Fier- Aksidentet në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi dhe dhuna në familje, në një rast edhe me përpjekje për flijim nga frika, që janë regjistruar gjatë 24 orëve të fundit në qarkun e Fierit, kanë çuar në pranga 3 persona.
Katër të tjerë u morën nën hetim dhe një i shtatë u shpall në kërkim nga policia vendore.
Ngjarja më e rëndë ka ndodhur në Fier, ku një 45-vjeçar akuzohet se ka dhunuar dhe kërcënuar bashkëjetuesen e tij 34-vjeçare, e cila tentoi edhe vetëvrasjen duke u hedhur nga dritarja prej frikës. Burime zyrtare bënë me dije se shpallën në kërkim A. Y., banues në lagjen "Afrim i Ri", teksa mbeten të panjohura motivet e krimit.
“Pasi ka ushtruar dhunë, e ka kërcënuar me mjet prerës, teksa 34-vjeçarja nga frika ka tentuar të vetëvritet duke u hedhur nga ballkoni. E dëmtuara ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën”, tha policia vendore.
Sektori i Qarkullimit Rrugor njoftoi se arrestoi Nikolin Melengun, 42 vjeç, banues në Berat, pasi ditën e djeshme në Levan (2 Janar), duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip "Benz" autobot, është përfshirë në një aksident me dy automjete të tjera. Nga përplasja janë dëmtuar lehtë tre pasagjerë të këtyre dy automjeteve, të cilët pasi morën mjekim në spital, u larguan për në banesë.
Po kështu nisi procedimi penal për 63-vjeçarin B. M., banues në Kamenicë, pasi po dje në fshatin Mizë të Divjakës, është përfshirë në një aksident me një motomjet, ku për pasojë është dëmtuar drejtuesi i këtij të fundit, 17-vjeçar, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Gjithashtu nisi procedimi penal edhe për të miturin, pasi pasi drejtonte mjetin e tij pa leje drejtimi.
Komisariati i Policisë Mallakastër bëri me dije se arrestoi Nikola Hamitajn, 27 vjeç, banues në Ballsh, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj babait të tij dhe Ilir Xhelon, 50 vjeç, banues në Dushk, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij.
Kurse Policia e Lushnjës nisi procedimin për A. K., 45 vjeç, pasi dyshohet se në kundërshtim me ligjin, ka shkuar në banesën e bashkëshortes, e cila ishte e pajisur me urdhër mbrojtje dhe Komisariati i Fierit procedoi një 17-vjeçar banues në fshatin Vjosë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.