Ngjarja ndodhi në momentin kur Mit’hat Hoxha kthehej për në banesën e tij. Vetë Hoxha ka dëshmuar për median se 3 persona i kanë bërë pritë dhe e kanë dhunuar fizikisht.
Ndërsa korrespondenti ynë në Fier, Kristaq Thano, duke iu referuar burimeve konfidenciale nga prokuroria, informoi sot paradite se 50 vjeçari gjatë marrjes në pyetje nga prokurorët ka shqiptuar emrin e një personi, që dyshohet të jetë njëri prej autorëve të ngjarjes. Vetë drejtuesit lokalë të FRD thone se tre dhunuesit janë identifikuar.
Hoxha është marrë në pyetje në ambientet e spitalit të Fierit ku ndodhet i shtruar që prej mbrëmjes së djeshme, kur u soll nga familjarët.
Familjarët shprehen se Mit'hat Hoxha është kërcuar disa ditë më parë, kur i kanë kërkuar të tërhiqet nga gara elektorale, pasi në të kundërt do të ekzekutohet. "Mit'hatit i kanë thënë do të vrasim dhe të mos vijë në fshat të bëjë politikë"- dëshmoi Liljana Hoxha për median.
Edhe kryesuesi i listës së kandidatëve të Frymës së Re Demokratike në Fier, Shezai Çobo thotë se dhuna ka prapavijë politike.
4 vjet më parë, më 2 maj 2009, po në Roskovec u vra deputeti i PS-së, i cili rikandidonte për deputet në zgjedhjet parlamentare të 2009, Fatmir Xhindi. Ende sot pas 4 vitesh ende nuk është zbardhur vrasja dhe kush janë autorët.
ORA 15:00 - HOXHA RREFEN NE MEDIA DHUNEN E USHTRUAR NDAJ TIJ
"Nuk i njoh autorët. Ishin 3 veta, më kanë qëlluar befasisht'- ishte dëshmia e Mit'hat Hoxhës para mediave. Ndërkohë që gazetari i tv "A1 REPORT", duke iu referuar burimeve konfidenciale informoi sot paradite, se gjatë marrjes në pyetje nga prokurori i Prokurorisë së Fierit, ai ka dhënë një emër, si autor të dhunës fizike ndaj tij, mbrëmjen e djeshme.
ORA 14:30 OKETA: NGJARJA PERKON ME TE NJEJTEN PERIUDHE KUR U VRA FATMIR XHINDI
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Fryma e Re Demokratike, Gazmend Oketa, vizitoi në Spitalin Rajonal të Fierit kandidatin e dhunuar të kësaj force politike, Mit’hat Hoxha. Oketa dënoi aktin e rëndë, duke u shprehur se kjo ngjarje përkon edhe me të njëjtën periudhë të vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi, në maj 2009. Oketa vizitoi Mit'hat Hoxhën në spital
ORA 14:15 - POLICIA: HOXHA NUK KA BËRË MË PARË DENONCIM, PO HETOJME
Policia e Fierit nëpërmjet një njoftimi për shtyp tregon versionin e ngjarjes së dhunimit të Mit'hat Hoxhës, kandidat për deputet i FRD-së në qarkun e Fierit. Sipas policisë, e cila iu referohet mjekëve, Hoxha është goditur "vetëm me grushta" e jo me mjete të forta dhe "i dëmtuari mbrëmjen e djeshme dhe ditën e sotme nuk i ka dhënë asnjë shpjegim policisë për ngjarjen, me arsyen se 'ndihem i turbulluar dhe nuk mund të japë shpjegime për momentin”.
Policia e Fierit mohon se policia e shtetit dhe Drejtoria e Policisë së qarkut Fier ishte në dijeni të kërcënimeve ndaj Hoxhës, siç pretendonin përfaqësues lokal të FRD-së dhe familjarët e tij. “Shprehim keqardhjen, pasi nuk ka pasur asnjë denoncim të mëparshëm nga shtetasi Mit’hat Hoxha në policinë e qarkut Fier”, thuhet në njoftim.
