/ATSH/.- Aktorja e mirënjohur e teatrit dhe filmit, Yllka Mujo, fitoi çmimin e karrierës në Festivalin e Filmit të Komedisë në Monte Karlo, ku po zhvillohet edicioni i 12-të i këtij eventi të rëndësishëm artistik.
Yllka Mujo është anëtare e jurisë së këtij edicioni, artistja e parë shqiptare që përfaqësohet në këto nivele të filmit ndërkombëtar.
E pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. "Fantastike!!! Krenare për karrierën dhe vlerësimin e aktores sonë Yllka Mujo", shkruan ajo në Facebook.
Krah artistëve të mirënjohur në skenat botërore si Giancarlo Giannini, Franco Nero, Robert Hossein, Philippe Leroy, Maria Grazia Cuccinota, Peter Bogdanovich, etj, çmimin për karrierën e mori edhe aktorja shqiptare Yllka Mujo.
"Arti hap më shpejt skenat dhe dritaret për të folur e paraqitur Shqipërinë në mënyrë dinjitoze", shkruan Kumbaro