Fevziu: Me Hoxhën bëhen
dhjetëra dokumentarë

Fevziu: Me Hoxhën bëhen<br />dhjetëra dokumentarë
Dokumentari i Blendi Fevziut mbi historinë e diktatorit Enver Hoxha u shfaq mbrëmë në Kinema Milenium dhe përveç të panjohurave për veprimtarinë sekrete të Enver Hoxhës, ka bashkuar dje shumë personalitete në një tryezë.

Mes tyre spikasnin Kryeministri Berisha, kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli, kryebashkiaku Basha, ambasadori Arvizu, kandidati i vetëshpallur për president të Republikës, Fatos Nano, si dhe figura të tjera nga fusha e biznesit, artit dhe kulturës. Ra në sy mungesa e liderit socialist Edi Rama. Shfaqja e filmit zgjati 88 minuta, sipas të gjitha atyre etapave që shkoi jeta e Enver Hoxhës.

Në dokumentar shfaqeshin filmime speciale nga arkivi i shtetit të cilat shoqëroheshin nga shënimet që janë edhe në librin "Enver Hoxha" të Fevziut. 76 vitet e jetës se diktatorit nisin me ditët e fundit të jetës së tij, "kur komunikimi me boten përreth ishte bërë fare i zbehtë", tha Fevziu. Fevziu e ka ndjekur jetën e diktatorit hap pas hapi, duke iu referuar gjithë materialit dhe dëshmive të mundshme. Ka spikatur me detaje portretin e Hoxhës dhe zonjës së tij Nexhmije. Figura e Hoxhës u shfaq gjakatare, vrasës, cinik dhe person me nivel të ulët, veti këto të zbardhura nga arkivat e censuruara të kohës. Detaje interesante që jepnin urinë dhe lakminë e diktatorit për pushtet, nisin që nga vitet 40 që nga krijimi i partisë komuniste, autokritika implikuese në plenumin e Beratit, etj. Historia e këtij dokumentari është një histori e trishtë e një njeriu që sundoi për më shumë se gjysmë shekulli në historinë shqiptare. "Gjithsesi është një histori që ne duhet ta shohim në sy, sepse vetëm duke e parë në sy do të jemi më koshientë për atë që ka ndodhur dhe për atë që na pret.", tha Fevziu. Në çdo kuadër filmi shfaqej historia e njëpasnjëshme e eliminimeve të anëtarëve të Bysosë nga Enver Hoxha që njihen kryesisht dhe pas viti '73. Pjesa më e madhe fokusohen nga eleminimet në ushtri deri tek eliminimi i Mehmet Shehut në vitin 1981. Në filma ka fakte edhe për eliminimet e urdhëruara me shkrim dore nga Hoxha që datojnë vitet 1942-43-44. "Enver Hoxha ka pasur filozofine e tij të eliminimit", tha dje Blendi Fevziu.

 FEVZIU: ME HOXHËN BËHEN DHJETËRA DOKUMENTARË. S'KAM NDËRMEND TJETËR

Fevziu pohon se ky dokumentar e ka pasur zanafillën para librit të bujshmëm "Enver Hoxha", i cili e ka futur në konflikt me të venë e Hoxhës, Nexhmijen. "Ideja për dokumentarin ka qenë para librit, ka qenë dokumentari që ka prodhuar librin. Pavarësisht se libri u zgjerua shumë dhe solli një dokumentar tjetër. Dihet se disa materiale filmime të Enver Hoxhës e tregojnë në një version krejt ndryshe nga ai i kuruari, që ju e patë. Dhe me kalimin e kohës tentova që mbi këto pamje të ndërtoja një dokumentar. Ishte shumë e vështirë, sepse pamjet nuk janë gjithçka. Atëherë fillova dhe ndërtova tekstin e parë të dokumentarit që ishte një tekst prej 58 faqesh që dilte një dokumentar prej gjashtë orësh. Ishte pamundur kjo dhe për këtë arsye vazhdova pastaj me idenë e librit.", tha ai duke na bërë të kuptojmë se ka pasur dijeni mbi të dhënat arkivore shumë herët. I pyetur nëse ka ndërmend të bëjë dokumentar tjetër ai thotë: "Jo. Këndvështrimi sesi mund të shihet një sundues si Hoxha është i ndryshëm, unë hodha këndvështrimin e brendshëm të Partisë Komuniste të Shqipërisë, si u rrit Enver Hoxha, si e mori pushtetin, si e fuqizoi PK në Shqipëri.