NJOFTIMI I POLICISE
"Më datë 09.06.2013 rreth orës 23.45 në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë Qarkut Fier është marrë njoftim nga Spitali Rajonal Fier për një shtetas që kishte shkuar në urgjencë i goditur. Menjëherë me marrjen e njoftimit në Spitalin Rajonal Fier kanë shkuar forcat policore të Drejtorisë së Policisë Qarkut dhe nga veprimet e para ka rezultuar se personi i dëmtuar ishte shtetasi Mit’hat Hoxha, 50 vjeç, banues në Roskovec. Nga deklarimet e mjekëve ky shtetas është goditur me grushta dhe ndodhet i shtruar në Spital jashtë rrezikut për jetën.I dëmtuari mbrëmjen e djeshme dhe ditën e sotme nuk ka dhënë asnjë shpjegim policisë për ngjarjen, me arsyen se ndihem i turbulluar dhe nuk mund të jap shpjegime për momemtin.
Në lidhje me pretendimet e FRD dhe familjarëve të të demtuarit, se personi në fjalë është kërcënuar dhe për këtë është vënë në dijeni, policia e shtetit, Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier shpreh keqardhjen, pasi nuk ka patur asnjë denoncim të mëparshëm nga shtetasi Mit’hat Hoxha, në Policinë e Qarkut Fier.
Drejtoria e Policise së Qarkut Fier në bashkëpunim dhe me Prokurorinë e Rrethit Fier, menjëhere me marrjen e njoftimit, që mbrëmjen e djeshme ka nisur hetimet dhe është duke punuar per zbardhjen e ngjarjes, motivet e saj, identifikimin dhe kapjen e autoreve."
ORA 13: 45 REAGON TOPI: FRD NUK SHANTAZHOHET, BERISHA GARANTO INTEGRITET
Kreu i FRD, Bamir Topi reagon në lidhje dhunën fizike të ushtruar ndaj kandidatit për deputet njëkohësisht kryetari i FRD-së në Roskovec Mit'hat Frashëri.Topi i ka uruar shërim të shpejtë Hoxhës dhe deklaroi se FRD nuk shantazhohet.
"I drejtohem drejtpërdrejt atij që e ka për detyrë sipas ligjit dhe Kushtetutës, që të garantojë proces të lirë dhe të ndershëm, që përpara se të japë premtime për 4 vitet e ardhshme, të garantojë identitetin dhe integritetin e zgjedhjeve"- tha Topi duke shtuar: "Ne nuk e fokusojmë vëmendjen te pushteti, por te shteti, që është për të gjithë qytetarët.
"Ky pushtet që vepron me falanga të tilla t’i vërë gishtin kokës, se jemi në një situatë që nuk nderon as institucionet e Shqipërisë, por na vë njollë të zezë përpara ndërkombëtarëve. Ne kemi dhënë informacionin e duhur para OSBE dhe ODIHR". I uroj shërim të shpejtë Hoxhës dhe siguroj familjen se FRD është pranë tyre në këtë moment. FRD jo vetëm nuk shantazohet, por do të punojë më intensivisht për të rikthyer standardet e shtetit ligjor. Nesër në Parlament dhe pse jo në Qeverisje ne do të punojmë fort për të rikthyer këto standarde".
ORA 13:00 - A1 REPORT: HOXHA I JEP PROKUROREVE EMRIN E DHUNUESIT
Sot rreth orës 12:00 ka mbërritur në spitalin ku është shtuar Mit'hat Hoxha një prokurore e Rrethit të Fierit. Ajo ka marrë në pyetje për rreth 30 minuta të plagosurin Hoxha brenda ambienteve të spitalit.
Burime të “A1 REPORT" arritën të mësojnë se Mit’hati ka shqiptuar emrin e një njeriu si autor të dhunës, por nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Gjithashtu saktësohet se ai është qëlluar vetëm me grushte.
Prokurorja ka marrë në pyetje edhe kreun e listës së kandidatëve për deputetë të FRD-së në Fier, Shezai Çobo.
