Festivali i Filmit, Alison Frank
britanikja kryeson jurinë

Festivali i Filmit, Alison Frank<br />britanikja kryeson jurinë
Nis më 26 gusht edicioni V i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Durrësit që do të "ndalojë", siç thonë organizatorët edhe "në qytetet e Tiranës, Vlorës, Pogradecit dhe Sarandës me disa shfaqje filmash menjëherë pas festivalit". Anila Varfi, drejtore e këtij Festivali, thotë se ky edicion që do të zgjasë deri më 30 gusht. Organizimi i festivalit është bërë në bashkëpunim me festivalet e tjerë në ShBA, Bullgari, Rumani, Egjipt, Itali dhe Portugali, me të cilët është themeluar organizmi "Festival network", thotë Varfi. Sipas saj filmat fitues të festivaleve të Durrësit do të shfaqen edhe në edicionet pasardhëse të këtij networku. Varfi pohon se "Mbrëmjet e këtij festivali do t'u kushtohen jo vetëm filmave konkurrues, por edhe "Të ftuarve të Nderit", kinemasë dhe kulturës frankofone". Festivali i këtij viti nuk do të ketë përmasat e një viti më parë. Fondet janë zvogëluar, por megjithatë ndryshe nga shumica e festivale që dështuan krejtësisht për mungesë fondesh, festivali i filmit ka mbijetuar. Kështu që më 26 gusht nis dita e parë e këtij festivali, pohojnë organizatorët për median dhe shtojnë se filmi që do të hapë festivalin në amfiteatrin e Durrësit do të jetë "Les Bien -Aimes" nga Christophe Honore. Sipas drejtores Anila Varfi do të ketë edhe një program me tre filma të tjerë, që do të përcjellë kulturën kinematografike franceze gjatë ditëve të tjera të këtij edicioni. Për sa u përket filmave që do të marrin pjesë në konkurrim, do të jenë vetëm gjashtë prej tyre, produksione evropiane të viteve të fundit. Këta Filma do të konkurrojnë në seksionin "Vizione Bashkëkohore", duke synuar "Gladiatorin e artë" për filmin më të mirë si dhe çmimet për regjinë, aktorin dhe aktoren më të mirë. Organizatorët konfirmojnë edhe ardhjen e një prej emrave më të njohur për kinemanë botërore, britaniken Alison Frank, e cila do të kryesojë jurinë e Festivalit. Pra kritikja e njohur britanike Alison Frank do të jetë Presidente e Jurisë për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit që do të zhvillohet së shpejti në Durrës. "Nuk do të mungojnë edhe në këtë edicion konkurrimet për Filmin më të mirë ballkanik, Çmimi i Publikut dhe Çmimi i Kritikës (FIPRESCI), etj", thotë Varfi. Amfiteatri i hapur romak, 2.800 vjeçar, do të jetë edhe këtë vit sfondi për ceremoninë e dhënieve të Çmimeve të Argjendta të Durrësit, të cilat nderojnë regjisorë, aktorë aktore, figura në zë të artit kinematografik të cilët kanë dhënë kontribute të rëndësishme për kinemanë. Çmimi është krijuar nga skulptori Prof. Sadik Spahia dhe modeli është prodhuar nw Itali nga "Argenti Preciozi". "Pjesëmarrja në edicionet e kaluara e yjeve dhe legjendave të kinemasë botërore si, Francis Ford Coppola, Claudia Cardinale, Fanny Ardant, Nik Poëell, Rade Serbedzija, Lech Majewski, Kryzstof Zanussi, Jiri Menzel, Jan Harlan, Enrico Lo Verso, Maia Morgenstern, Paolo Sorrentino, etj i ka dhënë zë festivalit, pohojnë organizatorët. Por megjithëse organizatorët komentojnë se "të ftuarit e këtij niveli e kanë bërë mjaft popullor Festivalin Ndërkombëtar të Filmit që do tw zhvillohet në Durrës për të pestin vit radhazi", duket se këtë vit nuk do të ketë as të ftuar të atij niveli, as shumë vende pjesëmarrëse. Organizatorët vetë pohojnë se në këtë festival do të zotërojnë më shumë filmat francezë, sepse siç e thotë organizatorja Varfi "E ftuara e Nderit" e këtij edicioni është kinematografia franceze, nga e cila do të shfaqen 4 filma".

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë

Nga kamerier në Mykonos, në mikpritës turistësh në Fishtë