Banorët e Povelçës në Fier protestuan sot kundër faturave të energjisë elektrike që sipas tyre është një abuzim nga OSHEE. Ata shprehen se u kanë ardhur fatura 'afrofe' nga OSHEE dhe janë shumë më tepër nga ajo sa kanë harxhuar realisht.
Për këto fatura banorët shprehen se u kanë ardhur gjatë periudhës kur janë marrë sahatët e vjetër për t'i ndërruar me matësit e rinj elektronikë. Në Fier ka nisur projekti i Bankës Botërore për vendosjen e 6000 matësave të rinj inteligjent.
I pranishëm në protestën e banorëve të Fierit kundër OSHEE, ka qenë edhe Kryetari i degës së PD së Fierit Luan Baçi.
" Është një abuzim shumë i rëndë me matësit e energjisë elektrike. Matësit janë hequr nga OSHEE pa paralajmërim, janë montuar sahate të rinj dhe u kanë faturuar afrofe energji elektrike në shuma të konsiderueshme lekësh. Kjo është një vjedhje e hapur. Bëhet për të mbuluar deficitet e tyre”, - u shpreh kreu i degës së PD Fier, Luan Baçi, i cili tha se revoltë për vjedhjet dhe padrejtësitë e shtetit kanë edhe banorët e Hoxharës dhe Darzesës.
“Në Darzezë ka një bojkot nga nxënësit, pasi qeveria u prishi shkollën në mënyrë abuzive, pa dhënë prova se u dëmtua nga tërmeti. Transporti për nxënësit është i pasiguruar. Janë lëshuar mbi bizneset e qytetit si hordhi, duke i gjobitur në mënyrë selektive, duke i ndarë qytetarët sipas bindjeve partiake apo pjesëmarrjes në protesta, kanë vënë gjoba marramendëse kundër bizneseve që nuk janë në shkelje të ligjit”- u shpreh Baçi.
Por OSHEE me anë të një reagimi sqaron se deri më tani nuk ka ardhur asnjë ankesë për mbifaturim. Ndërsa më tej thuhet se të gjitha faturat referuese në muajit në vazhdim do të sistemohen nëse u është vendosur më shumë sesa kanë konsumuar realisht banorët.
" Sqarim për vendosjen e matësave elektronik, projekt i OSHEE dhe BB Lidhur me protestën e sotme ne Povelcë të Fierit e organizuar nga dega PD, sqarojmë se: Në bazë të projektit të BB në qarkun e Fierit sikurse dhe në disa qarqe të vendit po instalohen matësit e rinj elektronikë. Në Fier janë përllogaritur 6 mijë matësa, ndërsa në Povelcë rreth 100. Aktualisht janë vendosur rreth 4 mijë matësa në këtë qark. Banorëve u është thënë se nuk do të ketë më matësa induktivë ndaj faturimi për periudhën e vendosjes së matësit do të jetë faturë referuese, e cila në muajt në vazhdim do të sistemohet nëse u është vendosur më shumë sesa kanë konsumuar realisht. Zyrtarisht në drejtorinë rajonale të OSHEE Fier nuk ka asnjë ankesë për mbifaturim." thuhet në reagimin e OSHEE.