FIER, 1 Maj /ATSH-Gjergji Mima/ -Kandidatët e dy koalicioneve të mëdha për bashkinë e Fierit, Armando Subashi i PS dhe Enkelejd Alibeaj i PD kanë vijuar takimet e tyre me banorët.
Kandidati Subashi ka vijuar takimet në Komunën Qendër, duke u ndalur në lagjen Çlirim për t'u konsultuar me banorët e kësaj zone në lidhje me hartimin e programit qeverisës për Bashkinë e Fierit.
"U njohëm me problematikat që kanë këta banorë, ku shqetësimi kryesor i tyre ishte mungesa e një tregu të madh në qytetin e Fierit, qoftë me shumicë apo pakicë, treg i cili do të mundësojë shitjen e prodhimeve të tyre industriale dhe bujqësore", shkruan Subashi në "Facebook".
"Kërkesat e këtyre qytetarëve sot, do të jenë prioritet tona për të nesërnem e zhvillimit të Bashkisë Fier, që puna e tyre të mos shkojë dëm", thekson Subashi.
Pas 21 qershorit, vijon ai, "nëpërmjet investimeve direkteve do të mundësojmë ndërtimin e tregjeve të mëdha, qoftë edhe investime për magazinimin e produkteve të tyre , në kushte të mira higjenike e ku duhet edhe ato frigoriferike, për të përcjellë te konsumatori fierak produkte me cilësi të lartë".
Ndërsa kandidati i PD-së, Enkelejd Alibeaj ka zhvilluar takim me banorët e Libofshës në fshatrat Hasturkas, Ndërnenas, Metaj, Agim.
"Ndotja e ajrit dhe era e rëndë e plehrave që digjen çdo natë na shoqëruan rrugës përgjate Vijës së Ngjalës. Prej vitesh të tëra, problemeve dhe halleve të përditshme të banoreve të kësaj zone, i shtohet dhe rreziku real i shëndetit dhe jetës së tyre", shkruan Alibeaj në "Facebook".
"Në fshatin Hasturkas pamë se si banoret jetojnë mes kanalizimeve të hapura të ujërave të zeza para shtëpive të tyre. Rrugët e amortizuara të Ndërnenasit, rreziku i vazhdueshëm i përmbytjeve në fshatin Metaj, papunësia dhe varfëria e banorëve të Agimit janë panorama e trishtueshme e një zone ku jetojnë njerëz punëtore, të urtë, të mençur e me dinjitet, por të braktisur prej të zgjedhurve vendorë e të pashpresë për të ardhmen", thekson Alibeaj.
Sipas tij, "e vetmja shpresë për banorët e Libofshës e të gjithë Fierit është refuzimi me votën e 21 qershorit i politikës së varfërimit, indiferentizmit e papërgjegjshmërisë".
"Së bashku të ofrojmë një alternativë të re të zhvillimit të Fierit, të ndjeshme ndaj problemeve të qytetarëve. Së bashku të kërkojmë rrugët e zgjidhjes", përfundon Alibeaj./a.g/