Për pasojë sipas ligjit me nr. 9559 të datës 8 qershor 2006 të miratuar nga parlamenti dhe qeveria “Berisha” e asaj kohe çdo kryekomunar që nuk raportonte me shkrim plantacionet e drogës, duhet të ndiqej penalisht për tre akuzat “Shpërdorim detyre”, “Moskallëzim krimi” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”. Fill pas këtyre akuzave vinte dhe shkarkimi nga detyra e kryekomunarit, kryeplakut apo inspektorit të zonës që refuzonte të raportonte kultivimin e drogës. Por pavarësisht përmbajtjes së ligjit të miratuar nga Berisha, asnje masë nuk është marrë për kryetarin e kumunës Lazarat, që çdo vit prodhon mijëra tonë drogë.
Pyetja që shtrohet në këtë rast është a duhet të ndiqet penalisht dhe të shkarkohet Dashnor Aliko? Gazeta “Shqiptarja.com” dhe “A1 Report” solli eksluzivisht fotot e fidanëvë e mbjellë në vazo. Ndërkohë nga fotot satelitore Lazarati është një fshat i gjelbër.
Çfarë thotë ligji
Sipas ligjit të 2006 dhe më konkretisht neni 10/1 thuhet se kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, specialistët e Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale në zonë, brenda juridiksionit të tyre administrativ, në bashkëpunim edhe me strukturën përkatëse të luftës kundër drogës në drejtorinë e policisë të qarkut, organizojnë punën për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, zbulimin e sipërfaqeve të kultivuara dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Më tej në pikën dy të këtij neni thuhet se kryetari i njësisë bazë të qeverisjes vendore, specialistët e Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale në zonë, për çdo rast të vërejtjes apo marrjes dijeni për kultivimin e bimëve narkotike në zonën që mbulojnë, janë të detyruar të raportojnë menjëherë me shkrim në strukturën përkatëse të luftës kundër drogës në drejtorinë e policisë të qarkut. Ndërsa pika 3 e nenit 10/1 nënvizon se kur personat e mësipërm veprojnë në kundërshtim me pikën 2 të këtij neni, sipas rastit,janë subjekte të veprave penale të parashikuara nga nenet 248, 300 dhe 301 të Kodit Penal”. Ky ligj është dekretuar më pas edhe nga presidenti Moisiu.
(Në foto:Faksimile e ligjit me nr. 9559 i vitit 2006 të miratuar nga Sali Berisha, që autorizonte policinë të arrestonte komunarët nëse nuk raportonin për drogën.)
Aliko:S’jam spiun
Në disa dalje publike, kryekomunari Dashnor Aliko ka pohuar se nuk mund të bëhej spiun i askujt. Aliko ka shtuar se Lazarati është aty ku është dhe policia të hyjë qoftë ditën qoftë natën dhe në çdo orë për të shkatëruar plantacionet me drogë.
Shkrimi u përditësua në 25 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com)