Fier- Një aksident i trefishtë dhe i pazakontë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Levan-Pishporo, në vendin e quajtur Qarr.

Nga kjo përplasje ka pasur bilanc me 4 persona të plagosur pa rrezik jete, mes tyre tre pasagjerë, si dhe u goditën 36 kokë bagëti (dele), të cilat kanë qenë duke kaluar rrugën në ato momente.

Pamjet, siç shihet edhe në videot që ka nisur gazetari i Report TV dhe Shqiptarja.com, janë tronditëse, teksa dallohen qartë bagëtitë e goditura dhe përgjakura në rrugë, si dhe disa mjete të ndalura, e me dëmtime të pjesshme.

Paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën po udhëtonte drejtuesi i mjetit që u bë shkak i karambolimit.

Policia vendore konfirmoi se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:40.

“Automjeti me drejtues shtetasin L. Dh., është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin E. K., dhe me automjetin me drejtues shtetasin B. S. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar shtetasit L.Dh., dhe 3 pasagjerë të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Fierit.

Teksa sqarohet se “gjithashtu nga përplasja e automjeteve në rrugë janë dëmtuar bagëtitë e imta të shtetasit N. M.”.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.