FIER- Alkooli vijon të mbeten një ndër problematikat më shqetësuese për Policinë Rrugore në qarkun e Fierit. Sipas shefit të qarkullimit, Rustem Plaka, gjatë muajit Maj janë arrestuar 14 drejtues mjetesh të grupmoshës 18–35 vjeç që drejtonin automjetin në gjendje të dehur.

Vetëm gjatë muajit maj janë vendosur rreth 11 mijë masa administrative, kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Në kuadër të masave administrative, vetëm gjatë muajit Maj janë vendosur 69 masa ndaj drejtuesve të mjeteve që janë konstatuar nën ndikimin e alkoolit ka pohuar Plaka.

Shefi i Qarkullimit ka pohuar gjithashtu se përballë kësaj situate Departamenti i Sigurisë Publike ka hartuar një plan operacional tre-ditor për goditjen dhe parandalimin e drejtimit të automjeteve në gjendje të dehur, i cili ka sjellë rezultate pozitive në terren.

Ndërkohë, Policia Rrugore thekson se problem mbeten rrugët rurale, ku shpesh nuk respektohen rregullat e qarkullimit rrugor.

Aksidenti më i fundit është ai i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm ku 43 - vjeçari Ernis Xhumari humbi jetën në vendin e quajtur “ Rrethrrotullimi i plasmasit” teksa dy muaj më parë i ishin hequr 13 pikë të patentës për shkak se kish rezultuar në gjëndje të dehur në timon.