FIER - Kryetari i komunës Libofsh në Fier, Naun Doko është dhunuar fizikisht nga efektivi i policisë së Fierit, Nazmi Perlezi. Kryekomunari Doko ka deklaruar se Perlezi e ka qëlluar me grushte duke e gjakosur atë. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier.

Kryekomunari Doko ka qenë pranë ambienteve të Prokurorisë e Gjykatës së Fierit pasi ka pasur një çështje gjyqësore me ÇEZ në momentin kur Nazmi Perlezi e ka qëlluar.

Sipas Dokos ky konfrontim ka ardhur si pasojë e një sipërfaqeje toke të konsiderueshme në pronësi të komunës për të cilën Perlezi pretendon se i përket atij duke paraqitur dokumentacion i cili sipas Dokos është i falsifikuar.

Këshilli i Komunës Libofshë kishte vendosur që sipërfaqet e lira në pronësi të komunës t’i lëshonte me qira për kullota. Pas këtij vendimi të Këshillit të Komunës së Libofshës është irrituar punonjësi i policisë Nazmi Perzeli, i cili ka nisur ta kërcënojë kryetarin.