Policia e Fierit ka arrestuar një 23 vjeçar, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, pasi akuzohet në Itali si pjesëtar i një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike.

23 vjeçari Emiseldo Fasko ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Riminit, Itali, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike". 

I riu është arrestuar edhe më 27 gusht 2025 së bashku me Kledis Shermadhi, 24 vjeç dhe Ardit Mehdiu, 29 vjeç, pasi Gjykata e Riminit i kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “organizata kriminale” dhe “trafikimi i  narkotikëve”, por Emiseldo Fasko kishte dalë nga burgu.

Njoftimi i policisë:

DVP Fier/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, operacioni i koduar “Gjurmimi”, për kapjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar.  

Akuzohet në Itali, si pjesëtar e një organizate kriminale që trafikonte lëndë narkotike, kapet në Fier dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 23-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, bazuar në informacionet e siguruara nga bashkëpunimi me partnerët italianë, për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim ndërkombëtar, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit u kap në qytetin e Fierit dhe u arrestua provizorisht me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi: -E. F., 23 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Riminit, Itali, në vitin 2025, i ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale" dhe "Trafikimi i lëndëve narkotike". 

Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, për të finalizuar procedurën e ekstradimit të këtij shtetasi, në Itali.