SALI BERISHA I KAM NJOHUR ANËT MË TË ERRËTA TË HOXHËS QË NË ATË KOHË
Pas është shprehur se Blendi Fevziu tregoi me këtë film "të gjitha infrastrukturat terroriste të regjimit Hoxhist në aspektet e tij më dramatike", Kryeministri Berisha tha se: "Ata të cilët kanë përjetuar atë periudhë e kanë të qartë se për përshkrimin e saj për paraqitjen e saj duhen vëllime e seri filmash, duhet të themi të vërtetën se sinteza që bën në një libër, dhe kjo që bën në njq film Blendi Fevziu është ndër më të plotat, më domethënëset, më autentiket e një kohe që është ndoshta nga më të egrat". Berisha ka komentuar se kY është hapi i parë i madh në njohjen e barbarive të atij regjimi. "Nuk ka diskutim që konsumimin i energjisë me të shkuarën është jo produktiv, por njohja e të shkuarës përbën një kusht të domosdoshëm për të parë më qartësi të ardhmen që meriton", tha Berisha. Ndërsa i pyetur se a i kishte njohur antë e errëta të Hoxhës, kur punonte me të, Berisha i përgjigjet se "Unë njihja në atë kohë çdo anë të errët të Enver hoxhës pa diskutim. Njihja në profesionin tim si mjek urinë kronike në të cilën e kishte zhytur popullin shqiptar mjerimin e jashtëzakonshme, të cilën autori këtu ka preferuar ta paraqes me eksodin masiv të shqiptarëve.

FATOS NANO: NUK KAM PRITUR DOKUMENTARIN PËR TË NJOHUR HOXHËN
Pyetjes se nëse e kishte njohur Hoxhën si në filmin e Fevziut, shumë i përfoluri si President e ardhshëm i vendit, Fatos Nano tha se: "Ti mendon se do të prisja të bëhesha kaq, të shihja dokumentarin për të mësuar një gjë të tillë. Sigurisht që i kemi ditur që në atë kohë tiparet e errëta të Enver Hoxhës. Sidoqoftë një histori e dokumentuar kaq mirë, është e vlefshme për të gjithë, edhe për mua. Është e vlefshme, sepse argumentohet mbi dokumente dhe arkiva. Pse ju nuk i dinit?! Mendoj se vlera e këtij dokumentari qëndron tek reagimi që kemi e duhet të kemi para fakteve konkrete që shfaqen hapur, siç kanë qenë shkruar.

LIRI BELISHOVA: JAM E KËNAQUR SHUMË ME DOKUMENTARIN E ENVER HOXHËS
E mbijetuara e vetme prej anëtarve të Byrosë Poltike, Liri Belishova, që më pas u dënua me burg dhe u internua në kampe pëqëndrimi ishte e pranishme."Jam shumë e lodhur dhe e drobitur nga filmi. Më mundojnë kujtimet. Unë i thashë dy fjalë Blendi Fevziut. I thashë që ka bërë një gjë të madhe për këtë komb. Është mirë të thuhen të vërteta si kanë qenë. Nuk është e lehtë të përfytyrohet e gjithë ajo që ka ndodhur. Një ditë tjetër do t'u them më shumë. Kam shumë emocione. Personalisht jam shumë e kënaqur dhe e lehtësuar nga dhimbjet që u bë ky film. Unë e falënderoj Fevziun, por gjithë shqiptarët duhet të falënderojnë dhe të jenë mirënjohës.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Media: Armëpushimi në  Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00

Media: Armëpushimi në Liban do të shpallet sonte pas orës 22:00