Andorën, që ishte ndeshje e vështirë çështje e drejta, u shfaqën mirë. Ndërkohë sot do festojmë, siç po festojmë, siç e sheh.”
“Edhe Shqipëria edhe Kosova jemi në play-off, tani shpresojmë që të përfaqësohet minimum një nga 2 ekipet e kombit shqiptar, të jetë në botëror, të përfaqësojë këtë tifozeri të madhe kudo në botë.”
“Numër një në botë, nuk të tjera fjalë për Shqipërinë.”
“Besoj që do të shkojnë të dyja në botëror (kombëtarja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës).”

Shqipëri - Angli merr jetë sot në orën 18:00 në 'Air Albania'. Trajnerët Sylvinho dhe Thomas Tuchel kanë zbardhur edhe rreshtimet në fushë. Trajneri i tanëve, Sylvinho, ka vendosur të bëjë pesë ndryshime nga ndeshja e fundit e fituar 0-1 në Andorra tre ditë më parë. Në mbrojtje do luajnë Ismajli dhe Ajeti, ndërsa Ramadani merr një vend në mesin e fushës. Uzuni e Bajrami e nisin nga minuta e parë, teksa Broja është në stol.
Formacionet zyrtare:
Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Aliji; Asllani, Ramadani, Laçi; Hoxha, Bajrami, Uzuni Trajner: Sylvinho
Anglia (4-3-3): Henderson; Burn, Quansah, Stones, O'Reilly; Bellingham, Wharton, Rice; Eze, Bowen, Kane Trajner: Thomas Tuchel
Shqipëri - Angli, vendosja në fushë
Kombëtarja shqiptare e futbollit siguroi për herë të parë fazën play-off të një Kupe Bote. Kuqezinjtë e Sylvinhos fituan 0-1 në Andorra dhe do e mbyllin Grupin K në vendin e dytë, me Anglinë si kryesuese që e ka siguruar tashmë kreun dhe një biletë për në finalet e Kupës së Botës 2026.
Sot në Tiranë kalendari përplas Shqipërinë me Anglinë në orën 18:00. Me dy skuadrat që i kanë siguruar objektivat, kjo sfidë luksi më shumë i ngjan një miqësoreje për tifozët, por jo për futbollistët dhe stafet.
Tanimë UEFA ka vendosur që në Tiranë të gjykojnë arbitrat nga Italia. Kryesori Marco Guida do mbështetet nga ndihmësit Giorgio Peretti, Alessio Berti dhe Simone Sozza. Në VAR do jenë Marco Di Bello dhe Valerio Marini.
Shqipëria dhe Anglia janë përballur shtatë herë më parë. Në të gjitha rastet ka fituar Anglia, ndërsa ne i kemi shënuar 'Tre Luanëve' vetëm një herë, në humbjen 1-3 në 'Qemal Stafa' më 28 mars 2001, me gol nga Altin Rraklli. Ndërkohë që Anglia na ka shënuar 21 gola.
Takimi i fundit mes skuadrave është më 21 mars 2025, kur në Londër, Anglia fitonte 2-0. Kjo është edhe ndeshja e fundit që Shqipëria ka humbur këtë vit, teksa më pas Kombëtarja ka gjashtë fitore (pesë radhazi) dhe dy barazime. Anglia, në shtatë ndeshjet e kësaj fushate kualifikuese ka shtatë fitore. 'Tre Luanët' nuk kanë pësuar asnjë gol, duke shënuar 20-të. Misioni i Shqipërisë në "Air Albania" duket i vështirë.
Në konferencën para ndeshjes që luhet sot, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel e ka pranuar se ekipi i tij nuk do e ketë të lehtë të shënojë në Tiranë.
“Shqipëria dhe Serbia gjithmonë kanë pasur lojtarë të talentuar që luajnë në kampionatet e fortë dhe menduam që ishin dy skuadra që duheshin mundur. Tani shohim që Shqipëria e meritoi plotësisht vendin e dytë. Është shumë e vështirë të krijosh dhe të realizosh raste kundër tyre. Mendoj se ne do ta dominojmë ndeshjen”, tha Tuchel mes të tjerash.
Shqipëri - Angli merr jetë sot në orën 18:00 në 'Air Albania'. Anglia është e pamposhtur në këtë fushatë kualifikuese, teksa ka pësuar vetëm një gol. "Tre Luanët" zyrtarisht janë në finalet e Kupës së Botës 2026, ndërsa Shqipëria do e kërkojë suksesin nga faza play-off, e cila luhet në marsin që vjen.
Në orën 18:00 nis ndeshja kundër Anglisë në "Air Albania" dhe mijëra tifozë të Kombëtares janë tubuar përgjatë Bulevardit "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë. Me ngjyrat kuqezi dhe me qeleshe, këngë dhe valle patriotike, dueli pritet me interes dhe do kthehet në festë, pasi si Shqipëria dhe Anglia i kanë arritur objektivat. Sot më shumë ndeshja do jetë një 'miqësore luksi'.
Komente












Shume mire luajtem, krijuam 2-3 raste se aq te lejon ai ekip. Ne duhej te ishim perfekte (ishim shume mire) e ata pa shenjester. Urime kombetares.
PërgjigjuASNJEHERE NUK KEMI FITUAR ME ANGLINE...
PërgjigjuBroja lojtari me vari lesht. 24 vjec dhe hunda perpjet. As aktiv, as per gje. Pret vetem topin tja japin te kembet.
Përgjigju