"Festo, por mos fluturo me automjet në rrugë, respekto rregullat e qarkullimit që të arrish i sigurt në destinacion, që të mos vrasësh jetën e t'u venitësh festën familjarëve". Ky është mesazhi i Policisë Rrugore, në zbatim të planit të masave për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Në aksin rrugor Tiranë-Elbasan-Tiranë vijon monitorimi me radar dhe gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 16 leje drejtimi, për shpejtësi që varionte nga 151 km/h deri në 174 km/h.
Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat, të festojnë, por të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të festojnë, por të mos fluturojnë në rrugë, të respektojnë sinjalistikën rrugore për shpejtësinë e lejuar e të respektojnë të drejtën e këmbësorëve, duke respektuar vijat e bardha dhe në ato raste ku ato mungojnë t’u japin përparësi këmbësorëve për të kaluar.
Njëkohësisht, Policia Rrugore apelon edhe për përdoruesit e biçikletave dhe të motoçikletave, që të tregojnë kujdes e të respektojnë sinjalistikën, të ndriçojnë biçikletat me pajisje fosforeshente për natën dhe motoçiklistët të vendosin kaskat mbrojtëse. Këmbësorët të kontrollojnë rrugën nga të dyja senset e lëvizjet dhe pastaj të vijojnë lëvizjen aty ku s’ka semafor dhe vija të bardha, ndërsa në rastet ku është sinjalistika të respektojnë atë për të kaluar nga një krah në tjetrin.