ORA 12: 48 RAMA: NE ROSKOVEC OPEROJNE KRIMINELE TE USHQYER NGA SOKOLI I SALIUT
Lajm i hidhur dhuna ndaj kandidatit te FRD ne Roskovec! Aty operojne kriminele te ushqyer e te ndersyer nga Sokoli i Saliut!Sali distancohu!
— Edi Rama (@ediramaal) June 10, 2013
ORA 12:45 - PERFAQESUES TE OSBE DO VIZITOJNE FRD NE FIER
Përfaqësuesit e zyrës së OSBE në Fier pritet të vizitojnë zyrën e FRD në Fier pas dhunës fizike të ushtruar ndaj kandidatit të kësaj partie mbrëmjen e djeshme në Roskovec.
ORA: 10:13 - DHUNOHET FIZIKISHT KANDIDATI I FRD, FIER, MIT'HAT HOXHA
Është dhunuar dhe rrahur barabarisht kandidati i partisë Fryma e Re Demokratike Mit'hat Hoxha, 50 vjeç. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytezën e Roskovecit, ndërsa kandidati kthehej për në banesën e tij rreth orës 23:00 të natës. Disa persona i kanë dalë në pritë kandidatit, duke ushtruar dhunë ndaj tij.
Sipas dëshmive të marra nga "A1 REPORT", të thirrurat për ndihmë të 50 vjeçarit kanë nxjerrë jashtë familjarët, të cilët e kanë gjetur të gjakosur në fytyrë dhe trup dhe e kanë dërguar me urgjencë për në spitalin e Fierit, ku i është nënshtruar mjekimit intensiv në repartin e reanimacionit, ku ndodhet edhe sot.
Korrespondenti në Fier, Kristaq Thano informon se Hoxha ka arritur t'u tregojë me shenja oficerëve të policisë se i ka njohur autorët por nuk ishte në gjëndje të fliste. Ai u mor në pyetje në reanimacionin e spitalit. Ka shenja dhune në fytyrë, dhe sipas burimeve nga policia dëshmon për goditje të rënda me grushta.
FAMILJARET: MIT'HATI KERCENOHEJ TE TERHIQEJ NGA GARA
I ati i Mit'hat Hoxhës, Qazim Hoxha është shprehur se biri i tij nuk ka pasur konflikt, ndërsa kjo ngjarje ka ndodhur për shkakun e kandidimit të tij me FRD. Ndërkohë, edhe bashkëshortja e Mit'hat Hoxhës, Liljana është shprehur, se “ky sulm ka qenë i qëllimshëm dhe i paralajmëruar nga telefonata anonime dhe kërcënime të vazhdueshme për tërheqjen e tij nga kandidimi për zonën e Roskovecit". Ajo ka saktësuar se "i kanë thënë do të të vrasim dhe të mos vijë në fshat të bëjë politikë".
DREJTUESIT LOKALE TE FRD: DHUNUESIT JANE IDENTIFIKUAR
Drejtuesit lokalë të FRD deklaruan se tre dhunuesit janë identifikuar.
Ndërkohë, Shezai Çobo ka dhënë një konferencë për shtyp, ku ka denoncuar këtë sulm si "me prapavijë politike", "i qëllimshëm", "një akt i pastër politik" dhe ka kërkuar "ndëshkimin e autorëve".
“E vërteta është që kandidatit i është presion edhe nga individë të tjerë më parë. Ndoshta me telefonata të panjohura. I kanë bërë presion, që ju nuk duhet të bëni politikë këtu në fshatin tonë, se jemi ne këtu. Këto janë gjëra të turpshme, të pamoralshme".- tha Çobo.
Sipas tij dhunuesit kanë qenë 3 persona. "Mit'hati i ka identifikuar, pasi atij i është bërë presion dhe herë të tjera nga individë të veçantë me telefonata me qëllim që të mos merrej më politikë", ka thënë Çobo.
Familjarët bënë denoncimin e ngjarjes në polici.
Redaksia Online
(mag/sg/shqiptarja.com)