Fier - Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës,  Ignati, ka zhvilluar mesditën e së enjtes një takim me kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj. Qëllimi i takimit ishte Manastiri i Shën Kozmait në Kolkondas të Libofshës ne Fier, i cili ka një vlerë të vecantë jo vetëm për zonën, por edhe më gjerë. Me rastin e festës së Shën Kozmait më 24 gusht, Mitropolia ka kërkuar që të shihen mundësisë e përbashkëta për rikonstruksionin e rrugës së këtij Manastiri.
Kryetari i Bashkisë së bashku me Kryetarin e  Këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreko, u shprehën se rikonstruksioni i rrugës së Manastirit ka qenë dhe mbetet një prioritetet që shumë shpejt do të shkojë drejt zgjidhjes.
"Do të ngrëmë një grup pune qe do të merret me vlerësimin e  situatës në terren dhe së bashku do të përpilojmë një kërkesë për rikonstruksionin total të kësaj rruge, duke u bazuar tek vlerat që mbart ky Manastir. Këtë kërkesë do t'ua paraqesim deputetëve të Qarkut Fier në Palamentin Shqiptar dhe jam i bindur që do të ndryshojmë imazhin e kësaj rruge dhe Manastirit të Shën Kozmait", tha Zeqaj.Kryetari i këshillit të Qarkut Fier, Vangjel Ndreko, u shpreh se do të shikonte mundësinë e një bashkëfinancimi të mundshëm (Këshill Qarku dhe Mitropoli) për segmentin prej 4 km që është rruga e Manastirit.
Të gjithë së bashku vizituan Manastirin e Shën Kozmait, për të parë nga afër vështirësitë e rrugës për të shkuar në këtë Manastir, që sipas Mitropiolisë, është një nga Manstiret më të frekuentuara nga të huajt. /ATSH/